Adil Fetahu

Adil Fetahu: 7 MARSI – DITA E MËSUESIT

“Pesha e Qiellit dhe vlera e Mësuesit – nuk mund të matën” (Konfuçi)

(Mësonjëtorja e parë (publike) shqipe, Korçë, 1887)

Në kalendarin e festave zyrtare dhe atyre jozyrtare, shtetet dhe kombet e ndryshme  të botës shënojnë dhe kremtojnë data të ndryshme nga historia e tyre. Shqiptarët e festojnë 7 Marsin, si Dita e Mësuesit, dhe kjo festë, ndonëse në historinë tone shënon një ditë me rëndësi arsimore e kulturore, ka mbetur me status të festës jozyrtare. Është caktuar 7 Marsi si Dita e Mësuesit, me Vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, nr.113, datë 3 Mars 1960,  kurse në Kosovë kjo festohet prej vitit 1994. E festojmë 7 Marsin në shenj kujtimi të themelimit të Mësonjëtores së parë  publike shqipe në Korçë (7 Mars 1887). Deri atëherë, mësimi në gjuhën shqipe ishte rreptësisht i ndaluar, ndërsa në trojet shqiptare funksiononin mbi 2500 shkolla publike e private, shtetërore e fetare: turke, greke, sllave, llatine.

Hapja  publike e Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, me karakter kombëtar dhe laik, ishte një fitore e madhe dhe kjo u arrit në saje të angazhimit të një grupi të rilindasve dhe me përkrahjen e  patriotëve të vendit e të mërgatës shqiptare. Kontribut të veçantë për atë Mësonjëtore dhanë Kolonia Shqiptare dhe Shoqëria “Drita” e Bukureshtit,  që  kishte shtypur librat  e vëllëzërve Naimi e Sami Frashëri,  të cilat përdoreshin në Shkollë. Shkollën e ndihmuan  edhe  shumë aktivistë e patiortë tjerë. Korçari Mandi Tërpko e fali shtëpinë e vet për këtë shkollë. Fillimisht në atë Mësonjëtore u regjistruan 35 nxënës, kurse në vitin e dytë arriti në 300 nxënës, djemë e vajza, të të gjitha shtresave shoqërore e fetare, nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Aty mësohej, lexohej e këndohej vetëm shqip. Nxënësit e asaj Mësonjëtoreje, të edukuar në frymën e patriotizmit të Rilindjes kombëtare, do të bëheshin pasues të devotshëm të mësuesve të tyre në luftën për liri e pavarësi të vendit. Mësuesit e parë ishin Pandeli Sotiri, Thoma Sina, Thoma Avrami, etj, ndërsa drejtuesit e shquar të asaj Shkolle ishin: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe edhe në disa qytete jera shqipare, por nuk vonoi shumë kohë dhe, në bazë të propagandës klerofashiste greke, administrata turke i mbylli, kurse drejtorin e parë të Mësonjëtores, Petro Nini Lurasin e mbytën (helmuan) në Stamboll qarqet reaksionare të xhonturqve, në bashkëpunim me klrofashizmin grek dhe me Patrikanën e Stambollit.

Me rastin e hapjes së Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, Naim Frashëri shkroi këto vargje:

Hapu, hapu errësirë,

Pa jakë tëhu o dritë,

Se arriti kohë emirë,

U gdhi nata – u bë ditë!

……………………………….

Dita e Mësuesit është festë jo vetëm për Mësuesit, por edhe për nxënës e studentët dhe për qytetarët, që t’ikujtojnë me respekt mësuesit e tyre, por t’i kujtojnë edhe sakrificat e tyre prej ditëve të para të fillimit të shkollës shqipe. Mësuesi është si qiri: e shkrinë veten, për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve, thotë një urti anonime. Por, mësuesit  ishin edhe artistë të fushave të ndryshme, humanistë,  idealistë e propagandues që përhapnin idetë patriotike kombëtare.

*

Shumë njerëz kanë dëgjuar për betimin e Hipokratit, që e bëjnë mjekët kur diplomojnë, por pakkush e di se edhe mësuesit e kanë betimin e tyre (pedagogjik), që është patentuar për nevojat e UNESCO-s nga viti 1966. Teksti i betimit të Mësuesit, i hartuar nga pedagogu zvicëran Robert Dottrens (1893 – 1984), ka këtë përmbajtje:

“Betohem se:

*  Do ta kryej detyrën time me ndërgjegje dhe krenari,

* Nxënësit e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do të harroj se për fatin e tyre edhe unë  mbajë një pjesë të përgjegjësisë,

*Do ta mbroj me të gjitha mjetet ekzistuese nderin e profesionit të arsimtarit,

* Kolegët e mi çdo herë do të jenë edhe miqë të mi,

* Në bashkëpunim me ta do të përpiqëm që vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e shkollës në kuptimin efikas të njohjes së të gjitha të drejtave në edukimin dhe barazinë sociale në arsim,

* Këtë betim e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nderë.

   Betohem!”

*

Në Ditën e Mësuesit i kujtojmë mësuesit tanë prej ditës së parë të shkollës. I kujtojmë me respekt edhe mësuesit e të gjithë brezave dhe i falënderojmë ata për punën e vyeshme e të rëndësishme që kanë bërë për arsimimin tonë kombëtar, në kushte të vështira e me rrezik. Edhe personalitetet me gradat më të larta profesionale e shkencore, të çfarëdo profili e pozite që kanë arritur, i kujtojnë me respekt mësuesit e vet të parë dhe të gjitha periudhave të arsimimit të tyre.

Urime e gëzuar 7 Marsi – Dita e Mësuesit, të dashur mësues shqiptarë kudo që punoni e jetoni!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …