Ahmet Qeriqi: Bisedë për preokupime të përditshmërisë (E diel 13 shtator 1998)

Ahmet Qeriqi: Bisedë për preokupime të përditshmërisë (E diel 13 shtator 1998)

Ditë tipike e vjeshtës. Sa diell, sa shi i imët. Moti i ndryshueshëm që nuk na lë vend askund. Por, nuk ankohemi, tanimë jemi mësuar dhe pak duke shpresuar pak duke mos pasur se kah t`ia mbajmë, po  përballojmë këto ditë të rënda si tunxhi, me besim në të drejtën dhe në fitore.

Herë-herë dëgjohen krisma të granatimeve me minahedhës në drejtim të fshatrave të Podgurit. Ndonjë nga predhat depërton sipëri nesh edhe në drejtim të luginave, ku ka banorë të zhvendosur.

Sot në orët e pas ditës  jemi tubuar në tendën e Isë Qeriqit, vëllai i Luanit dhe kemi biseduar gjerë e gjatë për shumë probleme që na preokupojnë. Angazhimi ynë primar është ruajtja me çdo kusht e popullatës nga ndonjë ofensivë e mundshme. Përderisa serbët nuk tërhiqen apo nuk i detyrojmë të tërhiqen nga pika te Godenët, nuk guxojmë të lejojmë që familjet të kthehen nëpër shtëpi, sepse nga ajo pikë mund të na ndërpresin lëvizjet në drejtim të perëndimit. Problem primar është edhe sigurimi i ushqimeve për popullatën në periudhën e dimrit. Ndihmat humanitare ndalojnë në Shalë, dhe krejt kjo bëhet me qëllim të bllokadës. Luani mendon se ka ardhur koha kur duhet të ndëshkohen ata që po bëjnë veprime të tilla. Mirëpo nëse ata i ndëshkojmë, edhe ashtu ndihma do të ndalet nga qendra e Nënë Terezës, kështu që nuk fitojmë gjë.

Duhet bërë përpjekje që sasinë e grurit ta bluajmë në mulli të Ismet Asllanit, në Hallaq. Ismeti edhe ashtu po e mbanë gjall popullatën jo vetën te ne po kudo në Kosovë me mullinjtë e tij. Ai na ka ndihmuar dhe na ndihmon me miell. Ismeti po e furnizon me miell edhe Zonën Operative të Neredimës.

Në mbrëmje filloi një erë e shkundërmuar dhe pa vonuar ia filloi shiu. Koha po ftohet dhe gjendja të tenda është bërë e padurueshme, mirëpo kthimi në fshat mund të sjellë rreziqe të paparashikueshme.

Heset Hamdiu më ka dhuruar një pallto dimri. Ai vazhdimisht tregon interesim për të më ndihmuar sidomos mua dhe familjen time.

Në kohën kur po pushoja në tendë kanë ardhur për të ndejtur, Reshat Gashi, Naser Bytyçi, Musa dhe Faruku. Pak më vonë ka ardhur edhe mësuesi, Imer nga Caraleva me dy ushtarë të tjerë. Ai për disa ditë ka qëndruar në Zonën e Neredimës dhe tregon se kjo zonë është përforcuar me ushtarë të shumtë dhe me armatim. Në mesin e atyre që angazhohen maksimalisht ka veçuar komandant Çerçizin i cili  ka konsoliduar radhët sidomos në Rancë, Reçak, Petrovë e Mollapolc. Imeri na bën me dije se edhe në Zonën e Neredimës popullata civile po ballafaqohet me të njëjtat probleme.

Gjatë natës janë dëgjuar të shtëna në drejtim të Javurit dhe të Caralevës.

Si duket ushtarët serbë nuk ndihen të sigurt dhe krejt këto manovrime i bëjnë për të treguar prezencën dhe për të bërë presion mbi popullatën e zhvendosur.

Nga lajmet e mbrëmjes bëhet e ditur se në Shqipëri kanë filluar përplasjet në mes të Salih Berishës dhe Fatos Nanos, këtyre dy bijve plangprishës të Shqipërisë. Ka rrezik që vëmendja e opinionit ndërkombëtar të zhvendoset nga ngjarjet në Kosovë, në Shqipëri. Si duket serbët përmes grekërve kanë ndërmarrë masa që ta destabilizojnë Shqipërinë me qëllim që Kosova të mbetet në margjinë të interesimit të forcave përparimtare ndërkombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet. Edhe pse ky despot i çmendur …