Ahmet Qeriqi: Luftime të ashpra në Zonën e Shalës, në Anadrin dhe në fshatrat e Klinës (22 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Luftime të ashpra në Zonën e Shalës, në Anadrin dhe në fshatrat e Klinës (22 shkurt, 1999)

Në orën 10. 00 kam arritur në Berishë

Kemi filluar përgatitjen e emisioni pa ia varur veshin problemeve të cilat sa më shumë mundohemi t`i evitojmë aq më keq na zgjerohen, sikur përpjekjet për të dalë nga zalli i gjallë. Tani e tutje po bëhemi imunë dhe në këtë ndeshtrashë.

Nga Zona Operative e Shalës na kanë njoftuar se sot po zhvillohen luftime të ashpra në fshatrat e rrethit të Vushtrrisë  si në Bukosh, Navalan, Ashlan e në vende të tjera. Luftimet janë zhvilluar në distancë të zjarrit të armëve të këmbësorisë. Ende nuk kemi lajme për pësimet eventuale nga ana jonë.

Edhe në fshatrat e Anadrinit ka luftime sporadike, ndërsa detonimet e fuqishme vijnë nga fshatrat e Klinës. Këtu në Rrafshnaltë, dëgjojmë detonime të fuqishme edhe në Dukagjin, por ende nuk kemi informacione lidhur me zhvillimet atje. Përforcime dhe dislokim forcash janë shënuar edhe në rrethinën e Kaçanikut dhe të Hanit të Elezit. Pritet që edhe atje të fillojë ofensiva.

Kjo përgatitje e fortë ushtarake e okupatorit është presion në Konferencën e Rambujesë por edhe mospërfillje e faktorit vendimmarrës ndërkombëtar. Mendoj se perëndimi e veçmas, Amerika, me kohë i kanë kuptuar problemet e vërteta, por e keqja qëndron në faktin se ata si zakonisht për t i detyruar dy palë të pajtohen e dëmtojnë atë më të dobëtin, më të dëgjueshmin.

Në selinë tonë në Berishë në mbrëmje ka ardhur Ajvaz Berisha me vëllanë e tij, Çaushin profesor i filozofisë. Së bashku me ta ka ardhur dhe një ushtar. Kemi biseduar me Ajvazin dhe Çaushin rreth mundësisë së angazhimit të tij në radhët e stafit, por ai pranon se nuk e njeh profesionin e gazetarit.

Ka mbetur që të bisedojmë edhe me Martinin, Beratin dhe Nezirin në mënyrë që t`i hulumtojmë mundësitë dhe nevojat tona për të caktuar ndonjë punë edhe për Çaush Berishën, i cili qysh herët është kyçur në radhët e UÇK-së.

Në orët e vona të natës Berishën dhe tërë Rrafshnaltën e ka përshkuar një shtrëngatë me stuhi sa kishin frikë mos po na rrëmben edhe kulmin e odës. Edhe pse zjarri në stufë nuk shuhet tërë ditën e deri natën vonë kur fryn këtu as muret nuk e presin. Isa dhe Martini janë ftohur. Simptoma të një gripi të keq po më lajmërohen edhe mua…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Masakra, krime dhe marrje peng e popullatës civile nga forcat okupatore. (E martë 27 prill, 1999)

Sot sikur ka filluar të përmirësohet moti. Qysh në mëngjes janë ngritur aeroplanët e NATO-s …