Adem Demaci

Ahmet Qeriqi: Cilët ishin dëshmitarët mbi të dhënat e të cilëve u formulua dhe u zyrtarizua aktakuza kundër Adem Demaçit, në vitet 1958-1959 VI

Veprimtaria atdhetare e politike e Adem Demaçit deri në arrestimin e parë, më 19 nëntor të vitit 1958, ende nuk është  gjurmuar e studiuar sa duhet në sikroninë dhe diakroninë e vet, pikërisht në kohën kur ai ishte formësuar si intelektual revolucionar dhe kishte plasuar bindjet e tij politike e kombëtare, krejt hapur në rolin e një opozitari korrekt e konkret. Kjo ishte periudha kur në mendjen e tij po e projektonte rrugën drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar, që ishte preokupimi primar i tërë aktivitetit, i të gjitha bisedave, komentimeve e komunikimeve me bashkëkohësit e tij, duke mbrojtur me konsekuencë të drejtat kombëtare të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar dhe duke bërë përpjekje për të gjetur bashkëveprimtarë idealistë dhe të përkushtuar sikur ishte vetë. Periudha e jetës së tij prej kohës kur ishte nxënës e deri në vitin 1958, kur ai paraqiti  platformën e tij programore kombëtare në sallën e gjykimit, në Prishtinë, tregonte më së  miri se Kosova dhe viset nën robëri kishin tashmë një emër identifikimi, një emër me një vizion, një emër qëndrese që nuk i bënte syri vërr, një emër që po futej krejt  lirshëm dhe i vetëdijshëm, për  të gjitha rravgimet e vuajtjet  jetësore, jo vetëm në Panteonin e historisë e Kosovës, por në historinë e kombit shqiptar përgjithësisht. Publikimi, kohë pas kohe nëpër medie i të dhënave të 14 dëshmitarëve shqiptarë në gjykimin e tij, në nëntor-dhjetor të vitit 1958 deri tani ka kaluar dhe është lexuar  si lëndë bruto, por pa analiza e sheshim faktesh, në radhë të parë sepse shumica dërrmuese e atyre emrave janë trajtuar si intelektualë, si politikanë, njerëz të kombit, njerëz me reputacion e të tjera e të tjera. Është irritues fakti se pothuajse asnjëri nga ata dëshmitarë nuk i kishte kërkuar falje Adem Demaçit,  pas daljes nga burgu, madje as pas luftës sonë fitimtare e çlirimtare ku ai ishte protagonist ndër kryesorët në vitin 1999 dhe as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Lehtësia e deklarimit të dëshmitarëve, tregon më së miri përcaktimin e tyre konsekuent në mbrojtje të bashkim vëllazërimit dhe të ish-RSFJ-së. Shumica dërmuese e tyre nuk kanë bërë as edhe përpjekjen më të vogël për të minimizuar bisedat me të, për t’ i mohuar po për t’ i paraqitur si biseda  rasti, të cilat nuk mbahen mend gjatë. Të gjithë ishin të vetëdijshëm se kundër kujt po dëshmonin dhe e dinin po ashtu se ai do të dënohej me burg, vetëm për bindjet e tij politike e kombëtare. Asnjëri nga këta dëshmitarë nuk ka folur as ka shkruar ndonjëherë se ka dhënë deklarata nën presion. Asnjëri prej këtyre dëshmitarëve  asokohe nuk ka qenë nën hetime, as është hapur ndonjë procedurë gjyqësore, as i ka pyetur ndonjë inspektor  përse nuk e kishin denoncuar më herët shokun e tyre të studimeve, duke qenë se ishte shprehur hapur kundër Jugosllavisë, për të cilën ata kishin konsideratë të veçantë dhe e pranonin si shtetin e tyre.

 

Çka dëshmuan për veprimtarinë atdhetare të Adem Demaçit: Fahredin Gunga, Ali Aliu dhe Zekeria Cana

Këta tre emra janë të mirënjohur për opinionin në Kosovë. Ata shfrytëzuan regjimin me të cilin bashkëpunuan dhe ai ua hapi të gjitha dyert drejt për të vepruar dhe për të bërë karrierë, jo etëm me triskat e partisë por edhe me një besnikëri të dëshmuar. Fahredin Gunga ishte poet i regjimit, komentator dhe zëdhënës politik i regjimit, kuadër i lartë i partisë, deri në kohën kur u pezullua autonomia e Kosovës në vitin 1989 dhe kur filloi edhe shpërbërja e pashmangshme e ish RSFJ-së.

Të tre këta kanë gëzuar favore të shumta, tituj shkencorë, poste partiake, arsomore informative e akadamike, pasi me vetër kishin treguar përkushtimin e tyre për Jugosllavinë e Titos, madje edhe pas vdekjes së tij, me moton: Shoku Tito ne të betohemi se nga rruga jote nuk do të largohemi”.

Fahredin Gunga, i njohur për qëndrimin e tij projugosllav në dëshmitë e tij për Adem Demaçin kishte folur për qëndrimin armiqësor  kundër Jugosllavisë së Titos, për pozitën e rëndë të shqiptarëve  por edhe për letërsinë e poezinë. Ai thotë se Demaçi i kishte kërkuar të shkruan poezi realiste ku do ta pasqyronte gjendjen reale të padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve, pasi ai shkuan poezi në frymë moderne, për të cilat edhe krenohej.  Edhe Gunga përmend rastin e një bisede në hotelin “Nova Jugosllavia” me pse nga dëshmitarët e tjerë, të cilët kanë dhënë të njëjtat deklarata. Ai përmedn edhe faktin se lidhur me Aksionin e grumbullimi të Armëve, Demaçi ishte shprehurse regjimi kishte kryer dhunë e   barbari kundër shqiptarëve. Krejt njëjtë kishte deklaruar edhe Ali Aliu nga Arvati i Prespës. Ai madje kishte thënë se sipas Demaçit aksioni i Armëve ishte ndërmarrë me qëllim që shqiptarët të shpërnguleshin për në Turqi me qëllim që të pakësohej sa më shumë numri i shqiptarëve në Jugosllavi dhe Kosova të mbetej me shumicë serbe. Ali Aliu kishte dëshmuar se  Adem Demaçi  kishte kërkuar  që intelektualët shqiptarë të infiltrohen në 25 organizata armiqësore, të cilin e kam kundërshtuar.

Edhe historiani i njohur dhe përfaqësuesi besnik i pacifizmit, Zekeria Cana kishte dëshmuar kundër Adem Demaçit, duke i sjellë shumë nga shembujt që i kishin përmendur edhe të tjerët dhe duke e akuzuar si armik të Jugosllavisë. Edhe ky përmend bisedën në hotelin Nova Jugosllavia, ku  Demaçi, gjithnjë i disponuar armiqësisht, ka thënë se pushteti po bën shumë padrejtësi ndaj kombësisë shqiptare dhe se me qëllim po i shpërngul shqiptarët për në Turqi, në mënyrë që Kosmetin ta mbajë si territor të vetin. Mes tjerash Zekeria Cana ka treguar edhe për një rast tjetër ku në shtëpinë e tij në Gjakovë kishte thënë: në shtëpinë time më ka folur se Kosmeti duhet t’i takojë, gjithsesi, Shqipërisë, me plebishit aso me luftë. Në rast se do të shfrytëzohej rruga me plebishit për zgjidhjen e çështjes së Kosmetit, atëherë Shqipëria duhet ta kërkojë  këtë nga Kombet e Bashkuara, të cilat do të mundësonin përcaktimin me plebishit. Nëse në këtë mënyrë nuk do të arrihet që Kosmeti t’i bashkangjitet Shqipërisë, atëherë kjo do të arrihet përmes Luftës së Tretë botërore, me ç’rast rusët do të fitonin në luftën  dhe Kosmetin do t’ia jepnin Shqipërisë, kurse Maqedoninë – Bullgarisë.

Të tre këtë dëshmitarë, kanë nënvizuar qëndrimin armiqësor të Demaçit kundër Jugosllavisë, kanë bërë të ditur se nuk i kanë përkrahur idetë e tij dhe nuk iu kanë besuar rrëfimeve të tij.

  1. FAHREDIN GUNGA

Dëshmitari i dhjetë, Fahredin Gunga, para organit hetues, më 21.1.1959, deklaron:

Të pandehurin Adem Demaçi e njoh qysh nga Gjimnazi në vitin 1953. Derisa ishte në studime në Beograd nuk jam takuar me të, por pas kthimit të tij nga Beogradi në Prishtinë jemi takuar disa herë. Shpesh me të kemi biseduar për letërsinë, ngase edhe unë merrem me shkrime si ai, prandaj, pos tjerash, kjo ka qenë temë e bisedave tona. Për shkakun se unë shkruaj poezi lirike në frymën bashkëkohore, shumë herë jam kritikuar nga Demaçi, i cili më fliste vazhdimisht që të mos shkruaja në frymën moderne, por të shkruaj në frymën realiste për jeta e shqiptarëve në Kosmet.

Më kujtohet se diku në pranverën e vitit 1958 kam qenë në shoqëri me Demaçin dhe me shokët e tjerë si Din Mehmeti, Ali Aliu, Hysni Hoxha, Zekeria Cana dhe disa të tjerë, të gjithë studentë në Beograd. Jemi takuar në hotel “Nova Jugosllavia” në Prishtinë dhe kemi qëndruar ulur në separe të këtij hoteli. Me këtë rast Demaçi na ka folur se si në një projekt të ligjit të ri për shkollat parashihet heqja e gjuhëve të pakicave në shkollat e mesme. Në lidhje me këtë Demaçi ka qenë i revoltuar dhe ka thënë se ky ligj më se shumti i godet shqiptarët në Kosmet, se ky është kulminacioni i të padrejtave që po u bëhen shqiptarëve nga ana e pushtetit dhe se kjo është një masë që po merret posaçërisht ndaj shqiptarëve. Në lidhje me aksionin e armëve në Kosmet, Ademi ka thënë se ky është barbarizëm ndaj shqiptarëve dhe se po bëhet me paramendim nga pushteti aktual

Kur kemi dalë nga ky hotel jemi nisur bashkë në drejtim të Gërmisë kah Shkolla Normale. Gjatë rrugës Demaçi na ka thënë se ne, si intelektualë, duhet të jemi unikë, sepse me unitet mund t’i kontribuojmë popullit tonë. Se çka ka menduar kur e ka thënë këtë, nuk kam mundur ta kuptoj. Tjetër nuk kam çka të them. Procesverbalin, në të cilin janë përfshirë fjalët e mia e nënshkruaj.

U krye në orën 13 e 30 minuta. Procesmbajtës: Dragica Milanoviq. Organi hetues i autorizuar: Momo Çanoviq. Dëshmitari: Fahredin Gunga.

  1. ALI ALIU

Dëshmitari i njëmbëdhjetë, Ali Aliu, 25 vjeç, nga fshati Arvati, rrethi i Prespës, para organit hetues, më datën 24.1.1959, deklaron:

Të pandehurin Adem Demaçi e njoh qe 10 muaj. E kam njohur përmes studentëve që studiojnë në Beograd dhe që janë të lindur në Kosmet.

Diku në pranverën e viti 1958, kemi udhëtuar për në Prishtinë që të mbajmë orë letrare nëpër Kosmet. Kemi udhëtuar disa shokë, studentë shqiptarë. Atëherë jemi takuar me Adem Demaçin në hotelin “Nova Jugosllavia” në Prishtinë. Jemi takuar unë, Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Hysni Hoxha, Zekeria Cana e ndoshta edhe ndonjë tjetër, por nuk më kujtohet. Me këtë rast, pos të tjerash, Demaçi na ka thënë si vijon:

– se ndaj shqiptarëve të Kosmetit nga ana e pushtetit po bëhen padrejtësi të ndryshme; se shqiptarët po shpërngulen për në Turqi dhe se me këto shpërngulje pushteti dëshiron që Kosmetin ta mbajë edhe më tutje për vete. Po të qëndronin shqiptarët edhe më tutje në Kosmet pushtetarët janë të bindur se Kosmetin do ta humbasnin. Me qëllim të mbajtjes se Kosmetit për vete (që të mbetet edhe më tutje jugosllav), ata kanë organizuar aksionin e armëve, duke i rrahur e maltretuar shqiptarët, të cilët detyrohen të shpërngulen për në Turqi dhe, kështu, problemi i Kosmetit zgjidhet përfundimisht. Kam vërejtur se Adem Demaçi ka qenë i revoltuar dhe nuk i ka pëlqyer qëndrimi i pushtetit për këtë çështje. Ka thënë edhe disa gjëra të tjera me atë rast, por ato nuk më kujtohen.

E lejoj mundësinë që të kemi biseduar edhe për intelektualët në Kosmet. E di se Demaçi ka thënë se duhet të jemi unikë, porse nuk duhet të infiltrohemi në 25 organizata armiqësore. Unë mund të kem thënë se nuk duhet të inkuadrohemi në këso organizatash. Theksoj se mundësinë që kështu diçka kemi thënë për intelektualët, por detajet për këtë nuk më kujtohen.

Pastaj jemi ndarë, dhe nuk kam tjetër çka të them në lidhje me paraqitjen e Adem Demaçit. Procesverbalin e kam lexuar dhe e nënshkruaj.

U krye në orën 13.

Procesmbajtës: Xhavit Shabani. Organi hetues i autorizuar: Momo Çanoviq. Dëshmitari: Ali Aliu.

  1. ZEKERIA CANA

Dëshmitari Zekeria Cana, para organeve hetuese, më 25.1.1959, deklaron:

Të pandehurin Adem Demaçi e njoh nga fundi i vitit 1954. Në atë kohë kemi qenë bashkë në studime, në Beograd. Në vitin 1955 jam takuar me të pandehurin në Beograd dhe ai qysh atëherë, para meje, është paraqitur armiqësisht. Më ka folur se pushteti i Jugosllavisë po i shpërngul shqiptarët nga Kosmeti për në Turqi, sepse frikësohet se nëse shqiptarët do të mbesin edhe më tutje në Kosmet, ata do të kërkojnë që Kosmeti t’i bashkangjitet Shqipërisë. Përmes shpërnguljes së shqiptarëve, pushteti po përpiqet që Kosmetin ta mbajë edhe me tutje në kuadrin e territorit jugosllav.

Më vonë, pasi i ka lënë studimet, i pandehuri Demaçi është takuar me mua disa herë në Prishtinë. Diku në pranverën e vitit 1958 në separenë e hotelit “Nova Jugosllavia” jemi takuar unë, Adem Demaçi, Din Mehmeti, Ali Aliu, Hysni Hoxha dhe Fahredin Gunga, të gjithë studentë. Me atë rast, Demaçi, gjithnjë i disponuar armiqësisht, ka thënë se pushteti po bën shumë padrejtësi ndaj kombësisë shqiptare dhe se me qëllim po i shpërngul shqiptarët për në Turqi, në mënyrë që Kosmetin ta mbajë si territor të vetin.

Në rast se shqiptarët do të mbeteshin në Kosmet, ata do të kërkonin që Kosmeti t’i bashkangjitej Shqipërisë. Për aksionin e armëve Demaçi ka thënë se pushteti e ka ndërmarrë këtë aksion me qëllim të frikësimit të popullit shqiptar dhe që ta detyrojë atë të shpërngulet nga Kosmeti, ndërsa Kosmetin ta mbajë si territor të Jugosllavisë. Pas kësaj jemi

ngritur dhe kemi dalë nga hoteli. Unë kam shkuar te axha i im, kurse ata janë nisur në drejtim të Gërmisë, në Shkollën Normale që të flinin. Nuk di se çka kanë folur rrugës derisa kanë shkuar për Gërmi.

Diku në verën e të njëjtit vit, jam takuar me Adem Demaçin ne Gjakovë. Ai kishte ardhur për mbajtjen e orës letrare dhe atëherë e kam ftuar në drekë në shtëpinë time. Derisa ishte në shtëpinë time më ka folur se Kosmeti duhet t’i takojë, gjithsesi, Shqipërisë, me plebishit aso me luftë. Në rast se do të shfrytëzohej rruga me plebishit për zgjidhjen e çështjes së Kosmetit, atëherë Shqipëria duhet ta kërkoj këtë nga Kombet e Bashkuara, të cilat do të mundësonin përcaktimin me plebishit. Nëse në këtë mënyrë nuk do të arrihet që Kosmeti t’i bashkangjitet Shqipërisë, atëherë kjo do të arrihet përmes luftës së tretë botërore, me ç’rast rusët do të fitonin në luftën e tretë botërore dhe Kosmetin do t’ia jepnin Shqipërisë, kurse Maqedoninë – Bullgarisë. Më ka folur, me këtë rast edhe për shtetasin shqiptar Hasan Shpati, të cilin, sipas tij, e kanë vrarë pushtetarët e këtushëm në burg, e jo duke ikur, për çka ai ishte shumë i revoltuar. Po kështu, para meje, ka folur edhe për gjendjen ekonomike në Kosmet, duke potencuar se Kosmeti është mjaft i zhvilluar ekonomikisht, por është i eksploatuar nga pushteti i Jugosllavisë, i cili nuk po investon asnjë objekt ekonomik në Kosmet.

Tjetër nuk kam çka të them. Procesverbalin e lexova dhe e vërtetoj me nënshkrimin tim, ngase në të janë përfshirë fjalët e mia.

U krye në orën 12. Procesmbajtës: Xhavit Shabani. Organi hetues i autorizuar: Momo Çanoviq, Dëshmitari: Zekeria Cana.

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Grykë për të mësuar se si po gjallohet këtu …