ADIL FETAHU: MILIARDERË,  E ‘’ZIBIDI’’ !

Fillimisht duhet ta sqarojmë kuptimin e fjalës  (mbiemrit cilësor) ‘’zibidi’, sepse shumica e lexuesve të këtij eseu nuk e dijnë, dhe as nuk mund ta gjejnë në asnjë fjalor të gjuhës shqipe të botuar deri më tash, edhepse në të folmen popullore (sidomos në Kosovë) kjo fjalë është përdorur gjerësisht, prandaj është dashur të gjendej në fjalorin e fjalëve të hueja. Nuk di nga e ka prejardhjen, ndonëse mund të supozoj se  ka mbetur nga turqishtja.  Nuk do ta gjeni as në google. ‘’Zibidi’’ (pa thojza) është një figuracion, që ka kuptimin e varfërisë së skajshme të ndonjë individi, apo të ndonjë familje, po kjo mund të vlejë edhe për shtetin, si në rastin për të cilin e kemi fjalën. Shkaqet e gjendjes së tillë janë të shumta, të cilat këtu nuk do t’i elaboroj.

Kjo gjendje ‘’zibidi’’ për të cilën e kemi fjalën këtu,  ishte krijuar nga hipërinflacioni, sidomos  në vitin 1993,  në të ashtuquajturën RFJ (Serbi e Mali Zi, që për fat të keq edhe Kosova ishte dhunshëm brenda saj). Ishte krijuar në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, në vlugun e luftës agresive, të përgjakshme dhe shkatërrimtare të ushtrisë jugosllave kundër Bosnje-Hercegovinës e Kroacisë, dhe okupimit të egër policor dhe ushtarak të Kosovës.

 Për shkak të luftës agresive që po zhvillonte ushtria jugosllave, gjoja për ruajtjen e Jugosllavisë, e në të vërtetë ishte për krijimin e Serbisë së Madhe, gjithçka ishte orientuar kah  frontet e luftës. Shpenzimet e luftës ishin të mëdha, tregu i përbashkët i Jugosllavisë prej  22 milion banorë nuk ekzistonte më, OKB i vuri sanksione ekonomike RFJ-së, fabrikat nuk kishin lëndë të parë as mjete rezervë, prandaj shumica ishin mbyllur, punëtorët ishin lëshua në pushim pa pagesë; edhe ata që shkonin në punë nuk kishin me çka të punonin. E vetmja ‘’fabrikë’’ që punonte pa ndërprerë, në tri ndërrime,  ishte Banka Popullore e RFJ, e cila shtypte para dhe ushqente e trashte inflacionin, gjithnjë duke shtuar zero (të pavlera) në bankënotat e shtypura. Pagat e punëtorëve dhe pensionet nuk kishin asnjë vlerë reale. Nuk paguheshin kontributet për sigurimin shëndetësor, pensional dhe invalidor. Sindikatat me aksione të ndryshme mblidhnin e u ndanin ndihma familjeve të punëtorëve me ndonjë metër kub dru, ndonjë thes me patate a lakra e më rrallë ndonjë thes miell.

‘’Viti i zerove të mëdha’’

 

Banka Popullore e të ashtuquajturës RFJ punonte pandërprerë, duke shtypur banknota e monedha pa kurrëfar vlere reale. Më tepër kushtonte çmimi i letrës në të cilën shtypeshin banknotat, se sa ishte vlera e saj reale. Zerot shtoheshin në secilën shtypje dhe emetim.  Hiperinflacioni zgjati dy vjet (1992-1993), por në tremujorin e fundit të vitit 1993, e deri më 24 janar 1994, kishte arritur rekordin botëror!

Për ta ilustruar atë gjendje, shihni tabelën e shtypjes dhe emetimit të apoenave të dinarëve në periudhën 1 tetor deri më 23 dhjetor 1993*).

Data e emetimit Vlera nominale  Vlera në DM   Rënia e vlerës deri në

emetimin tjetër

1.X.1993 10.000 dinarë 3,85 DM 1,33 DM

12.XI.1993 5.000.000 d. 5,5     ‘’ 0,66   ‘’

23.XI.1993 50.000.000 d. 6,6      ‘’ 0,91    ‘’

 2.XII.1993 500.000 000 d. 9,09 ‘’ 0,08    ‘’

11.XII.1993 5.000 000 000 d. 8,33     ‘’ 1,25    ‘’

15.XII.1993 50.000 000 000 d. 12,50   ‘’ 0,38    ‘’

23.XII.1993 500.000 000 000 d. 3,85      ‘’   –

*) Burimi: Banka Popullore e RFJ-së.

Gjatë dy vjetëve të hiperinflacionit, Banka Popullore e ‘’Jugosllavisë’’ ka emetur e lëshuar në qarkullim 33 tipa të bankënotave dhe të monedhave; mesatarisht nga 4 lloje parash në muaj, ndërsa banknota me vlerë më të madhe  nominale në dinarë ka qenë ajo me 500.000 000 000 (pesëqintmiliard) dinarë, e emetuar më 23 dhjetor 1993.  Prandaj, viti 1993 mori emrin ‘’Viti i zerove të mëdha’’!

(Foto-faksimili i bankënotës)

Siç shihet nga tabela e mësipërme, vlera e bankënotës prej 50 miliardë dinarëve, e shtypur dhe lëshuar në qarkullim për pagesa të brendshme më 15 dhjetor 1993, ditën e lëshuarjes në qarkullim, sipas kursit zyrtar,  ishte e barabartë me 12,50 DM, por pas një jave (më 23.XII.1993) i kishte rënë vlera në 0,38 DM ! Mund ta merrni me mend, se për të konvertuar 100 marka në dinarë, mbushej një thes me dinarë të pa vlerë, bëheshe  multimiliarderë (me zero)!  Por, askush nuk i konvertonte 100 marka përnjëherë, veçse maksimalisht 10 marka, sepse vlera e dinarit binte disa herë në ditë!  U arrit  absurdi: sa më shumë dinarë, varfëria më e madhe!

Kursimet devizore që kishin qytetarët nëpër banka, ishin ngrirë, nuk mund t’i merrnin, përveç ndonjë rasti me lidhje të forta korruptive. Ata që kishin deviza në shtëpi, i shpenzonin ato për të mbijetuar krizën e inflacionit. Kështu shteti plaçkiste popullin e grumbullonte deviza për të financuar shpenzimet e luftës. Në skenë dolën bankat piramidale: Dafiment banka dhe Skandik banka, të lidhura me pushtetin, të cilat blenin e mblidhnin deviza (kryesisht DM), me çmime më të larta se ato të rrugës. Për të grumbulluar sa më shumë deviza, u hap procesi i shitjes së banesave shoqërore, me çmime  ‘’bagatellë’’, përmes shit-blerjes zhirale të devizave: qytetarët ia shitnin bankës devizat, banka ua konvertonte në dinarë me të cilët paguanin blerjen e banesave. Me 500 DM mund ta blejë banesën dydhomëshe në qendër të qytetit, ndërsa një garsonjerë mund ta blejë me më pak se 100 DM!

Dinari ‘e hante vetveten’!

Duke u përpjekur, më kot, për ta stabilizuar valutën dhe ndalë inflacionin, prej korrikut 1992 deri në janar 1994, tri  herë është bërë denominimi i valutës së dinarëve, duke e këthyer 1 milion, madje edhe 1 miliard = në 1 dinarë ! Por kot. Me atë denominim nuk arrihej asgjë, dhe inflacioni fugonte rrugës së vet. 

Në janar 1994 çmimet u rritën 313 563 558 % , ndërsa kursi i dinarit ndaj markës gjermane u rrit 40.540.440 %! Këto shifra marramendëse mund t’i kuptojnë  e shpjegojnë vetëm ekonomistët më të përgatitur të makroekonomisë.

Hipërinflacioni i këtillë shkaktoi varfërimin e skajshëm, ‘’zibidinë’’ e popullatës në Serbi e Mal të Zi, por edhe shteti ishte në prag të falimentimit. Në Kosovë është ndier  më pak ajo varfëri, falë ndihmave dhe remitencave të puntorëve tanë në botën e jashtme, të cilët u dërgonin  familjeve të tyre  valuta: marka germane, franka zvicërane, funta angleze. Pagat  që merrnin (në marka gjermane) punonjësit e arsimit apo ata të shëndetësisë, nga sistemi i financimit në Kosovë gjatë vitit 1992 e 1993, ishin dhjetëfish ose më tepër, se pagat e kolegëve të tyre në Serbi. Kryetarja e Sindikatës së Arsimit të asaj kohe në Serbi (Jellena Hristodullo), tregon se arsimtarët e Gjimnazit 12 të Beogradit, në fillim të janarit 1994 kishin marrë rrogën në vlerë 1,5 (një markë e gjysëm)!.

Ndihej mungesë e madhe e artikujve të nevojshëm, duke filluar prej nafte e benzine deri te mielli, buka e qumështi, e të mos flasim për kafe, sheqer, cigare, detergjente.  Shumë artikuj shiteshin në sasinë e caktuar me triska, poqese mund t’i gjeje në shitore,  sepse raftet e shitoreve ishin fshirë me fshisë. Kush kishte pasur mundësi, kishte krijuar rezerva deri sa gjendeshin artikujt.  Tregtia në tregjet e qyteteve  zhvillohej  kryesisht me këmbimin  e mallit me mall (trampi). 

Deri sa të  qëndroje në radhë, prej orës 4 të mëngjesit,  për të blerë bukën ose qumështin,  çmimi i tyre ndërrohej dy-tri herë!  Në nëntor 1993, rroga mesatare në atë ‘’Jugosllavi’’ ishte 130 milionë dinarë, ndërsa pensioni mesatar 50 milion dinarë.Në janar të vitit 1994 ato u ngritën në miliarda, por pa asnjë vlerë. Me pensionin më të lartë që merrje, pas dy dite mund të bleje 2 qese supë, një laps të thjesht kimik, ose një sapun, nëse mund t’i gjeje në shitore. Ja dhe çmimet e disa artikujve tjerë:

1 bukë (600 gramësh) kushtonte 3,5 milion dinarë

1 litër qumësht, 4,5 milion dinarë

1 kg suxhuk, 500 milion dinarë

1 kg  patate, 25 milion dinarë

1 kg molla, 20 milion dinarë

1 ve, 10 milion dinarë, etj.!!!

Më 18 janar 1994, ishte përcaktuar me dekretligj, se shuma maksimale e një çeku për pagesën me çek, mund të ishte 10 milion dinarë, dhe po atë ditë për të blerë 1 kilogram mish, duhej plotësuar 27 çeqe, ngase 1 kg. mish kushtonte 270 milion dinarë. 

Deri sa Serbia, me ushtrinë e ish-Jugosllavisë, në të cilën dominonte kuadri komandues serb, me luftë agresive shkatërronte ish-republikën e Kroacisë dhe të Bosnje-Hercegovinës për të realizuar idenë e Serbisë së Madhe,  në anën tjetër, duke shtypur para pa vlerë reale, shkatërronte ekonominë e vet dhe standardin e popullsisë. 

Ndërprerja e hipërinflacionit

Hiperinflacionin e ndali si me shkop magjik Dragosllav Avramoviqi, me ‘’Programin e rikonstruimit monetar dhe shërimit të ekonomisë’’, me ç’rast e fiksoi dhe barazoi vlerën e dinarit me markën gjermane: 1 dinar = 1 DM. Ky raport nisi zbatimin prej më 24 janar 1994. Dinarin e bëri të konvertueshëm. Dinarët e vjetër i mblidhte  dhe hiqte nga qarkullimi, duke i konvertuar me dinarin e ri: 130.000 000 dinarë të vjetër, për 1 dinarë të ri. Deri në korrik u mblodhën dhe u tërhoqën nga qarkullimi të gjithë dinarët e vjetër. Dinarin e ri populli e quante ‘’Avram’, kurse vet Avramoviqin e qunte ‘’Deda Avram’’, duke asocuar në ‘’Deda mraz’’, pak nga dashuria, pak nga humori.  

Avramoviqi (1919 -2001) ishte një ekspert financiar, që kishte punuar kohë të gjatë në FMN dhe në Bankën Botërore dhe kishte përvojë në punët financiare dhe në krizat e inflacionit në shtete të ndryshme.  Më 2 mars 1994 u emërua guvernator i Bankës Popullore të ashtuquajturës RFJ, dhe pas pak  kohe edhe anëtar me korespondencë i AShAS. Por, me qenë se si guvernator nuk lejonte shtypje të parave sa i nevojiteshin regjimit, më 15 maj të vitit 1996,   Kuvendi i të ashtuquajturës Jugosllavia Federale e shkarkoi nga detyra e guvernatorit dhe praktikisht e përzunë nga ‘’Jugosllavia’’.

Kjo ishte politika e udhëheqjes  së atëhershme të Serbisë e Malit të Zi. Politika, partitë dhe njerëzit që ishin në pushtet atëherë, edhe tash janë në pushtet në Serbi, qoftë me emra të njëjtë apo të ndryshuar. Pionerët e zellshëm të asaj udhëheqje: Vuçiqi, Daçiqi, Vullini e  shumë të tjerë, edhe sot e vazhdojnë politikën e njëjtë, për Serbinë e Madhe,  vetëmse në kushte e  rrethana  tjera më të volitshme dhe pa hiperinflacion. 

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …