Ahmet Qeriqi: Ndihma humanitare nga ajri edhe në Malet e Berishës. Edhe tre dëshmorë varrosen në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë. (E shtunë 12 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Ndihma humanitare nga ajri edhe në Malet e Berishës. Edhe tre dëshmorë varrosen në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë. (E shtunë 12 qershor, 1999)

Rreth orës 5.30 minuta është dëgjuar ushtima e një aeroplani. Më vonë kemi konstatuar se nga ajri në malet e Berishës, janë hedhur artikuj ushqimorë.

Nusreti ka dalë për të parë se ç po ngjet dhe pas pak është kthyer me dy pako të zbrazëta. Ushqimet ku di ku kanë tretur në këto humbëtira malore. Fshatarët megjithatë do t`i gjejnë…

Sot po bën vapë e padurueshme. Moti nëpër këto male asnjëherë nuk është stabil. Re të dendura të tymit të zi edhe sot po e mbulojnë Drenicën. Përgjithësisht ajri është i ndotur por këtu ku jemi ne fryjnë erërat dhe sakaq shpërndahen gazrat.

Rreth orës 10 në tendë kanë ardhur, Hilmi Ramadani, Vehbi Zeqiri nga Varigovci dhe Ali Mullini i Pjetërshticës. Hilmiu na tregon se sot do të varrosen të tre të rënët në Vreshtat e Senikut më 3 qershor. Në fillim mendova se është gjetur edhe trupi i pajetë i Milaim Behës.

Ndërkohë Martin Çuni i solli të tre emrat e ushtarëve të rënë dëshmorë.  Në mesin e tyre ishte edhe emri i Milaim Behës. Edhe pse i sëmurë dhe i lodhur së bashku me Nezir Myrtajn jemi nisur në drejtim të Kleçkës për të marrë pjesë në varrim. Një ushtar në Divjakë na njofton se, përveç Kujtim Krasniqit dhe Ejup Kryeziut, dëshmori i  tretë është Shaqir Hoxha i Shalës, i rënë më 24 prill, në Grykë të Nekocit. Sot do të rivarroset në Varrezat e dëshmorëve. Trupi i Milaim Behës ende nuk është gjetur.

Ushtari po ashtu na ka njoftuar se varrimi është kryer para një ore.

Më vjen keq që ne duke u mbështetur në informatën që e solli Martini nga Shtabi e kemi dhënë gabimisht informatën lidhur me emrin e luftëtarit, Milaim Beha.

Për të mos u krijuar huti, e kam porositur Fatmir Dugollin që sonte të shkojë në Pjetërshticë, ku aktualisht është vendosur familja e Mehdi Behës, për të bërë me dije se lajmi për varrosjen e Milaimit ka qenë i gabuar. Pas transmetimit të programit Fatmiri është nisur në rrugën e tij pesorëshe këmbë  prej Berishës në Pjetërshticë.

Vapa e sotme e padurueshme  solli më në fund një shi të rrëmbyeshëm që ra si me rrëshek. Vazhdimisht kur varrosim dëshmorë bie shi. Është ky një paragjykim që është krijuar në popull. Mirëpo rëniet e dëshmorëve ditëve të fundit janë shumëfishuar.

Lufta na i mori bijtë më të mirë, luftëtarët më të përkushtuar, emblemat e luftës dhe dinjitarët e lirisë. Ende nuk dihet për fatin e Milaim Behës. Është e pamundur të jetë ndër të gjallët. Elezi më ka treguar një të dhënë që qëllimisht nuk e kam përhapur, përderisa nuk është gjetur trupi. Atij i ka thënë ushtari që ka shpëtuar se ka dëgjuar zërin e Milaimit kur ka thënë.

-Më prishi bre, dhe duke e mbajtur gjoksin është lëshuar në tokë.

Milazim Beha dhe Adnan Muharremi kanë depërtuar në vend-rënien e tij por ende nuk e kanë gjetur kufomën. Si duket, me tërë forcën e fundit ai ka dredhur rrugë por nuk ka gjasa që mund të ketë bërë tutje.

Bëhet e ditur se sot trupat amerikane kanë hyrë në Kosovë. Përnjëherë pas tyre kanë filluar të kthehen edhe të dëbuarit, edhe pse autoritetet ndërkombëtare kanë paraparë kthimin e organizuar gradual…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Stafi i Radios dhe i Agjencisë nga Krojmiri dyndet për në Berishë (E hënë 28 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Stafi i Radios dhe i Agjencisë nga Krojmiri dyndet për në Berishë (E hënë 28 dhjetor, 1998)

Sot në mëngjes kemi filluar përgatitjet për bartjen e mjeteve dhe të pajisjeve në drejtim …