Ahmet Qeriqi: EULEX-i intensifikon fushatën e akuzave kundër luftëtarëve të UÇK-së

Edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga lufta jonë çlirimtare dhe fitimtare, qarqet antishqiptare të Beogradit zyrtar, administrata e UNMIK-ut dhe një segment i “sundimit të ligjit” i misionit EULEX në Kosovë, nuk e kanë ndërprerë për asnjë çast veprimtarinë në drejtim të diskriminimit dhe devalvimit të dhunshëm të vlerave tona të luftës dhe të paqes.

Rifillimi i gjykimit kundër tre eprorëve të luftës së UÇK-së në Llap, arrestimi në Bullgari e më pas lirimi i ish-shefit të SHP të UÇK-së, Agim Çeku, arrestimi i dhunshëm dhe lirimi i ish-eprorit të UÇK-së, kryetar aktual i Kuvendit komunal të Kaçanikut, Xhabir Zharku, janë vetëm operacionet e fundit të organeve “për sundimin e ligjit” me qëllim të vazhdimit të diskreditimit të forcave liridashëse dhe liribërëse të Kosovës dhe të të gjitha vlerave të luftës sonë heroike dhe fitimtare.
Statistikat tregojnë se gjatë periudhës kohore 1999-2009, në Kosovë, në ish-RJ të Maqedonisë dhe në Kosovën Lindore janë arrestuar, burgosur e dënuar nga gjyqtarët e UNMIK-ut dhe një soj i disa gjykatësve të Kosovës, mijëra pjesëtarë të UÇK-së, ndërkohë që shumica e tyre janë liruar të pafajshëm pas burgimit disavjeçar. Në dy gjykimet spektakulare të Tribunalit të Hagës kundër luftëtarëve të lirisë së Kosovës janë liruar tre të dyshuar: Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj dhe Isak Musliu ndërsa janë shpallur fajtor dhe janë dënuar Haradin Bala, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj .
Bilanci i ndjekjeve dhe persekutimeve që iu është bërë luftëtarëve të lirisë në Kosovë është marramendës dhe i ngjashëm me të gjitha bilancet e kohës së para luftës, kur Kosova dhe trojet e tjera të Shqipërisë ndodheshin të okupuara nga shtetet sllave, Serbia, Mali i Zi dhe ish-RJ e Maqedonisë.
Përderisa ndjekjet, arrestimet, dënimet e më vonë edhe vrasjet e masakrimet, që ka kryer pushteti okupator jugosllav e serb kundër shqiptarëve, deri në qershor të vitit 1999 janë trajtuar si krime të pushtetit okupator, ndjekjet, arrestimet dhe dënimet, që iu janë bërë luftëtarëve të lirisë, pas luftës çlirimtare dhe fitimtare i kanë ndërmarrë segmente të caktuara të UNMIK-ut dhe tani EULEX-it, të yshtur e të ndihmuar edhe nga qarqet e bashkëpunëtorëve të Serbisë në vendin tonë, mbeturina këto të cilat për shkak të “meritave” të tyre kundër UÇK-së janë përkëdhelur dhe trajtuar me vëmendje të veçantë, dikur nga Beogradi e tani nga UNMIK-u dhe EULEX-i.
Intensifikimi i orkestruar i sulmeve të tilla, me të cilat sikur jemi mësuar tashmë, ndodh në momente të caktuara, ashtu sikur edhe merr formë fushate, po ashtu në momente të caktuara politike. Këto veprime të “sundimit të ligjit” pritet të marrin formë fushate, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të fillojë shqyrtimin e kërkesës së Serbisë lidhur me legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo yshtje perfide dhe hipokrite e “farkëtarëve” të drejtësisë evropiane, që ka gjenezë qysh nga koha e largët e kryqëzatave dhe inkuizicioneve të njohura në tërë botën, dita ditës po e çjerrë maskën, e cila është qëndisur me fjalët më të mira për liri, barazi e demokraci, për Evropën e bashkuar dhe për vlera humaniste ndër njerëzore .
Rasti më i freskët i ndarjes së kësaj farë “drejtësie”evropiane, është riaktualizimi i procesit gjyqësor kundër tre luftëtarëve të lirisë të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, ish komandant i Zonës Operative, Nazmi Mehmeti dhe Latif Gashi po ashtu ish-eprorë të lartë të kësaj zone. Këta të tre akuzohen për rrahje, torturim dhe vrasje të civilëve gjatë luftës. Rikthimi në shqyrtim i lëndës së këtyre tre eprorëve nga “sundimi i ligjit” të EULEX-it, edhe pse ata disa vjet më parë ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata Supreme e Kosovës, tregon se autoritetet e larta protektore të BE-së në vendin tonë nuk iu besojnë organeve të gjyqësisë së Kosovës, as kreut institucional të vendit, dhe pikërisht për të demonstruar haptas këtë mosbesim, prokurorët dhe gjyqtarët e misionit të BE-së në vendin tonë, kanë rifilluar t’ i hapin edhe njëherë madje edhe dosjet e mbyllura, si dhe ato që kishin qenë objekt trajtimi nëpër gjyqe të ndryshme me vjet të tëra.
Fushata e tillë e prokurorëve dhe gjykatësve evropianë ka për qëllim vazhdimin me çdo kusht të diskreditimit të vlerave të luftës së UÇK-së, tani kur Qeveria e Kosovës ka shënuar rezultate të caktuara, kur pavarësinë e Kosovës e kanë njohur botërisht dhe e kanë pranuar 61 shtete të botës dhe kur Kosova është anëtarësuar në FMN dhe në Bankën Botërore me të drejta të anëtarit të barabartë.
Sulmet e fundit të “drejtësisë” së EULEX-it janë orientuar kundër kuadrove të larta të Qeverisë së Kosovës, jo për ta luftuar korrupsionin shumë të përfolur të Qeverisë nga OJQ-të dhe disa gazetarë shpirt e trup shitur te të huajt, por me qëllim të diskreditimit të një deputeti të PDK-së, të një kryetari komunal po ashtu me prejardhje të tillë partiake. Në vazhdën e sulmeve të tilla, të orkestruara me qarqet antishqiptare, ishin bërë edhe përpjekjet e gazetares së BIRN-it, Jeta Xharra dhe të kompanisë së saj ogurzeze, për ta diskredituar Drenicën, si vatër të nacionalizmit shqiptar dhe kryetarin e komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku. Këto veprime kanë një lidhshmëri të tejdukshme, e cila koordinohet nga brenda e jashtë vendit, duke pasur për qendër dirigjuese, politikën shqiptarvrasëse të Beogradit dhe të qarqeve tashmë të dëshmuara evropiane kundër çlirimit të Kosovës nga kthetrat e kolonializmit pushtues dhe kundër lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.
Pavarësisht nga kjo dhe nga fushata të tjera të kësaj natyre, të cilat pritet të intensifikohen në të ardhmen e afërt, forcat liridashëse të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare do të kalojnë me sukses edhe këto sfida dhe nuk do të gjunjëzohen ashtu sikur nuk janë gjunjëzuar gjatë viteve të rënda dhe të përgjakshme të robërisë barbare sllave.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …