Agim Sylejmani

Agim Sylejmani: Derisa ne merremi me problemet e Turqisë, qeveria e korruptuar po i jep toka Malit të Zi

Sot ngado të kthesh kokën do shohësh gazeta që shkruajnë me tituj bombastikë për ngjarjet në Turqi. Lësho cilindo kanal televiziv në gjuhën shqipe, atë punë bëjnë, merren vetëm me problemin e Turqisë. Futem në portale në gjuhën shqipe, po e njëjta gjë.

Shfletoj rrjetet sociale në gjuhën shqipe dhe mendja të shkon se shqiptarët i kanë zgjidhur të gjitha problemet e veta dhe s’iu ka ngelur gjë tjetër pos të flasin për Turqinë dhe ngjarjet më të reja atje. Bile tek rrjetet sociale bie në sy dukuria e gjurmimit me afsh për artikuj që shkruajnë për ngjarjet më të reja në Turqi dhe për t’i postuar ato pastaj në faqet e tyre të rrjetit social. Thuajse i gjithë fati i globit është i lidhur me fatin e Turqisë. Dhe jo krejt rastësisht bëhet kjo. Jo rastësisht rri dikush nën hije dhe stimulon këtë fenomen të kohës. Jo rastësisht dikush dëshiron pikërisht një sjellje dhe një “brengë” të tillë të shqiptarëve dhe pikërisht në këto ditë të nxehta të politikës së verës që po luhet gjithandej në trojet shqiptare.

Derisa unë, ti, ai tjetri e ajo tjetra merremi me problemin e Erdoganit dhe të Turqisë, qeveria e korruptuar, kriminale dhe më se antikombëtare në Prishtinë është duke ia prerë Kosovës rrobat e reja të kufirit. Bile si tërthorazi, ashtu në heshtje dhe sikur pa zë, ministri i punëve të jashtme, Enver Hoxhaj tha se së shpejti, brenda dy viteve, do të bëhet edhe demarkacioni i kufirit me Serbinë! Pra, thoshte ai në mes rreshtave, ky demarkacion i kufirit me Malin e Zi nuk është asgjë në krahasim me atë me Serbinë, prandaj miratoje shpejt e të lëvizim më “lirshëm” për të bartë më lehtë paratë e vjedhura. E sa shkruan mediet shqiptare për këtë? Sa artikuj shpërndanë shqiptarët në rrjetet e tyre sociale për këtë ogur të zi për Kosovën?

Pra, kjo qeveri kriminale  e di mirë që tani se ku do të jenë kufijtë me Serbinë. Prandaj edhe gjithë kjo fushatë mbi njerëzit e thjeshtë që të merren me problemet aziatike, në kohën kur krejt në heshtje do vendoset fati i dhjetëra e mijëra hektarëve tokë të Kosovës, e cila do u dhurohet (shitet!) atyre që këtë tokë e dogjën dhe përvëluan ndër shekuj.

Ne duhet të jemi më syhapur dhe koherentë me situatat që po përjetojmë në nënqiellin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare të pushtuara, e sidomos me situatat që do të ballafaqohemi shumë shpejt. Andaj ne duhet të merremi me problemet tona të pazgjidhura kombëtare e jo me ato të Turqisë.

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …