leoni

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s, kanë sulmuar njësitë e motorizuara serbe në lëvizje (E shtunë 10 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s, kanë sulmuar njësitë e motorizuara serbe në lëvizje (E shtunë 10 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi larguar nga selia në Berishë. Shtëpia është identifikuar dhe shihet mjaft mirë nga pozicionet serbe. Ata do të godasin derisa ta shohin se e kanë shembur. Kemi shkuar drejt Zabelit me xhip dhe atje jemi vendosur në rrugën, për në Pallanik. Matrini ka shkuar në selinë e Agjencisë për të marrë vetë informacione, ndërsa unë dhe Neziri kemi përcjellë zhvillimet në terren, përmes tranzistorëve.

Për emisionin e sotëm përveç lajmeve kemi përgatitur një shënim dhe një koment.

Bëhet e ditur se aeroplanët e NATO-s në Drenicën Qendrore kanë goditur një njësit të motorizuar serb. Ka gjasa që NATO-ja t`i intensifikojë bombardimet edhe gjatë ditës, meqë deri tani ajo ka sulmuar vetëm gjatë natës dhe kryesisht në objekte ushtarake ekonomike dhe shtetërore.

Sot janë zhvilluar luftime edhe në hyrje të fshatin, Luzhnicë. Rreziku kryesor për të depërtuar serbët në këto anë ekziston pikërisht nga drejtimi i Qafës së Duhles, që është njëra ndër pikat më të forta dhe më strategjike të ushtrisë okupatore serbe.

Programin e kemi përgatitur dhe e kemi transmetuar me kohë. Martini  ka sjellë disa informata të cilat i ka marrë në agjencinë Kosovapres. Nusreti të gjitha materialet i ka lexuar drejtpërdrejt nga  studioja e bunkerit.

Në orët e mbrëmjes kemi hetuar lëvizje të forcave të motorizuara armike nga Malisheva  dhe Kieva në drejtim të Grykës së Llapushnikut. Me rastin e fillimit të bombardimit të aeroplanëve të NATO-së kundër njësive në lëvizje, forcat serbe kanë filluar t`i ndërrojnë pozicionet për shkaqe taktike.

Në mbrëmje si zakonisht kemi shkuar në shtëpinë e Rizës. Në podrum kemi ngrënë bukë dhe sapo kishin filluar të shtriheshin dhe të pushonim, meqë  gjatë tërë ditës kemi qenë në lëvizje, papritmas u dëgjuar dy shpërthime tejet të fuqishme krejt afër selisë. Jemi ngritur me shpejtësi dhe përnjëherë jemi larguar në drejtim të zabelit. Pas pak janë dëgjuar edhe shpërthime të tjera të predhave të minahedhësve të armikut, të cilët e kanë vënë në shënjestër selinë. Nga detonimi i fuqishëm janë thyer xhamat e dritareve.

Kemi qëndruar afër dy orë në zabel.

Pasi ka pushuar granatimi jemi kthyer në bodrum. Bëhet me dije se serbët kanë granatuar në pozicionet e luftëtarëve tanë në Arllat,në lagjen e xhamisë, të Bytyçët, të Tërpezë dhe në Fshat të Ri. Forca armike po vepron në mënyrë taktike. Sapo të konsiderojë se forcat tona janë të lodhura apo pa municion, ata do të mundohen me çdo kusht të depërtojnë në Rrafshnaltë.

Ditë më parë kryevrastari çetnik Sheshel, është zotuar se së shpejti do të pijë kafe në malet e Berishës, ndërsa gjenerali Ojdaniq ka premtuar se në këtë male do të ngrihet një fushë e madhe e futbollit…

Gjatë orëve të natës, forcat e Aleancës ushtarake Veriatlantike kanë sulmuar shumë pozicione ushtarake dhe ekonomike të Serbisë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Gjatë tërë natës dhe paradite ka rënë shi pa ndërprerë. Binte sikur me rrëshek. Frushkujt …