leoni

Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Dy koalicione e një parti kundër njëra-tjetrës, të tria kundër Kosovës

Sot, më 24 gusht të vitit 2017, në Kuvendin e Kosovës u pa mirëfilli, madje  e  kuptuan  edhe nga ata që deri tani nuk e kishin  kuptuar se dy koalicionet e mëdha politike dhe Vetëvendosja kanë vetëm një qëllim, “uzurpimin” e pushtetit, jo për hir të Kosovës dhe ardhmërisë së saj, (sikur shprehen me fjalimet e tyre  tashmë të mësuara përmendësh) por për hir të veshjes me pushtet dhe vjeljes së favoreve që i sjellë me vete pushteti, për të përfituar individualisht, për klanet, partitë e më gjerë. Kjo lakmi e sëmurë ka bërë dhe po bën që vendi të futet në një krizë mbi të gjitha krizat, me rreziqe edhe për sigurinë e vendit.

Raportet mes tri forcave më të mëdha politike në vend, dy koalicione dhe Vetëvendosja  tanimë nuk janë raporte vetëm  të kundërshtarëve politikë, apo raporte konkurrente me  programe  për të ardhmen e Kosovës, kur e do nevoja për të bashkëpunuar për hir të interesit të vendit, por janë raporte armiqësore, madje më armiqësore sesa kanë qenë ndonjëherë në të kaluarën.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA këmbëngul në mënyrë fanatike në krijimin e institucioneve, duke u mbështetur   në të drejtën e shumicës relative  të fituar në zgjedhjet e 11 qershorit, por pa fuqi numerike për ta realizuar synimin e qeverisjes së vazhdueshme. Pritja pa fund, në mos do të ndodh çudia, apo mos po bindet ndonjë deputet, mos po blihet me para dikush tjetër, është pritje jo serioze. Është për keqardhje katandisja e tillë e këtyre 60 burrave e burrëreshave, të cilët presin e presin… pa qenë fare të sigurt në pritjen e tyre. Atyre nuk iu bëhet vonë, duan pushtetin në pjatë, ose pritje pa kufi.

Çka presin këta dhe a kanë një datë të caktuar deri kur do të presim, përveç fjalëve dhe premtimeve nga dita në ditë, nga java në javë nga muaji në muaj?

Vetëvendosja me një retorikë shumë të ashpër, por edhe me të drejtë kërkon që fituesi i numrit më të madh të deputetëve në zgjedhje ta përfillë procedurën, të hedh në votim kandidatin dhe nëse nuk fiton, të lëshojë pe. Në dukje dhe në interpretimin e kësaj logjike, Vetëvendosja ka të drejtë, por as ajo vetë, madje as me deputetët serbë dhe me ata të pakicave të tjera nuk i arrin numrat për ndërtimin e institucioneve, sepse me LDK-në i ndanë një det i tërë me rërë.

E papranueshmja  qëndron në faktin se Vetëvendosja pretendon të vendos vetë për koalicionin duke ia imponuar vullnetin LDK-së për ta përkrahur, pa i kërkuar falje për fyerjet  dhe jo vetëm për to, por duke e trajtuar si një forcë politike në shërbim të vetin. Sipas Vetëvendosjes, koalicionin LAA dashur pa dashur u dashka të rreshtohet me vetëvendosjen. Nuk do ta analizoj raportin mes këtyre dy partive, sepse dihet mirëfilli, cili ka qenë dhe cili është, por a mund të pranohet logjika e tillë mujshare,  logjika që ai që të poshtëron e të fyen edhe të të përdor më në fund për qëllimet e veta?

Kjo me të vërtetë është e papranueshme.

Është e vërtetë se LDK-ja është trajtuar dhe trajtohet si njëlloj viktime në këtë raport forcash, nga palët kundërshtare, por është krejtësisht e pamoralshme që të kërkohet shërbimi i saj kundër interesave të veta. LDK-në e ka keqpërdorur për qëllime të veta edhe Kadri Veseli me PDK-në, madje jo vetëm një herë, e ka keqpërdorur, Hashim Thaçi madje jo vetëm njëherë. Por edhe LDK-ja, dua të them udhëheqësit aktualë të saj, për hir të pushtetit, ndoshta edhe nga presioni i ndërkombëtarëve, ndaj të cilëve ata janë më shumë se të vëmendshëm, janë mësuar të lëshojnë pe, andaj duhet se është krijuar bindja  se kjo forcë politike shërben për të qepur institucionet.

Koalicioni LDK-AKR, Al. ndodhet në pozitën më të keqe të mundshme, për shkak se është sulmuar si nga partneri i deridjeshëm i koalicionit, PDK-ja, ashtu edhe nga Vetëvendosja,  e cila e ka  vënë në shënjestër, në radhë të parë për shkak të koalicionit me PDK-në dhe për veprime apo mosveprime të tjera, që janë më shumë hipotetike e të paragjykuara, sesa reale e të dokumentuara. Reale dhe të faktuara janë vetëm sulmet drejtuar LDK-së, si partner koalicioni me PDK-në nga opozita, veçmas nga Vetëvendosja  deri në rrëzimin e Qeverisë.

Realisht LDK-ja është dëmtuar pa asnjë hak, për më keq ajo është tradhtuar nga PDK-ja është sulmuar sistematikisht  nga Vetëvendosja dhe do të tradhtohet edhe nga AKR-ja, në mos është tradhtuar tashmë.   Në këtë raport të forcave nuk shihet rrugëdalje dhe e vetmja  rrugë mbeten zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do të mund të mbaheshim së bashku me ato vendore, dy  muaj më vonë.

Koalicionet parazgjedhore dështuan.

Dështakët dihen.

Elektorati duhet edhe t’ i ndëshkojë, nëse ka vullnet, nëse vërtetë di çka dëshiron.

Nëse nuk i ndëshkon duhet të pajtohen  me gjendjen, apo duhet  t’ i bashkohen 57 përqindëshit që nuk merr pjesë në zgjidhje, sepse nuk i beson sistemit, në radhë të parë nuk u beson mujsharëve të politikës, abuzuesve, mashtruesve, plaçkitësve, nga cila do parti qofshin, të provuar e të paprovuar, sepse të gjithë janë të mirë me fjalë derisa e uzurpojnë pushtetin, pastaj dalin të jenë këta që janë.

Sistemi, të cilin e kemi përvetësuar, e kemi instaluar apo na kanë instaluar   të tjerët,  nuk jep rezultate të tjera. Nuk mund ta fajësojmë popullin përse nuk i ka marrë votat e duhura, Kadri Veseli, Albin Kurti apo Avdullah Hoti.

Duhen rrugë të reja, rrugë të tjera, të cilat kërkojnë në radhë të parë mirëkuptim, atdhetari, solidaritet, ruajtjen e interesit të shtetit me çdo kusht, jo për vete e për partinë, por në radhë të parë për vetë Kosovën dhe shqiptarët përgjithësisht.

Deri atëherë duhet të presim dhe të zihemi në kazanin e ndeshtrashave tona.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Djalë petrit si Bardhok Biba nuk lind më Mirëdita

Ndue Preng Gjeta: Kur përmend Bardhok Bibën, laje mirë gojën o Sali gjakatari

Edhe nga ballkoni ku ndodhet në “arrest shtëpie”, “NON-GRATA” Sali Berisha e hodhi helmin, për …