Ahmet Qeriqi: Aeroplanët e NATO-s, gabimisht sulmojnë popullatën e dëbuar shqiptare në afërsi të Gjakovës (E enjte 15 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Aeroplanët e NATO-s, gabimisht sulmojnë popullatën e dëbuar shqiptare në afërsi të Gjakovës (E enjte 15 prill, 1999)

Lajmet  që shkëpusim nga agjencitë e huaja dhe nga terreni bëjnë të ditur se edhe sot po vazhdon një valë e dëbimit të popullatës civile në drejtim të Shqipërisë. Shumica prej tyre janë të detyruar të ecin këmbë meqë nuk kanë mjete transportuese.

Kolonat me të dëbuar i shohim në magjistralen, Prishtinë- Pejë. Me mijëra kanë parakaluar nëpër Komaran Arllat dhe janë nisur në drejtim të Kijevës, prej nga ku nëpër Rakovinë ose nëpër ndonjë rrugë tjetër depërtojnë në Gjakovë dhe tutje drejt kufirit.

Po sot ka ndodhur një tragjedi e rëndë në mesin e të dëbuarve në një rrugë afër Gjakovës. Derisa kolona me të zhvendosur ndodhej në parakalim duke qenë se në kolonë janë vërejtur edhe transportues ushtarakë jugosllavë  aeroplanët e NATO-s kanë goditur në mesin e turmës që po rrugëtonte drejt Shqipërisë dhe kanë vrarë dhjetëra e ndoshta edhe qindra shqiptarë. Ka gjasa se serbët detyrimisht i kanë vendosur shqiptarët nëpër kamionët e tyre.

Burimet serbe të informimit fajësojnë NATO-n se ka goditur qëllimisht popullatën civile, ndërsa burimet e NATO-s ende nuk kanë dhënë sqarime lidhur me këtë aksident të rëndë. Sido qoftë kanë pësuar shqiptarët e shkretë duke u munduar të shpëtojnë nga kthetrat e serbit.

Sot, në vendbanimin tonë të ri në Rrezen e Baliqit kanë ardhur për të na parë Hilmi Ramadani dhe mjeku,   Fatmir Xhelili

Pasi e kemi përgatitur emisionin për transmetim, së bashku me Nezir Myrtajn  Hilmiun dhe Fatmirin jemi nisur për në Krojmir.

Ikjes së shqiptarëve nga Kosova po i jep hov edhe një klasë e gazetarëve frikacakë,  të cilët  po shpifin se gjoja serbët po i vrasin të gjithë intelektualët shqiptarë.

Klasa politike pacifiste është shthurur. Ajo tanimë iu ka lëshuar fatit dhe nuk bën as përpjekjen më të vogël për t u paraqitur në opinion publikisht. Vetëm Ibrahim Rugova me familje është mbyllur në shtëpinë e tij në Velani, të cilën sikurse thuhet po e mbrojnë forcat serbe.

Popullata shqiptare po përjeton ditë tejet të rënda. Ikja  është tmerrshme, meqë në këtë mënyrë  politika antishqiptare serbe po e realizon pjesën esenciale të projektit për spastrimin etnik të Kosovës. Komentet serbe në këtë drejtim para botës po e mbrojnë tezen se Kosova qenka serbe dhe shqiptarëve po iu ikë nën këmbë  toka e huaj. Sipas tyre, ata po shkojnë atje nga ku kanë ardhur në të kaluarën.

Popullata e zhvendosur në anën tonë po e sfidon projektin serb për zbrazjen e Kosovës. Të gjithë ata që janë përcaktuar për të qëndruar në zonat,  që i mbanë ë nën kontroll UÇK-ja, e kanë ndarë mendjen me kohë. Më  mirë qoftë edhe i vdekur në atdhe se sa rob nëpër dyer të botës.

Në Grykën e Shpëtimit në Krojmir për ditë po vijnë të zhvendosur të tjerë sidomos nga disa fshatra të rrethit të Blinajës. Tani për tani këtu është koncentruar popullata më e madhe numerikisht  e zhvendosur në tërë territorin e Kosovës.

Në mbrëmje pas një rrugëtimi tri orësh së bashku me Nezir Myrtajn kemi arritur në Grykë. Kthimi në grykë nuk na lodh gjithaq sepse rruga gjithnjë është në tatëpjetë, ndërsa rruga e kthimit prej Grykës deri në Berishë është shumë e mundimshme…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Gjatë tërë natës dhe paradite ka rënë shi pa ndërprerë. Binte sikur me rrëshek. Frushkujt …