Brickos

Ahmet Qeriqi: Delegacioni i UÇK-së niset për në Rambuje të Francës. Nisja u bë nga Fshati Shalë, 5 shkurt, 1999

Ahmet Qeriqi: Delegacioni i UÇK-së niset për në Rambuje të Francës. Nisja u bë nga Fshati Shalë. ( 5 shkurt, 1999 )

Sot në orët e pas ditës duhet të niset për të marrë pjesë në Konferencën e Ramujesë në Francë, delegacioni nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Pala shqiptare në bisedime është e përfaqësuar me tri grupime, dy politike dhe një nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Në këtë përbërje janë Azem Syla komandant i Përgjithshëm, Hashim Thaçi, drejtor i Drejtorisë politike, Jakup Krasniqi zëdhënës i SHP të UÇK-së dhe Ramë Buja drejtor i Drejtorisë për Administrim Civil. përbërja është mjaft e fortë dhe në harmoni me strukturat aktuale organizative.

Në përbërje të delegacionit shqiptarë janë edhe: akademiku Rexhep Qosja, Mehmet Hajrizi dhe Hydajet Hyseni nga LBD-ja. Ndërsa nga LDK-ja Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Bujar Bukoshi.

Në Radio dhe në Agjenci kemi marrë shumë informacione që kanë të bëjnë me rastin e nisjes së delegacionit të UÇK-së për në Rambuje. Janë këto urime, mbështetje, përshëndetje të përzemërta nga ushtarët dhe eprorët.

Pasi e kemi transmetuar emisionin, jam nisur për në Kizharekë.

Në vendin e caktuar nuk e kam takuar Ali Mullinin. Është hera e parë që ai nuk është duke më pritur. Mendoja se diçka mund t`i ketë ndodhur. Jam nisur këmbë nëpër baltë meqë dëbora ka filluar të shkrihet dhe rrugët janë të mbushura plot baltë. Gjatë kalimit nëpër Mëhallën e Lugut në Nekoc kam ndaluar te Shtëpia e Adil Cenës. Mendoja mos po e takoj rastësisht Ilirin apo Gafurrin. Është natë dhe terr. Bëj zë por nuk lajmërohet askush. Shtëpia është djegur e katranosur. Në një kthinë të vogël dëgjohen zëra fëmijësh. Një dritë e mekur e qiririt më kthen në kujtesën kohën në vitin 1964, kur për herë të parë isha dorëzuar imam gjatë muajit të Ramazanit, po në këtë lagje.

Nisem në drejtim të Baicës, me shpresë se do ta takoj rrugës ndonjë ushtar apo kalimtar rasti. E kujtoj kohën kur isha në medrese dhe në vitin e dytë të shkollës së mesme më kishin caktuar imam në Lagjen e Lugut në Nekoc. Sa e sa kujtime të zymta, të trishtueshme por edhe të hareshme  më lidhin për këtë fshat.

Bëj tutje nëpër baltë. Këpucët më janë mbushur me ujë, meqë nga terri nuk e dalloj vendin ku po e hedh hapin. Nga frika e ndonjë të papriture e shtrëngoj automatikun, i cili më rëndon mbi supe. Nuk e marr me mend se si janë boshatisur kështu rrugët aq të qarkullueshme, ditën dhe natën. Në hyrje të fshatit Baicë e vërej një veturë që vinte në drejtim timin. Pas pak ndalon dhe e kuptoj se është Ali Mullini. Me te ishte edhe Ali Durmishi nga Krojmiri.

Pasi hyj në veturë, Aliu më tregon se deri tani nuk ka arritur  të niset me veturë meqë të gjitha rrugët kanë qenë të zëna për shkak të tollovisë që është krijuar  me rastin e nisjes së delegacionit të UÇK-së për në Francë. Ai po ashtu më tregon se delegacioni ka pasur probleme, meqë fillimisht serbët ia kanë bërë me dije ndërmjetësuesve të OSBE-së, se nuk sigurojnë për asgjë që mund t`i ndodhë delegacionit gjatë kalimit nëpër Magurë në drejtim të Sllatinës.

Pak më vonë, ka ardhur një trupë tjetër ndërmjetësuese dhe delegacioni është nisur. Askush nuk e di se çka mund të bëhet, përfundon Aliu duke shprehur keqardhje që është vonuar.

Me të hyrë në Krojmir kah ora 19. e takoj Hashim Azem Ollurin, një mësues i fshatit. I them Hashimit që ndërkohë të vijë te unë për të biseduar. Pasi ka ardhur e kam testuar leximin meqë ka një zë radiofonik dhe jashtëzakonisht të përshtatshëm për spiker. Mjerisht Hashimi është i ngadalshëm  në lexim. Më vonë ende pa pushuar nga rruga e gjatë që kam bërë këmbë kanë ardhur për të më vizituar Heset Sahiti, Ismajl Ibushi nga Banulla, tani ushtar, Selatin Qeriqi e të tjerë.

Edhe pse Heseti është caktuar drejtor i Drejtorisë për Administrim Civil në komunën e Lipjanit, ai ende nuk ka ndërmarrë asnjë masë për shtrirjen e kompetencave. Heseti ka një natyrë tejet paqësore dhe shumë të njerëzishme, e cila nuk i shkon kohës së luftës, kur të gjithë ngarendin sikur në ndonjë garë marramendëse. Pavarësisht nga të gjitha Heseti është intelektual me ndikim dhe gëzon autoritet.

Më vonë ka ardhur edhe Elez Durmishi. Edhe pse nuk jepet e kuptoj se është i nervozuar….

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Është një ditë tanimë e rëndomtë, në tendë. Vazhdimisht po bën mot i lig. Edhe …