Brickos

Adil Fetahu

Adil Fetahu: “LIBRI I KALTËR” PËRPJEKJE PËR TKURRJËN E AUTONOMISË SË KRAHINAVE I

Pozita  kushtetuese-juridike e Kosovës në ish-Jugosllavi

Krahinat autonome (Kosova dhe Vojvodina)  që ishin  në ish-Jugosllavi, në periudhën 1945 deri më 1992, kanë pësuar ndryshime në statusin dhe pozitën e tyre kushtetuese-juridike, të përcaktuar me kushtetutat e Jugosllavisë dhe të Serbisë: me Kushtetutën e RFDJ (1946), me Ligjin Kushtetutës të RFPJ (1953), me Kushtetutën e RSFJ (1963), me Amandamentet  në Kushtetutën e RSFJ të vitit 1963, të miratuara në vitin 1967, 1968 e 1971, dhe me Kushtetutën e RSFJ (1974), me Kushtetutën e RSFJ (1988), dhe me Kushtetutën e RS të Serbisë (1989). Kushtetutën e të ashtuquajturës Republika Federale e Jugosllavisë (Serbi + Mali Zi), të vitit 1992, nuk ia vlen ta përmendim, sepse sipas saj Kosova i kishte humbur të gjitha atributet e autonomisë, dhe sepse Kosova e kishte miratuar Kushtetutën e vet më 7.09.1990, me të cilën ishte proklamuar Kosova shtet i pavarur, anëtare e bashkësisë së Jugosllavisë, varësisht nga përcaktimi se do të jetë federatë apo konfederatë.

Statusi dhe pozita kushtetuese e Kosovës ka osciluar prej një kushtetute në tjetrën. Sipas Kushtetutës së RFDJ (1946), Kosova kishte statusin e provincës autonome, që ishte një shkallë më e ulët e autonomisë, sesa Vojvodina e cila kishte status të krahinës autonome. Dallimi qëndonte në përfaqësimin e Kosovës në organet e republikës së Serbisë dhe në ato të Federatën jugosllave.  Në Dhomën e Kombeve të Kuvendit Federativ, republikat kishin nga 30 përfaqësues, krahina (Vojvodina) 20, ndërsa provinca (Kosova) 15 Organi më i lartë i krahinës (Vojvodinës) ishte kuvendi popullor i krahinës, ndërsa organi më i lartë i provincës (Kosovës) ishte këshilli popullor i provincës autonome. Akti më i lartë juridik i autonomive ishin statutet, në të cilat e jepte pëlqimin kuvendi i republikës  (Serbisë).

Ndonjë përmirësim i statusit të Kosovës nuk u bë as me Ligjin Kushtetues të vitit 1953, që kishte një emërtim të gjatë: Ligji kushtetues mbi rregullimin shoqëror dhe politik të Republikës Federative Popullore tëJugosllavisë dhe të Organeve të Pushtetit Federativ.

As Kushtetuta e RSFJ, e vitit 1963, nuk e përmirësoi  pozitën Kosovës, përveç asaj që e barazoi me Krahinën Autonome të Vojvodinës, por që të dy kahinat ishin këmbë e krye të lidhura e të gozhduara në Republikën e Serbisë. Nuk përfaqësonin kurrëfar elementi të Federatës. Në dispozitën e nenit 2 të Kushtetutës, përmendën vetëm gjashtë republikat të cilat e përbënin Jugosllavinë, Delegacionet e krahinave (nga 5 delegatë) të cilat i dërgonin në Kuvendin Federativ, ishin delegacione të Republikës së Serbisë, të zgjedhura në kuvendet e krahinave. Në nenin 111 par.3, ishte përcaktuar se: Në Repubikën Socialiste të Serbisë ekzistojnë krahina autonome e Vojvodinës dhe e Kosovë-Metohisë, të cilat janë themeluar në vitin 1945 me vendim të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Serbisë, në bazë të vullnetit të shprehur të popullsive të atyre rajoneve (sic).

Natyrisht se me pozizën e tillë të Kosovës shqiptarët nuk mund të ishin pajtuar, por duhet pasur parasysh regjimin diktatorial të Serbisë dhe Jugosllavisë në kohën e persekutimeve që bënte OZNa/UDBa, e kryesuar nga A.Rankoviqi, prandaj kuadrot e pakta shqiptare të asaj kohe nuk kanë mund të bëjnë asgjë më tepër. Pas rënies së Rankoviqit (korrik 1966), kur shqiptarët mund të “merrnin frymë” më lirisht, u shfaqën paknaqësitë me pozitën kushtetuese dhe statusin e Kosovës e të shqiptarëve në Jugollavisi dhe u artikuluan kërkesa për ndryshime e përmirësime. Kërkohej statusi i republikës për Kosovën dhe të drejta të plota për shqiptarët në republikat e tjera.  Edhe republikat tjera, Kroacia e Sllovenia kërkonin ndryshime në drejtim të decentralizimit të pushtetit federativ,  që ishte i dominuar nga Republika e Serbisë, me përkrahjen e Malit të Zi, Maqedonisë e her-herë edhe të Bosnje-Hercegovinës. varësisht se cilat kuadra ishin në udhëheqjene asaj republike.

Reforma dhe amandamentet kushtetuese

Gjashtë  amandamentet e para (I – VI) në Kushtetutën e Jugosllavisë, të vitit 1963, u  miratuan në Kuvendin Federativ më 26 prill 1967. Ato amandamente kishin të bënin kryesisht me  përbërjen dhe autorizimet e organeve federative.

Amandamentet që përmirësuan  dukshëm pozitën kushtetuese-juridike të krahinave autonome ishin ato të vitit 1968 e 1971, e pastaj Kushtetuta e RSFJ (1974). Me kushtetutën e RSFJ (1974), Kosova fitoi statusin e subjektit konstiuiv të Federatës. Ndonëse nuk ishte e barabartë me njësitë e tjera (6 republikat), të cilat e kishin statusin e shtetit,si njësi në Federatën jugosllave, megjithatë, në territorin e vet edhe Kosova i kishte të gjitha elementet e shtetësisë: organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, tërë organizimin e njëjtë sikur republikat, dhe ishte e përfaqësuar drejtpërdrejt në të gjitha organet, organizatat dhe strukturat politike dhe shtetërore të Federatës: në Kryesi, në Kuvend, në Këshillin Ekzekutiv Federativ, në Gjykatën Kushtetutese e në Gjykatën dhe Prokurorinë Federative,  me numër më të vogël përfaqësuesish se sa që kishin republikat, por me efekt të njëjtë të votës paralizuese (aty ku vendimet merreshin me consensus, me pëlqimin e delegacioneve apo të kuvendeve të të gjitha republikave dhe krahinave). Tashmë  Kosova kishte kushtetutën e vet (1974) si akt më i lartë juridik, Gjykatën Kushtetuese, Kryesinë e Krahinës.  Me qenë se ishte në kuadër të Republikës së Serbisë, kishte përfaqësuesit e vet edhe në organet dhe strukturat e asaj republike, ndërsa Serbia nuk kishte përfaqsues të saj në organet as strukturat tjera të Kosovës. Për të arritur atë pozitë, është dashur shumë angazhim, punë politike e profesionale të kuadrove të atëhershme, por edhe sakrifica dhe gjak në protestat dhe demonstratat e vitit 1968. Kërkesat e Kosovës të paraqitura në procesin e diskutimit për amandamentet i përkrahnin kuadrot e Republikës së Kroacisë. Funksionari i lartë i asaj Republike, Mika Tripallo, haptas përkrahte kërkesën për Kosovën republikë.

 Se si ka ardhur deri te miratimi i atyre amandamenteve dhe asaj kushtetute, këtu nuk do të zgjatemi, sepse fjalën e kemi për “Librin e Kaltër” (të Kryesisë së Serbisë), që synonte revidimin e Kushtetutës së vitit 1974 dhe kthimin e krahinave atonome vetëm në kuadër të Serbisë, pa status as elemente përbërëse të federatës dhe pa asnjë element  të shtetësisë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …