Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Kanuni i Lekë Dukagjinit duhet interpretuar për së mbari, e jo sipas shijes dhe bindjes së politikanëve

Ahmet Qeriqi: Kanuni i Lekë Dukagjinit duhet interpretuar për së mbari, e jo sipas shijes dhe bindjes së politikanëve

Kanuni i Lekë Dukagjinit është kodeks arkaik shqiptar, i cili edhe pse i përket së kaluarës, ka mjaft fakte e dëshmi  që i kanë përballuar dhe i përballojnë kohës, por ka edhe mjaft ligje e nene të papranueshme, ashtu sikur kanë gjitha kodekset e tjera, të moçme, që nga Manava Dharmasastra e deti te e Drejta Romake e më vonë.

Mikpritja e afganëve nuk ka të bëjë fare me kanunin e Lekës, sepse thjesht është një mikpritje politike, që ka të bëjë me lidhjet e ngushta që kanë Shqipëria dhe Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga ky aspekt kjo mikpritje, politikisht  është e justifikueshme.

 Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me mikpritje të njerëzve të dëbuar nga atdheu i tyre, por me një segment të caktuar të afganëve  bashkëpunëtorë të Amerikës dhe të shteteve perëndimore, të cilët kishin mbështetur pushtimin e Afganistanit 20 vjet më parë dhe i kishin shërbyer forcave të huaja.

Ata ndihen të rrezikuar sepse kanë bashkëpunuar me amerikanët, të cilët më në fund u detyruan të largohen, në pamundësi për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme e të përhershme për atë shtet.

Njëjtë kanë ikur edhe ballistët nga Shqipëria  pas kapitullimit të fashizmit dhe kanë gjetur strehim politik në Itali, Gjermani, Francë, Amerikë e gjetkë.

Edhe pse talebanët kanë shpallur një amnisti të përgjithshme, një pjesë e afganëve pro amerikanë  nuk ndihet e sigurt, sepse është e vetëdijshme se si ka vepruar gjatë 20 viteve, në vendin e vet.

Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, e cila interpreton Kanunin e Lekës për Mikpritjen  shqiptare, mendoj se nuk është bindëse,  madje në një masë është paksa edhe cinike, sepse bie ndesh me mospranimin e sirianëve, në Shqipëri, kur dihet se ata iknin  nga një regjim brutal, vrastar, diktatorial, sikur ishte dhe është regjimi i diktatorit më gjakatar të kohës sonë, Bashar el Asad.

Kosova dhe Shqipëria nuk iu afruan mikpritje   as sirianëve  me origjinë shqiptare, disa nga të cilët ishin vendosur në Serbi dhe pastaj u dynden drejt shteteve të Evropës. Nuk po shënojmë këtu rastet e veçanta të azilit, por fenomenin si të tillë.

Të gjithë shqiptarët e dinë fare mirë se kjo mikpritje në radhë të parë ka të bëjë me partneritetin politik, dhe nuk ka të bëjë fare me kanunin, sepse Mikpritja në kodeksin tonë etik, kombëtar, ka një dimension tjetër, ka dimensionin individual të mikpritjes dhe jo atë kolektiv, i cili madje në disa raste  është fetishizuar deri në ekstrem dhe ka prodhuar efekte të dëmshme.

Janë të njohura edhe rastet konkrete historike të mikpritjes, të cilat kanë shkaktuar edhe tragjedi, sikur është rasti i Avdullah Pashë Drenit në Gjakovë, në shtator të vitit 1878, ku ai nuk kishte pranuar t’ ua dorëzonte kryengritësve shqiptarë, Maxhar Pashën, sepse e kishte në konak. Edhe pse ishte pasha në shërbim të Sulltanit, ai ishte pjesë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por nuk e kishte dorëzuar  mikun që i kishte rënë në besë, dhe ishte në konakun  e tij. Ky rast tregon se besa e mikpritja ndër shqiptarë ishte kod “gjenetik” moral, që përfillej nga të gjithë shqiptarët, madje edhe nga shqiptarët, pashallarë të  Sulltanit. Nuk është ky rasti i vetëm, por është më i veçanti.

Mikpritja na ka kushtuar shumë rëndë në të kaluarën sepse nuk i jepet besa besëpremit, as i ofrohet konak tradhtarit të kombit të vet.

Shqiptarët janë populli më i njohur në botë  për mikpritjen kolektive  që u kanë bërë hebrenjve, por Shteti hebraik, pas 13 vitesh e njohu pavarësinë e Kosovës, vetëm me kusht që ambasada e saj të vendosej në Palestinë dhe jo të Tel-Aviv ku janë ambasadat e të gjitha shteteve të botës, madje edhe ajo e Shqipërisë. Ky është shpërblimi që Izraeli i bën Kosovës, me qëllim për ta armiqësuar me shumë shtete mike, të cilat  duke e ditur pozitën e dobët të Kosovës, nuk e bënë çështje këtë veprim të pamatur të ish-Qeverisë, vendim të cilin e pranoi edhe Qeveria Kurti, edhe pse paraprakisht ishte zotuar se nuk do ta pranonte.

Nuk është i pari kryeministri,  Edi Rama, që u ka hapur dyert të huajve. Këtë për hatër të amerikanëve e ka bërë shumë kohë më parë edhe Sali Berisha, kur ishte në pushtet, Ai kishte pranuar mijëra iranianë, kundërshtarë të regjimit, të cilët ende ndodhen në Shqipëri dhe mund të mbesin përgjithmonë, sepse nuk ka fare gjasa që të rrëzohet regjimi në Iran dhe të zëvendësohet me një regjim pro amerikan, ku do të ktheheshin pastaj iranianët e degdisur  nëpër botë.

Pavarësisht këtyre relacioneve, të pranosh në vendin tënd njerëz që rrezikohen me vdekje, në radhë të parë  është veprim human, të cilin e bëjnë shumica e vendeve të botës,  por duhet ditur se në mesin e atyre që pranon ka të tillë që i kanë duart e përgjakura me gjakun e vëllezërve të vet, për shkak të bindjeve të kundërta politike.

Po kështu nuk i qëndron kritikës barazimi që i bën Edi Rama ikjes së afganëve me ikjen e shqiptarëve në vitin 1990. Nuk ka asnjë pikëbarazimi, sepse në kohën e ikjeve kolektive nuk kishte më “diktaturë,” nuk ikej nga diktatura,  por ikën ata të cilët e shkatërruan dhe e dogjën Shqipërinë, me porosi të sodomistëve e pirromanëve të politikës, iknin sepse  dhe nuk kishin më çfarë të hanin në Shqipërinë e djegur e të katandisur. Nuk ikën ata të kohën e Enver Hoxhës, për ta justifikuar ikjen e tyre por në kohën e Ramiz Alisë e të Sali Berishës, madje edhe në kohën e sotme, ka sa të duash ikanakë shqiptarë.

Nëse i thërrasim memories, nëse shfletojmë historinë e së kaluarës, nëse sheshojmë faktet e argumentet, do të bindemi lehtë se “Mikpritja e Besa”  që u kemi ofruar fqinjëve, por edhe të tjerëve na ka kushtuar shtrenjtë. Në rastin aktual dhe konkret nuk kemi pse thirremi në traditën dokësore  shqiptare, sepse mikpritja e afganëve e iranianëve e të tjerëve, nuk justifikohet me kanunin dhe nuk i duhet dhënë ky dimension që nuk e ka, sepse kemi të bëjmë në radhë të parë me veprime politike gjithsesi të domosdoshme.

Mikpritja e Besa Shqiptare janë pjesë e traditës humane të popullit tonë dhe të tilla do të mbesin, pavarësisht se çfarë kemi korrur në të kaluarën nga mikpritja dhe besa, që u kemi dhënë jo vetëm njëherë besëprerëve. Politikës nuk do të duhej t’ i lejohej  që t’i manipulojë ato.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …