Agim Vuniqi: Mjaft është, mjaft!

Detyrimisht në rast të mbylljes së kufirit me Serbinë që do të pasonte pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të hapen kufijtë me Shqipërinë, për të hulumtuar rrugë të reja të furnizimit, sidomos lidhjet me tregun evropian përmes portit të Durrësit me Brindizin, dhe portet tjera italiane, duke siguruar lidhjet e natyrshme me tregun evropian, si treg stabil për sigurimin e mallrave në të ardhmen.

Thirrjet e shpeshtuara të diplomatëve evropianë, por edhe të diplomatëve amerikanë, përfshirë edhe Hollbrukun, i cili i njeh shumë mirë politikanët vendorë, nga hapësira para OKB-së ku mbaheshin demonstratat paqësore të shqiptaro- amerikanëve, në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës për të ndërtuar sa më shpejt institucionet përfaqësuese. Nuk duhet pritur shumë kohë, për të realizuar premtimet e përsëritura nga partnerët euro-amerikanë për pavarësinë e Kosovës, pas zvarritjes të procesit përmbyllës të aranzhuar nga rusët, të cilëve iu plotësuan të gjitha kërkesat për vazhdimin shtesë të bisedimeve, për të gjetur një zgjidhjeje të përafërt me modelin që do të kënaqte pak a shumë dëshirat e serbëve.
Bisedimet përfundimisht dështuan, pas procesit të mundimshëm të negociatave shtesë, duke hapur dyert për shpalljen e njëanshme apo arritjen e konsensusit ndërmjet evropianëve, amerikanëve dhe rusëve, duke adresuar raportin përmbledhës të “treshes” ndërkombëtare në OKB.
Edhe pse kryetari bëri publikisht nominimin e Thaçit për kryeministër, ai ende nuk ka arritur të gjejë formulën e koalicionit për formimin e qeverisë stabile të Kosovës. Në procesin e bisedimeve përveç Thaçit, i cili është nominuar zyrtarisht janë kyçur edhe zyrtarë tjerë të lartë të PDK-së, për të thurur rrjetin konsensual.
Duke u përballur me kohën që është shumë e shkurtër, por edhe me kërkesat e ndërkombëtarëve për një koalicion gjithëpërfshirës, që pak a shumë janë në kolizion me ato të kryesisë së PDK-së, Thaçit i mbetet të balansojë të gjitha kërkesat, me qëllim të marrë vendimin meritor për të propozuar kabinetin qeveritar me emrat e ministrave të rinj, të cilët do të duhej të jenë të kualifikuar, për të përmirësuar imazhin e qeverisë së mëhershme, e cila kishte sharruar në ujërat e turbullta të korrupsionit.
Prandaj do të ishte i domosdoshëm konstituimi i Kuvendit, i dalë nga votat e votuesve më 17 nëntor, dhe konstituimi i të gjitha institucioneve përkatëse, përfshirë edhe dhënien e besimit kryeministrit dhe aprovimin e programit qeveritar, si njëra nga prioritetet e deputetëve të cilët fituan nga një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Kjo nuk është vetëm detyrë që pason nga përshkrimi i vendeve të reja të punës, por është parapërgatitje për marrjen e vendimeve me rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për Kosovën por edhe më gjerë, meqenëse çdo vendim do të jetë i koordinuar me faktorin ndërkombëtarë, i cili ka vendosur të ushqejë lokomotivën e pavarësisë me energji të mjaftueshme termike të liruar nga avulli i liruar i diplomatëve nga takimet e shumta të euro-amerikanëve, në shumë nivele.

Vrapimi pas datave, kur do të shpallet pavarësia, është më tepër retorikë e shterur sesa realitet i njëmendtë. Nuk është edhe keq që bëhet trysni në faktorët ndërkombëtarë të vendosjes, por edhe në ata vendor, sepse kështu ka një dinamizëm në prononcimet e diplomatëve evropianë, para marrjes së nismës së përbashkët për të siguruar premtimin shumë të rëndësishëm për shtyrjen përpara të realizimit të vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Siç shihet menjëherë pas përfundimit të bisedimeve të Prishtinës zyrtare dhe Beogradit, kanë filluar nga evropianët të thuren strategjitë e përbashkëta me qëllim të unifikimit të qëndrimeve të përbashkëta, të cilat janë në korrelacion me qëndrimet amerikane, meqë nuk është tash në pyetje zgjidhja finale e statusit, sa janë principet në të cilat do të bazohet ajo. Është më tepër shtyrje përpara dhe presion në KS që të gjendet një modus për kapërcimin e situatës së shpalljes unilaterale dhe pranimit unilateral, që do të shoqërohej me probleme të vazhdueshme në zonat konfliktuoze përgjatë globit.
Si duket evropianët kanë gjetur zgjidhje për çfarëdo situate të mundshme, duke pretenduar që çështjet të zgjidhen brenda rregullave të OKB-së, që është shumë e favorshme edhe për kosovarët, të cilët janë të molepsur nga pritja, por jo aq shumë sa të marrin vendime të ngutshme, që nuk do të ishin aq efikase.
Sigurisht që Ban Ki Mun do të referojë për përpjekjet e palëve për të gjetur zgjidhje që realisht nuk janë të mundshme të pranohen nga palët, të cilat janë në pozita të betonuara, njëra për pavarësi, ndërsa tjetra për autonomi. Meqë Kosova edhe më herët kishte statusin autonom, doli se ideja për autonomi është krejtësisht e dështuar, ngaqë Serbia shkeli kapitullin VII të OKB-së duke rrezikuar paqen botërore, ajo shkatërroi pasurinë e luajtshme dhe paluajtshme në Kosovë, dhe aranzhoi hapa ekstrem të dëbimit të dhunshëm të popullatës vendore, veprime këto mizore që ishin në kundërshtim me ligjet e të drejtës ndërkombëtare.
Si duket Serbia nuk ka mësuar asgjë nga pësimet e mëhershme të bombardimit të caqeve ushtarake, sa do të përballet tash me diplomacinë botërore të udhëhequr nga euro-amerikanët. Është shumë e gabueshme retorika e përdorur e kërcënimit, ngase ajo mund t’i shkaktojë dëme të pariparueshme Serbisë, së pari, e më pastaj Kosovës, por e cila fatmirësisht është e kufizuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë, kështu që do të ndërrohet rruga e furnizimit, që është një gjë shumë e mire, sepse detyrimisht po hulumtohen rrugë të reja të furnizimit, sidomos lidhjet me tregun evropian përmes portit të Durrësit me Brindizin, por edhe me portet tjera italiane, duke siguruar lidhjet e natyrshme me tregun evropian, si treg stabil për sigurimin e mallrave në të ardhmen.
Tash për tash lufta diplomatike është duke u zhvilluar në kalimin e rezolutës për instalimin e EUMIK-ut në Kosovë, duke mos lëvizur fare forcat e NATO-s nga Kosova, përkundrazi me kërkesë të shtuar të rritjes së kontingjentit të ushtarëve nga Aleanca veri-atlantike , që do të zbuste retorikën kërcënuese të Beogradit, por edhe do të shtonte sigurinë e brendshme në Kosovë. Sidoqoftë Kosova ka hyrë në rrugën e pakthyeshme të pavarësisë dhe asgjë nuk do ta lëkund nga kjo rrugë me shekuj e shumëpritur.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e lëshojnë sallën e Kuvendit, nuk marrin pjesë në votime

Në Kuvendin e Kosovës. në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore, pasi deputetët …