Brickos

Ahmet Qeriqi: Gryka e Shpëtimit, shpresa e ngadhënjimit. E mërkurë 7 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Gryka e Shpëtimit, shpresa e ngadhënjimit. (E mërkurë 7 prill, 1999)

Gjatë gjashtë ditëve të kaluara vetëm mbrëmë kam fjetur pak më shumë.

Kam dëgjuar krisma dhe detonime të fuqishme, në gjumë, por megjithatë kam fjetur mirë.

Sot së bashku me Elezin kam shkuar në vendin mbi Gurrën e Gjatë, për ta marrë kompjuterin Lop-top, të cilin  disa ditë më parë e kemi lënë së bashku me Nezirin. Në fillim isha hutuar dhe nuk e gjeja dot vendin. Për të qenë më i sigurt kam depërtuar në rrugën e hyrjes dhe pa vonuar kam shënuar lisin e ahut në zgavrën e të cilit e gjetëm kompjuterin.

Së bashku me Elezin kemi filluar të ecim nëpër Grykë. Në mesin e të zhvendosurve të shumtë vetëm pak syresh i njoh. Shumica prej tyre janë nga fshatrat e Drenicë, të Llapushës dhe të Anadrinit.

Në mes të rrafshit ku gryka është me e gjerë është vendosur tenda e madhe e Spitalit të improvizuar. Duke qenë se ndihem i lodhur, i brengosur dhe i shqetësuar tejmase, nuk kam shkuar për t`i parë të plagosurit. E dija se do të ligështohesha dhe në rast të tillë do t`i dekurajoja.

Takoj Heset Sahitin, i cili është vendosur këtu me gruan dhe fëmijët e tij. Heseti më tregon për të vrarët dhe të plagosurit në Risinovc, në Fushticë e gjetkë. Pak më tutje takojmë Ramadan Rizanin, Heset Hamdiun, Bajram Rizanin, Dalip Durmishin,  Vehbi Zeqirin, Syqë Qeriqin e shumë të tjerë.

Vehbi Zeqiri ka ardhur për të marrë pjesë në luftë dhe tani për tani ka mbetur këndej. Ai tregon se në fshatin Varigoc ka grumbulluar disa tonë miell dhe kërkon të organizohem për ta tërhequr miellin gjatë natës. Ata nuk e marrin parasysh rrezikun nga pozicioni serb në Shalë. Bajram Rizani ka marrë përsipër për t`i siguruar disa traktorë me rimorkio dhe gjatë natës mendojnë ta tërheqin miellin nga Varigoci.

Sylë Qeriqi, më bën me dije se forcat serbe të cilat kanë depërtuar në pas ditën e 4 prillit, në Krojmir të nesërmen pasdite, pas një sulmi të suksesshëm janë detyruar të tërhiqen dhe aktualisht janë pozicionuar në hyrje të fshatit Shalë. Atje kanë vendosur një njësit tankist, disa praga, autoblinda dhe mjete të tjera.

Syla më rrëfen se ditën e dytë të hyrjes në fshat serbët kishin filluar të plaçkisnin shtëpitë në pjesën  e epërme të lagjes sonë. Ai me Dalip Rizanin, Ali Mullinin dhe me disa ushtarë të tjerë i ka sulmuar serbët nga Lajthishta dhe ata në panik kanë lënë plaçkat dhe janë tërhequr në drejtim të Shalës.

Në fshat janë djegur shumë shtëpi.

Serbët i kanë vrarë kafshët, të cilat duhet bërë përpjekje për t`i larguar sa më parë nga fshati në drejtim të lumit, në mënyrë që të mos përhapet ndonjë epidemi. Tërheqjen e kafshëve të mbytura e ka marrë përsipër ta organizojnë Ramadan Rizani, Heset Hamdiu dhe Vehbi Qeriqi. Ata qysh sot ia kanë filluar punës.

Ramadanin dhe Heset Hamdiun i porosisë që brenda mundësive të bëjnë regjistrimin e popullatës, në mënyrë që të kemi një pasqyrë reale për numrin dhe gjendjen e tyre.

Derisa po depërtonim në grykë, Reshat Gashi, i cili është vendosur me bashkëshorten dhe familjen afër spitalit të improvizuar më tregon se në Krojmir ka ardhur edhe vëllai i tij Nusreti. Ai ka treguar se bandat serbe kanë ekzekutuar familjen e Muharrem Januzit në Shtime. Ata kanë vrarë Muharremin, gruan e tij dhe djalin. Serbët kanë masakruar edhe  plakun 8o vjeçar Hajriz Firaja, një burrë i varfër dhe i urtë i cili vjet të tëra ka punuar me babën tim.   Nusreti ka treguar se shumica e banorëve të Shtimes janë zhvendosur në Rashincë e disa të tjerë kanë ikur në drejtim të ish RJ të Maqedonisë.

Gjatë tërë ditës së bashku me Sylë Qeriqin kam vizituar të zhvendosurit.

Në mesin e mijëra të zhvendosrve janë edhe shumica e krojmirasve, sidomos ata që kanë qëndruar në Grykë, gjatë verës së vitit të kaluar. Të shumtë janë ata që kurrë nuk i kemi parë dhe as dimë se nga kanë ardhur. Të gjithë jemi si një familje e madhe, sepse hallet dhe brengat i kemi të njëjta, po ashtu edhe vetëflijimin dhe përkushtimin për lirinë e atdheut.

Gryka e Shpëtimit është mbushur cep më cep me të zhvendosur. Në hyrje ndodhet varri i martires së parë të Krojmirit Afërdita Shaqir Qeriqi, e vrarë nga serbët me 25 korrik të vitit të kaluar.

Mijëra tenda janë ngritur, qindra traktorë të parkuar me rimorkia përreth lumit që ecë  pandalshëm në rrugëtimin e vet metafizik. Zëra gazmorë të fëmijëve përzihen edhe me ndonjë të çarë të thekshme të ndonjërit. Të zhvendosurit kanë marrë me vete edhe bagëtinë. Sekush ka marrë lopën, delen, dhitë, kaun apo kalin. Edhe kafshët janë hisedare të kësaj vuajtje të madhe njerëzore. Ata që nuk kanë arritur t`i marrin bagëtinë, serbët i kanë mbytur.

Sot kam dëgjuar edhe një rrëfim rrëqethës. Duke e spastruar fshatin nga kafshët e mbytura, një ushtar ka hetuar një lopë, nga e cila serbët kanë marrë njërën kofshë, ata, paraprakisht nuk e kanë therrur, por vetëm ia kanë hequr kofshën dhe e kanë lënë të gjallë…

Vonë pasdite jam kthyer në tendë.

Epiri i ka ndihmuar xha Mehdiut për ta rregulluar tendën. Atje do të vendoset edhe Sevdie Krasniqi me vajzat dhe djalin, meqë tenda nuk na zë të gjithëve. Gresa, Qëndresa, Altini tërë ditën luajnë te lumi së bashku me Besën Valdrinin e Taulantin e Hasanit. Çlirimtarja e vogël është me grip. Edhe ajo i zgurdullon sytë, qeshet, bërtet, kërkon diçka, proteston…

Zamiri me Ilirin dhe Valmirin së bashku me bineqët e Idriz Qeriqit e të tjerë kanë filluar të rregullojnë sërish bunkerët e tyre. Ata sërish i kanë rregulluar kallashët e drurit dhe secili ka nga një pjesë të uniformës së UÇK-së. Dikush ndonjë kapelë apo emblemë, dikush ndonjë triko apo pallto… Vazhdimisht në parakalim e këndojnë këngën Jemi trima luftëtarë dhe këngën tanimë të preferuar të Arif Vladit për UÇK-në.

Jeta në Grykë është e çuditshme. Vetëm dy kilometra më larg janë masakruesit dhe urrejtësit e çmendur të racës njerëzore. A mund të paramendohet se çka do të ndodhë por qe se do të depërtonin vrastarët, kanibalët dhe gjakatarët serbë?

O zot shpëtona! sesi më dalin këto fjalë nga brendia e shpitit, disi vetëvetishëm, natyrshëm…

Në mbrëmje vjen Elez Durmishi dhe ushtar Coli, Sejdi Elezi.

Pasi errësohet dalim te Fushëmbifusha për të përcjellë bombardimet e NATO-s…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Edhe pse dje u duk se do të përmirësohet moti, gjatë natës ndodhi një shtrëngatë …