leoni

Ahmet Qeriqi: Kush po e ndjellë ISIS-in në Kosovë?

ISIS-in në Kosovë po e ndjellë në radhë të parë Qeveria, me qëllim ta zhvendosur vëmendjen e opinionit nga problemet e rrezikshme me të cilat po ballafaqohet vendi, dhe me qëllim për t’i  anashkaluar përfundimisht problemet me opozitën, duke  shtuar represionin policor kundër të gjithë kundërshtarëve, realë dhe imagjinarë. Në këtë përpjekje të Qeverisë janë vënë edhe disa gazeta e portale, të cilat publikojnë qoftë edhe një kokë të zezë të një pjesëtari të ISIS-it, por nuk publikojnë asnjë lajm nga sulmet tragjike e fatale mbi popullatën e pambrojtur në Siri, Irak, Afganistan, sikur ishte rasti  kur aeroplanët rusë goditën fabrikën më të madhe të bukës në Idlib, nga ku furnizoheshin me bukë rreth 50.000 sirianë të mbetur nën rrënojat e ndërtesave gjysmë të shkatërruara nga bombardimet katër-vjeçare. Asnjë lajm në këto hor-horror portale e gazeta për vrasjen e 400 civilëve sirianë nga rusët prej ditës së fillimit të bombardimeve. Kjo është pavarësia e tyre mediale dhe paanshmëria e shpifur…1)


 


Lajmi i parë, lajmi kujdestar  në portalin pro-qeveritar Ekspress është propaganda kundër opozitës, veçmas kundër Vetëvendosjes, pastaj lajmet për krimet e ISIS-it, konstrukcionet se gjoja kjo organizatë terroriste po përgatitet për ta sulmuar Kosovën, si dhe lajme gënjeshtra pa kufi, pa asnjë kredibilitet besueshmërie.


ISIS-in në Kosovë po e sjellin edhe serbët në Veri, duke përhapur afishe dhe duke kërcënuar gjoja popullatën serbe në atë pjesë të okupuar të vendit, e cila sipas tyre po u rrezikuara nga shqiptarët islamë, me vetë praninë e tyre atje. ISIS-i vazhdon të jetë gogoli numër një për t’iu thënë myslimanëve, rrini urtë, sepse ju jeni e keqja e njerëzimit. Po nëse kështu mendojnë disa dhjetëra gazeta-nxirës e shtiracakë, apo disa politikanë të korruptuar të manipuluar, sa është e  besueshme se  kështu po menduakan 92 për qind e besimtarëve islame të Kosovës?


 


Propaganda e egër dhe krejtësisht e njëanshme ka bërë që të gjithë myslimanët në Kosovë me të drejtë të ndihen tej mase të frikësuar, sepse një i marrë dhe i çmendur në mesin e tyre edhe mund të gjendet, mund të instruktohet  si person i caktuar, ( në mos është instruktuar) qoftë nga shërbimet e Serbisë në Kosovë, qoftë nga regjimi policor i Isa Mustafës e Skënder Hysenit, qoftë nga një grup ekstrem, i cili edhe mund të vihet në shërbim të kësaj organizate terroriste.


 


Shteti Islamik i kalifatit, mund t’ i  ketë ithtarët e vetë, në Kosovë dhe në trevat shqiptare me shumicë të besimit islam,  kjo nuk përjashtohet, sepse ithtarët e vetë në Kosovë i ka pasur dhe i ka edhe Milosheviqi. Para tij  i kishte Titoja, para Titos jo pak ithtarë i ka pasur edhe Duçeja e Hitleri, para tyre Krali i Serbisë,  “Baba Dovleti” etj.. Nuk pa popull apo komb në botë që nuk ka njerëz që mendojnë, madje edhe veprojnë ndryshe nga shumica dhe shqiptarët nuk përbëjnë ndonjë përjashtim në këtë segment.


 


Në fushatën ndjellakeqe kundër shqiptarëve islamë, në Kosovë e më gjerë, të gjithë imamët që kanë mjekra janë të etiketuar si pjesëtarë ti IS-it apo të “xhihadizmit”, sikur e interpretojnë këtë fenomen ata që nuk e njohin islamin, as duan  ta njohin, meqë për qëllim kanë sulmin, me qëllim për të fshehur të palarat që po ia zënë frymën Kosovës.


 


Po pavarësisht ndërsyerjeve,  pavarësisht “gogolit” kujdestar, pavarësisht dëshirës së zjarrtë të disa mendje e kokëkrisurve, qofshin ata politikanë të shpifur apo gazetarucë të shitur,  ende nuk ka ndodhur asnjë sulm terrorist, sado i vogël, mbi baza të urrejtjes fetare  në Kosovë, i cili mund të identifikohet me ISIS-in apo organizatat e tjera si: Al-Nusra, Al-Qaida e të tjera. Fakti se në mesin e dy milionë shqiptarëve të Kosovës, ka 100 apo dy qind vetë që luftojnë në Siri dhe në Irak, është aq minimal, sa nuk meriton një vëmendje të veçantë.


Po ashtu mendimi se qenka me rrezik, sepse  shqiptarët etnikë po luftuakan  në Siri, sikur tha me një emision eksperti i Sigurisë, Naim Maloku, është krejtësisht i paqëndrueshëm dhe pa asnjë bazë besueshmërie. Identifikimi i disa shqiptarëve militantë me fenë islame, i përket edukatës së tyre fetare, por edhe një pjese të historisë që ata e njohin mirë, por nuk e njeh fare analisti, Naim Maloku. Ai në konkludimet e tij nuk del se ka njohuri që Shtetin modern të Sirisë e ka krijuar Dinastia e sundimtarëve shqiptarë të Mehmet Ali Pashës. Guvernatori i parë i Sirisë së çliruar nga Napoeloni dhe nga Perandoria  turke ka qenë, Ibrahim Mehmed Ali Pasha. Garda kombëtare e Sirisë dhe e Egjiptit përbëhej në shumicë nga shqiptarët e katër Vilajeteve të Arnautistanit. Madje, dihet fare mirë se luftëtarët e parë të Sirisë, në vitin 2011-2012 u stërviten në Kosovë, jo pa dijeninë e Qeverisë e të disa segmenteve të sigurisë së vendit.  Kjo lidhje e disa shqiptarëve me Sirinë, nuk ka asgjë të përbashkët me ISIS-in.


Pse heshtet kjo, në kohën kur qengji i flijimit kërkohet gjetkë, me qëllim për ta varrosur të vërtetën?


 


Sa për njohuri, ishin po kaq në numër shqiptarët etnikë të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, ata që luftuan në Spanjë kundër fashizmit, në vitet 1937-1938, madje në mesin e tyre pati edhe heronj në përmasa botërore të asaj lufte, ushtarakë si: Asim Vokshi, Xhemajl Kada, Mehmet Shehu, Ramiz Varvarica e të tjerë. Ata nuk i lidhte asnjë lloj etnie me spanjollët, nuk i lidhte feja, as gjuha,  por i lidhte solidarësia njerëzore për ta luftuar një të keqe e cila paralajmëronte shkatërrimet  masive, që ndodhen dy vjet më pas me sulmet e Gjermanisë Naziste të Hitlerit.


 


Po ashtu duhet pasur para sysh edhe faktin se në çdo luftë me përmasa botërore ndodhin rirreshtime në pikëpamje ideologjike, fetare, strategjike dhe në çdo luftë të tillë ka pasur, ka dhe do të ketë mercenarë.


 


Fushata kundër 100 shqiptarëve nga Kosova që po luftuakan në radhët e ISIS-i, është fund e krye fushatë për damkosjen e islamit, sepse asnjë organizatë fetare, asnjë imam apo dijetar islam, nuk e ka arsyetuar as arsyeton krijimin e Kalifatit Siri-Irak. Fakti se ka imamë me bindje ekstreme, nuk mund të mohohet, ashtu sikur ka edhe priftërinj me bindje ekstreme, madje edhe të tillë që mallkojnë Milosheviqin përse gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, nuk ua ka shkurtuar kokat 1 milion e 900 mijë shqiptarëve të Kosovës, për të qenë puna paq.


 


Qeveria nuk lejon asnjë fushatë kundër popave serbë me mjekra deri në brez, edhe pse ata krejt hapur  kanë bërë dhe bëjnë thirrje për luftë dhe për masakrimin e të gjithë shqiptarëve islamë në Kosovë, luftë kundër myslimanëve në Bosnje e në Sanxhak. Asnjë lajm i tillë nuk komentohet në gazetat dhe portalet e përdala, sepse atyre u prishet kumbaria e “pobratimia” me serbët.


 


Shumica dërrmuese shqiptare identitetin e vetë kombëtar e ka krijuar jo mbi baza fetare, por krejtësisht  mbi baza kombëtare, gjuhë, histori, kulturë, traditë, doke e mbi të gjitha tolerancë fetare. Kalifati, nuk njeh fe tjetër veç islamit, nuk njeh gjuhë komb, zakone, racë. Andaj gjasat që shumica shqiptare islame t’ i bashkohet ideologjisë së ISIS-it janë kurrëfare.  Nuk po shkruajmë për rastet e veçuara e të izoluara, të cilat nuk mund të përjashtohen në asnjë vend të botës dhe të cilat si të tilla zakonisht instruktohen nga shërbimet sekrete.


 


ISIS-i real dhe virtual nuk e ka në shënjestër asnjë shtet të Ballkanit, të paktën, me sa dihet ende nuk janë shpallur paralajmërime të tilla. Ai ka luftë me Amerikën, Francën, Rusinë, Turqinë, Arabinë Saudite, regjimin e Assadit në Siri,  dhe shtete të tjera, të cilat realisht janë të përfshira në këtë luftë.


 


Ndjellja e ISIS-it në Kosovë, paralajmërimet ogurzeza, përgatitjet e mundshme të grupeve dhe klaneve të shërbimeve të caktuara sekrete, ( të cilat janë të pranishme me shumicë në Kosovë) për të gjuajtur ndonjë bombë, në emër të Kalifatit me qëllim për ta etiketuar Kosovën si pjesë të IS-it, nuk i bëjnë shqiptarët liridashës, as shqiptarët islamë, sepse ajo është në kundërshtim me interesin e tyre, në kundërshtim me bindjet, historinë dhe përcaktimin e tyre.


Po është e ditur edhe kjo se ata që mbjellin erë, doemos se do të korrin furtunë. Dikush ka  mbjell erë të keqe në vendin tonë dhe kjo tashmë ka dalë sheshit.


 


 


1) Forcat ajrore ruse kanë bombarduar fabrikën më të madhe të bukës në Idlib të Sirisë           


 


Forcat ruse, pasi dje kanë vrarë më shumë se 60 civilë sirianë, sot kanë bombarduar   Fabrikën më të madhe të bukës në Idlib, me ç’ rast është shkatërruar tërësisht objekti si dhe mullirët për bluarjen e drithit. Burimet e lajmeve nga Al-Xhazira bëjnë të ditur se fabrika prodhonte deri në 45.000 bukë në ditë për popullatën siriane të mbetur nëpër bodrume shtëpish dhe nën ndërtesa të rrënuara. Fabrika është bombarduar nga katër avionë rusë me gjithsej 20 projektilë. Kjo është hera e parë që prej fillimit të luftës që bombardohet kjo fabrikë, e cila ka furnizuar me bukë sirianët e mbetur në rrethim dhe në “mëshirë” të kriminelëve të forcave assadiste dhe forcave intervencioniste ruse.


          Përfaqësuesi i Organizatës Humnitare IHH, Bulent Juldirim ka thënë për Agjencinë turke, “Anadolu” se nëse bombardohen kampet, organizatat humanitare, atëherë qëllimi është që të eliminohet në tërësi populli i Sirisë. Nga fillimi i luftës, në vitin 2012 janë vrarë rreth 400 mijë sirianë ndërsa kanë ikur dhe janë dëbuar nga vendi gati gjysma e popullsisë së Sirisë e cila kishte  rreth 22. milionë banorë.


( Ky lajm i Al-Xhazirës nuk u botua në asnjë medium në gjuhën shqipe, madje as në Radion-Evropa e Lirë, e cila mbulon lajmet ndërkombëtare).


 

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Sefaj

 Ilir Sefaj: Lufta si opsion!

Duhet të jesh më shumë se i krisur ta besosh se një ish-ministër i kasapit …