Ahmet Qeriqi: Monologu i sharlatanit shqiptar

– Jemi popull hyjnor dhe shqip kemi folur qe 30.000 vjet. Ne u  kemi dhënë emrat fushave qyteteve e krahinave të tërë Evropës, jemi nga farë e parë pellazge, mbase edhe kemi pirë qumësht pelash, ashtu si hunëzakët tanë të mirë që kanë ngelur  në Azi ashtu si romakët bijë, të ulkonjave e grekët, që mbajnë veten si  bijtë e dritës, të heliosit, gjoja, bij të diellit.

– Jemi raca që e kemi ndërtuar botën për së mbari, po ja që bota përreth nesh është e egër, është mos-mirënjohëse, nuk po na i jep të drejtat, nuk po na i kthen trojet nga Ararati, që na i ka zaptuar Turqia, deri në Peskara të Italisë, ( një toponim tipik i begatisë dhe mbarësisë së madhe shqiptare) pastaj deri të Lumbardhia e Lumi Po, që grekët hileqarë  i shtuan atë “mos”, dhe doli mbrapshtë “Potamos”.

Dikur shtriheshim prej Detit Egje, nga ku mbiu egjra e deri te vendi ku e kemi endur linin, ku e kemi bërë lirin, deri në Berlin, e deri në Bukuresht, që dikur ishte Bukurishte por na ndërruan vllahët, vëllezërit tanë të parë.

A nuk është fjala vëlla, nga vëllah?

Po ja që këta vëllezër të lashtë nuk po na duan më e si të na duan, kur ne nuk e duam as vëllanë, se lërë më fqinjët.

– Të tillë  jemi ne disa nga mendjendriturit shqiptarë, madje  edhe kur na thonë “sharlatanë”, nuk e bëjmë qejfin qeder, sepse  edhe kjo fjalë e jona është.  Na e morën fracezët, hajna, madje na i morën edhe zanoret hundoore. Edhe kjo fjalë do studiuar mirë, sepse shqip është, Shar, me siguri nga Mali i Bardhë, ku as në verë nuk shkrin dëbora, nga Shari, ndërsa ajo llatan,  mund të ketë qenë llapan, por dikush nga fqinjët na e ka ndërruar dhe e ka bërë llatan, pra, sharlatan.

Në asnjë gjuhë, kjo fjalë nuk tingëllon më mirë se në gjuhën tonë, e cila është folur para krijimit të tokës dhe Zoti e solli me rastin e krijimit të gjithësisë, por ja që u tret e po tretet.

Mund të ketë qenë edhe kjo fjalë e pellazgjishtes  sonë të lashtë, që na e kanë deformuar grekët, ata që çdo të dytën e të treten fjalë e kanë pella, pellagonia, pellazgia, pella-pella, mbase edhe fjalën tonë autentike, palla- palla  mund  të na kenë keqpërdorur.

Po ne nuk na ha palla për asgjë, sepse jemi populli më i vjetër në botë dhe pikërisht për këtë, për këtë na kanë zili, fqinjët, prandaj edhe  Evropa na ka katandisur kështu.  Na mori inat për një strofë të pa peshuar të poetit tonë të Madh, Gjergj FIshta  dhe rrethprerjes që na bënë turqit,  dhe për këto  dhe nuk po na fal.

Po ashtu nuk po na i fal as fyerjet, që i ka bërë, Enver Hoxha, Nënëmadhes tonë, Evropë.

– Grekët e vjetër shqiptarë kanë qenë dhe shqip kanë folur. Këta grekët e sotëm janë mashtrues. Homeri shqiptar ka qenë pa dyshim dhe nuk kishte lindur i verbër sikur thonë grekët, por ata duke parë se shkruante shqip, e verbuan dhe veprat e tij të mëdha i rishkruan në një gjuhë,  të cilën nuk e kuptojnë as ata, mjerisht nuk po e kuptojmë as ne…

– Serbët, kanë qenë drapnaxhinj të shqiptarëve, A nuk do të thotë “drapën” fjala serbe, “srp”?. Dikur ata ishin shërbëtorët tanë, mbase kanë qenë edhe shërbëtorë të romakëve meqë fjala “servus”, do të thotë skllav, pra serb.

Edhe Deti Kaspik yni ka qenë. Deti i Zi po se po, Deti i Kuq, gjithashtu…

– Edhe Irlanda dikur shqiptare ka qenë. Por nga Ilir-Land, sikur ishte dikur dhe që do të thotë toka e ilirëve  ajo u shndërruar në Irland.

– Edhe fjala Evropë lidhet me Evën, gjyshe-madhen e njerëzimit. Emri i kontinentit Evropë  mund të jetë sajuar nga Evë, Eva dhe “rob”, meqë ishte grua, pra robëreshë e Adamit.  Shkronjën “b” të gjuhës shqipe evropianët e bënë “p”  ndoshta dikur ka qenë një kod që ka përcaktuar gjininë.

– Të mos harrojmë se edhe Faraonët janë nga fara jonë, madje kjo është krejt  e qartë si drita e diellit, faraon- farajon, ka rënë një “j” por kjo ndodh në çdo gjuhë të botës.

Edhe krejt Arabistani, fara jonë është. Fjala araben do të thotë populli që bën  ara, që i punon arat.

Janë me mijëra fjalë të gjuhës shqipe kudo në botë dhe akademitë tona që nuk bëjnë asnjë punë, duhet sa më parë dhe urgjentisht  ta botojnë “Enciklopedinë e fjalëve të shqipes nëpër gjuhët e botës”. Vetëm në këtë mënyrë ne i dalim hakut gjuhës e kombit tonë. Por edhe kësaj ia kemi gjetur ilaçin.

Tani kemi një super akademi me 320 ekademca, me shkolla e pa shkolla me tituj të shumtë sa  disa nga pleqtë vështirë i bartin mbi supe, por kemi akademca edhe pa tituj, me dije superiore. Tani pasi kemi nxjerrë enciklopedinë e parë të “florinjtë”, do të nxjerrim edhe fjalorin unik botëror me fjalët e gjuhës sonë, me qëllim për ta  dokumentuar  se gjuha jonë është gjuha e perëndive, gjuha e Adamit dhe e Evës dhe gjuha e tërë botës. Nuk janë pak 320 akademca sa për fillim sepse Akademia jonë është e hapur dhe në të mund të regjistrohen edhe  3000 brenda vitit.

– Le ta dijë bota se ne ishin të parët dhe le të na  japë hakun. Nuk po kërkojmë të na japim krejt botën apo krejt Evropën, por të paktën të na japin Serbinë, Greqinë, Malin e Zi e Bullgarinë, sepse tonat kanë qenë dhe këtë e dëshmojmë me ADN-në e gjuhës shqipe, gjuhës së vjetër 30.000 e ndoshta 300.000 vjet.

– A nuk është puro shqip fjala Ballkan, e cila përbëhet nga dy fjalë: “ballë,-balli“, pra pjesa kryesore e kokës dhe folja “kam”, në vetën e tretë shumës do të thotë kanë-ballë, pra Ballkan.

Dikur ky vend ishte Balli i Ilirisë Pellazgjisë, ku të parët tanë jetonin në paqe e mirësi, dhe ku shtëpia e Shqiptarit ishte e Zotit dhe e mysafirit, sikur e ka lënë Leka, jo ky Lekë Dukagjini sikur themi ne, por Leka i Madh, shqiptari më i madh i të gjitha kohëve. Por  duke qenë shtëpi e mikut dhe e Zotit erdhën dhe u futen do do raca të këqija dhe na dëmtuan, andaj duhet që këtë pikë të kanunit të Lekës ta shpallim “non gtata” sepse me siguri dikush ia ka falsifikuar Lekës, këtë nen të Kanunit.

Por, duhet pranuar me keqardhje faktin se të parët tanë nuk kanë qenë shumë vigjilentë. Pas një kohë erdhën fqinjët tanë si barinj e lypsarë, dhe ne si racë humane ua hapëm potat, i pranuam si mysafirë nëpër shtëpi, sepse shtëpia jonë është e Zotit dhe e mikut.

I morën për të na punuar, dhe pas një kohe ata u futen brenda, u shumuan e na kthyen shpinën dhe meqë ishin të pafytyrë, na morën tokat që ua kishim dhënë për të punuar në to.  Kështu na punuan fqinjët tanë drapnaxhinj e barinj.

Këtë fakt duhet mirë t’ ia bëjmë me dije Evropës, e cila nuk po na i jep të drejtat, që na takojnë.

– Por kurrë nuk duhet të harrojmë se jemi popull hyjnor, kemi folur shqipen qe 30.000 vjet, u kemi dhënë emrat fushave qyteteve e krahinave të tërë Evropës por edhe shumë shteteve të botës, andaj edhe thërrasim  trurin shqiptarë, që ka ikur jashtë, sepse në atdhe nuk po gjejnë shprehje, thërrasim atë tru të pasur e të pastër që sa më parë ta hartojmë “Enciklopedinë botërore”, ku do ta dëshmojmë me fakte se jemi yndyra, pra ADN-ja e njerëzimit.  Shikona pra ADN- ANDYRË, krejt shqip, kode shqip…

– Andaj bota duhet të ketë kujdes kur përmenden shqiptarët, sepse ne jemi të parët  e të parëve, të të parëve, meqë ashtu deshi vetë Zoti, Zeusi pra, Zoti i zotërave që edhe këtë fjalë na e kanë marrë grekët, fqinjët tanë pisanjosë që na kanë fëlliqur edhe vendin me tërë ato varreza dhe nuk u vije fare turp, madje vinë në mes të Shqipërisë dhe na shajnë e na fyejnë, na thonë se jemi qen e kafshë. Po ne si populli i parë i borës jemi durimtarë, sepse tekefundit edhe këta janë fëmijët tanë shkapërdarë.

Por ne duke qenë populli më i vjetër dhe më human i botës nuk reagojmë në gjuhën e tyre, sepse  jemi të qytetëruar. Edhe po të vinë grekët e të na i marrin gratë tona, për pak ditë, nëse do të jetë me pëlqimin e tyre, pra të grave tona,  ne do t’ ua japim sepse jemi të kulturuar, jemi puro pacifistë botërorë, jemi yndyra e njerëzisë. Edhe ashtu ne Greqi kemi 40.000 gra që merren me zanatin më të vjetër në botë, zanatin tonë pra, sepse ne jemi më të moçmit në botë. Çdo gjë e kërkojmë me paqe, mirësi, mirëkuptim, dashuri, lutje, përulësi, përkulje… me lepe-peqe, moljim lepo, yes-oky. Andaj  bota duhet të ketë kujdes për ne, sepse shembulli i gjenit  të popullit tonë i përket ardhmërisë së njerëzimit.

– Ne nuk fyhemi kur na thonë sharlatanë, sepse sharlatanë e mjeranë janë vetë ata që nuk i pranojnë këto fakte, dhe mijëra fakte të tjera që kanë sjellë etërit tani të pellazgjisë, arefët, berefet, derefet, gerefët dhe emrat e shkencëtarëve tanë në inicialet e 36 shkronjave tona hyjnore, që nuk i ka asnjë gjuhë në botë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …