Selinë e Radios dhe të Agjencisë e vizitojnë personalitete të larta të SHP të UÇK-së në mesin e tyre edhe komandanti, Azem Syla, 24 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Selinë e Radios dhe të Agjencisë e vizitojnë personalitete të larta të SHP të UÇK-së në mesin e tyre edhe komandanti, Azem Syla, 24 janar, 1999

Si zakonisht zgjohem herët nga gjumi, Meqë shumica zgjohen një orë më vonë, për të mos bërë zhurmë dhe për të mos ua nxjerrë gjumin të tjerëve, mbetem në shtrat. Sa herë zgjohem me kaplon një ndjenjë e çuditshme fataliteti. Shumë vështirë e marr veten, kur mendoj se ku jemi dhe në çfarë rreziqe permanente jemi futur. Edhe pse i besoj fitores dhe rezistencës të vendosur të ushtarëve tanë trima, edhe pse nuk dyshoj në fitore, megjithatë ka çaste kur më kaplon një pesimizëm tejet i vrazhdë, që mbi të gjitha është pasojë e mungesës së organizimit të mirëfilltë në radhët tona.

Mjerisht, ende jemi ata që kemi qenë, dimë t`i bëhemi pengesë njëri tjetrit, dimë të shtyhemi më bërryla, dimë në mënyrë të vrazhdë t`i imponohem fare pa shkas dhe pa ndonjë arsye të fortë. Secili e mendon veten më të zotin dhe më të dijshëm se tjetri. Nëse hesht, të shkelin. Nëse e thua troç të vërtetën dhe ajo e vërtetë i prek sedërtarët atëherë rrezikohesh.

O zot! O zot!

Vetëm kur zgjohen të gjithë, dhe fillon ritmi ditor me ndezjen e stufës, të cilën gjithnjë në kohë të caktuar, pa bërë asnjë zhurmë e ndez Rizah Berisha,  apo vëllai i tij Milaimi zgjohem nga shtrati dhe i largoj mendimet pesimiste. Nuk më pëlqen kur Milaimin e quajnë  Mili, por më vjen keq t’ ua them.

Sot kemi shumë informacione dhe materiale të ndryshme. Martin Çuni ka incizuar disa biseda në familjet e dëshmorëve në Krojmir, të cilat do të emetohen sot. Nezir Myrtaj, si zakonisht përveç angazhimeve të tjera ka hartuar një koment lidhur me zhvillimet aktuale.

Isë Krasniqi, dje ka qëndruar në Likoc, me rastin e lirimit të nëntë ushtarëve tanë nga ushtria okupatore. Ai ka përgatitur një raport tonik me biseda nga të sapoliruarit.

Ndërkohë, rreth mesditës në seli kanë ardhur: Azem Syla, aktualisht Komandant i Shtabit të Përgjithshëm, pastaj Hilmi Ramadani, Fatmir Xhelili. Pak më vonë kanë ardhur edhe Idriz Hyseni, Adem Grabovci. Në bazë të bisedës kuptoj se Azem Syla kësaj radhe do të qëndrojë një kohë më të gjatë në Kosovë.

Ahmet Qeriqi: Kështu foli Azem Syla, pak për veten e shumë për të tjerët

Ndërkohë do të përpiqem që ta takoj dhe të bisedoj për një mori problemesh. Mirëpo, atë nuk është e mundshme ta takosh vetë. Të kërkosh takim në katër sy, e bën punën me dyshim dhe bashkëbiseduesin e vë në pozitë të keqe. Po ashtu nuk jam fort i sigurt se Azem Syla ushtron ndonjë ndikim të veçantë në kreun e Shtabit, meqë ai vjen vetëm kohë pas kohe dhe nuk mendoj se i di të gjitha rrjedhat. Krejt kjo varet kush dhe si ia interpreton ato.

Azemi me të tjerët kanë qëndruar një kohë dhe pasi jemi përshëndetur janë larguar në drejtim të Shtabit në Divjakë.

E kemi përgatitur dhe si zakonisht e kemi transmetuar me kohë edhe programin e sotëm ditor.

Në rrugë deri te vend-emetimi zakonisht shkojnë kryetekniku, Valdet Hoti, atë e ndihmojnë Rizah Berisha, Nusret Pllana e të tjerë. Me ta është kurdoherë Fadil Berisha Komandant i Njësisë  së Berishës, një luftëtar i paepur i lirisë, i cili nuk pushon ditë as natë. Pa njësitin e tij nuk arrijmë dot ta heqim as borën nga rruga.

Para nisjes në xhip vendoset transmetuesi, mikseta, deku i emetimit, pajisje të tjera të nevojshme dhe gjeneratori. Kur ndodh që rruga është e zënë nga dëbora, paraprakisht atë e pastrojnë ushtarët por edhe Rizahu me ndonjë nga kushërinjtë apo vëllezërit e tij.

Pas  transmetimit të programit, Martin Çuni, Agroni, Kastrioti dhe unë lëshohemi grykës teposhtë drejt vendit ku na pret Ali Mullini.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Takim në rrugë me Muhamet Lladrovcin, babanë e dëshmorit të kombit Fehmi Lladrovci (E hënë 10 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Takim në rrugë me Muhamet Lladrovcin, babanë e dëshmorit të kombit Fehmi Lladrovci (E hënë 10 maj, 1999)

Moti ka filluar të përmirësohet. Gjelbërimi është shtrirë në të gjitha poret e natyrës. Dushku …