Ahmet Qeriqi: Leon Tolstoj, gjeniu i prozës së letërsisë ruse dhe asaj botërore

Ahmet Qeriqi: Leon N. Tostoj, gjeniu i prozës së letërsisë ruse dhe asaj botërore I

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Mendjet erudite si ajo e Homerit, Shekspirit, Servantesit, Tolstojit e të tjerëve të kësaj radhe mendimtarësh të mëdhenj të historisë së qytetërimit, përmes perceptimit të realitetit të shprehur në krijimtarinë e tyre  kanë bërë kthesa të mëdha në zhvillimin e përgjithshëm të mendimit njerëzor, në zhvillimin e  filozofisë së jetës dhe përvojës njerëzore në rrugë drejt emancipimit dhe përparimit. Ata, me njohjen e thellë të realitetit në shoqëritë e caktuara, ku kanë jetuar dhe ku  kanë krijuar, kanë thyer skemat, kanë hapur horizonte të kreativitetit mendor, kanë identifikuar probleme  ekzistenciale, me të cilat është mbarsur lloji njerëzor. Jo vetëm  i kanë analizuar dhe i kanë njohur kontradiktat shoqërore e klasore, por ata  kanë dhënë kontribut tejet  të çmuar në materializimin dhe përkufizimin e realitetit, mbi të gjitha në rolin e individit në shoqëri, rolin e autoritetit të Zotit  në Qiell dhe të njeriut-zot,  në Tokë.

Përderisa Homeri i ka hapur rrugën e krijimtarisë letrare, duke u bazuar në përvojën e kohës së tij, Shekspiri ka segmentuar rolin e njeriut “zot”, i zhytur në smirë, xhelozi, urrejtje, hakmarrje, njeriut që mendon se ka lindur për ta sunduar botën, Servantesi ka ironizuar njeriun e lidhur me të kaluarën e perënduar dhe pamundësinë për ta ndrequr atë, Tolstoi sipas mendimit tim, ka bërë një hap më tutje, ka bërë hapin vendimtar për ta analizuar të mirën e të keqen, madje  përtej mësimeve të biblës.

Nëse Bibla, Kurani e Talmudi kanë qenë dhe po mbesin autoritete fetare të pakontestuara nga besimtarët, por të kontestuara nga ateistët,  veprat e Homerit,  Virgjilit,  Dantes, Shekspirit,  Roterdamit, Volterit, Rusosë, Balzakut, Tolstoit, Hugos, Dostojevskit, Sholohovit, Zillahit, Markezit, Koelhos, dhe të qindra emrave të tjerë të letërsisë botërore mbartin vlera universale, të cilat janë vënë në shërbim të njeriut, gjithnjë duke hulumtuar të mirën e të keqen, luftën për jetë a vdekje të këtyre dy fenomeneve të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, ashtu si dita me natën, terri me dritën, dashuria me urrejtjen, lufta me paqen, e njerëzishmja me të panjerëzishmen, jeta me vdekjen dhe kontradikta  të tjera të shumta që bashkëjetojnë, jo vetëm në natyrën e njeriut por disa nga këto janë të pranishme edhe në ligjet themelore dhe elementare të universit.

Tostoi, gjeniu i prozës së letërsisë ruse dhe asaj botërore, ka prekur majat e krijimtarisë artistike, vlera që nuk janë tejkaluar nga shkrimtarët e kohës së tij. Ai  ka prekur në piedestalin e fenomeneve që i ka marrë në shqyrtim dhe i ka  vënë në lëvizje me romane, rrëfime e novela me qëllim për t’ iu dhënë jetë dhe për të qenë më të kuptueshme për njerëzit, për të gjithë njerëzit, si për ata që kanë arsimin elementar, ashtu edhe për filozofët dhe mendimtarët më të shquar botërorë. Dallimi mes krijimtarisë së Hegelit dhe Tostoit, nuk qëndron në epërsinë e diturisë   së njërit apo tjetrit, por rrëfimi i Tolstoit është i kapshëm dhe i kuptueshëm për të gjithë, ndërsa thellësia e mendimeve dhe koncepteve të Hegelit i referohet vetëm shkallës  së njerëzve me arsim  të lartë dhe të specializuar.

I ndodhur në botën e kaosit, kontradiktave shoqërore e klasore që kishte prodhuar feudo-borgjezia e kohës, Tolstoi nuk shkuan traktate filozofike si Plehanovi, Çerenishevski, Lenini, Trocki, por as përshkruante  botën ruse me patetikë e dashuri romantike si Pushkini, Lermontovi, Turgenievi. Tolstoi nuk e “fshikulloi aq keq me kamxhik Rusinë” sikur kishte bërë Gogoli, Shqedrini, Dostojevski  e të tjerë.   Ai me kohë kishte trasuar rrugën e tij në krijimtari, duke u nisur nga vetvetja, nga kundrimi realist i botës, duke e hulumtuar atë në çdo pore, duke e analizuar dhe duke nxjerrë mësime të dobishme për veten dhe për lexuesit, duke e bërë të më lehtë dhe  të kuptueshme për të gjithë.

Rruga e Tolstoit në krijimtari ka specifikat ashtu sikur kanë të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, por e veçanta e kësaj rruge qëndron në raportin e tij humanist me njeriun dhe me fenomenet që e rrethojnë. Po kështu, ai dallohet edhe me njohjen e tij gjeniale të religjionit dhe ndikimit që ka ushtruar dhe ushtron te njeriu, besimi në Zot, edhe pse gjatë jetës tregoi dilema të mëdha sidomos në doktrinën e krishterë, madje duke u orientuar çuditërisht drejt islamit, të cilin e kishte njohur mjaft mirë.

Përshkrimi realist që  Tolstoi i bëri Rusisë së kohës, pleksja në veprat e tij të kontradiktave shoqërore, politike, fetare, interpretimi i tij  autentik i realitetit të kohës, ishte si goditja e plotë në shenj, sepse ai solli një art të veçantë letrar, realist në formë e brendi, të afërt dhe të kuptueshëm për të gjithë dhe në këtë mënyrë ai çante rrugën drejt krijimit të një bote të veçantë humaniste, që i kishte munguar letërsisë së kohës. Romanet si “Ana Karenina”, “Lufta dhe Paqja” u bënë veprat ndër më të lexuarat jo vetëm në Rusi por ato u përkthyen u lexuan dhe lexohen në shumë gjuhë të botës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Edhe pse dje u duk se do të përmirësohet moti, gjatë natës ndodhi një shtrëngatë …