Ahmet Qeriqi: Në Ferizaj, si pasojë e një eksplodimi në qendër të qytetit kanë marrë lëndime 9 qytetarë shqiptarë, (13 shkurt,1999)

Ahmet Qeriqi: Në Ferizaj, si pasojë e një eksplodimi në qendër të qytetit kanë marrë lëndime 9 qytetarë shqiptarë, (13 shkurt,1999)

Martin Çuni ende nuk është kthyer nga rrugëtimi i tij nëpër bastionet çlirimtare të Drenicës. Ai na ka lajmëruar përmes telefonit se është mirë dhe po bën përpjekje të tubojë sa më shumë materiale nga terreni. Këtu në seli telefonat e tyre mobilë i kanë Nusret Pllana, Berat Luzha dhe Ismet Sopi.

Berati dhe Nusreti mbajnë kontakte të vazhdueshme me familjet e tyre. Shpeshherë në rast të mungesës së valëve apo të kartelave ata e shfrytëzojnë edhe telefonin satelitor të Radios dhe të Agjencisë. Këto gjëra nuk më pëlqejnë, por ja që kështu ndodh.

Nga Ferizaj na bëjnë me dije se sot  në qendër të qytetit ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm i një lënde eksploduese. Duke qenë se është ditë tregu dhe në qytet ka lëvizje të dendur të popullatës, bëhet e ditur se lëndime të rënda kanë pësuar nëntë qytetarë shqiptarë. Numri definitiv ende nuk dihet. Të gjithë të lënduarit janë shqiptarë. Sipas të gjitha gjasave kjo është vepër e Shërbimit sekret serb,  ose e ndonjë grupimi të ri fashist, të ngjashëm me grupet që kanë vepruar gjatë luftës në Bosnje. Ky shpërthim ka shkaktuar panik te qytetarët, meqë pritet ndonjë shpërthim tjetër me pasoja fatale, sidomos ditëve kur ka lëvizje të shumta të njerëzve. Gjithnjë e më tepër po dëgjohen të dhëna për ekzistimin e një grupi fashist të quajtur  Crna ruka, Dora e zezë. Kështu është quajtur dikur një organizatë terroriste serbe, e cila gjatë Luftës së Parë Botërore ka kryer atentate mbi personalitete të caktuara.

Edhe sot kemi transmetuar 40 minuta program ditor. Si zakonisht nuk mungojnë komentet apo shënimet, ndonjë emision tematik për dëshmorët dhe këngët patriotike, gjithnjë sipas selektimit dhe shijes së Nusret Pllanës.

Meqë po bën mot i lig dhe me dëborë nuk kam shkuar në Krojmir. Këtu e kalojmë kohën duke punuar dhe duke biseduar për problemet aktuale.

Forcat serbe të cilat janë përforcuar në drejtim të pozicioneve tona tani për tani vetëm po e vëzhgojnë terrenin. Ata nganjëherë granatojnë. Për shkaqe sigurie apo frike gjatë natës pa ndonjë cak zbrazin rafalë  mitralozash. Ata nuk e kursejnë municionin i cili iu vjen me kamionë, ndërsa ushtarët tanë për një kallash dhe pak municion duhet të rrugëtojnë ditë të tëra deri në Shqipëri, duke iu ekspozuar edhe rrezikut permanent, për jetë.

Këtu edhe është epërsia morale e ushtarëve tanë. Kjo më bën të fortë dhe i besoj fitores, sepse ushtarët i kemi tejet të përkushtuar dhe te të gjithë është ngulitur vetëdija se kthim prapa nuk ka.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Grykë për të mësuar se si po gjallohet këtu …