leoni

Ahmet Qeriqi: Në malet e Berishës jehon zëri paralajmërues i fitores. Fillojmë emetimin në valët e Radios-Kosova e Lirë, 4 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Në malet e Berishës jehon zëri paralajmërues i fitores. Fillojmë emetimin në valët e Radios-Kosova e Lirë, 4 janar, 1999

Herët në mëngjes, si zakonisht me Elez Durmishin dhe Ali Mullinin, jemi nisur në drejtim të Kizharekës. Aliu na çon me veturë deri në udhëkryqin e dy grykave. Gryka në të djathtë çon drejt maleve të Llapushnikut, ndërsa drejt shkohet në Berishë.

Aliu gjatë ditës  kryen edhe detyra të tjera, ndërsa në mbrëmje na pret në vendin e caktuar.

Rruga nëpër Grykë është e mundimshme, meqë është përpjetë dhe e zënë nga shtresa të mëdha të dëborës. Kemi arritur në selinë e Radios dhe të Agjencisë të lodhur e të dërrmuar.

Sot kemi bërë përgatitjet e fundit  për të filluar programin eksperimental të Radios-Kosova e Lirë. Sërish kemi probleme me gjeneratorin. Nga temperaturat e ulëta nafta po ndizet me vështirësi.

Nga Prishtina kanë ardhur Blerim Peja dhe dy teknikë.

Martin Çuni dhe Nusret Pllana i kanë finalizuar përgatitjet paraprake.

Emisioni i parë do  të ketë karakter paralajmërues.

Në orën 13. nga selia e Shtabit në Divjakë kanë ardhur: zëdhënësi Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Hoxha, (një ushtarak i cili prezantohet si Nuri beu i Tetovës), Idriz Hyseni, Adem Grabovci, Elez Durmishi, Blerim Peja dhe teknikët, unë, Berat Luzha, Martin Çuni, Isë Krasniqi, Rizah Berisha, Milaim Berisha  si dhe komandanti i Togës së Berishës, Fadil Berisha dhe disa ushtarë të shtabit lokal.

Në orën 15.30 minuta i kemi bërë të gjitha përgatitjet. Transmetuesi, mikseta, deku e pajisjet e tjera janë vendosur në xhip. Antenën e kemi  montuar në degët e një dardhe afër vend-transmetimit. Tekniku nga Prishtina Xhevdet Gashi, ka bërë testimin dhe në orën 15.54 minuta ka filluar të shpërndahet në eter xhingla paralajmëruese e programit. Tre tinguj të thellë, të ngadalshëm sikur vijnë nga thellësitë e historisë së gjatë e të mundimshme, për të vazhduar me tre tinguj të tjerë të shpejtë që zërojnë fuqishëm në tri shkronjat e së lavdishmes Ushtri Çlirimtare të Kosovës.

Emetimi i tingujve ka zgjatur gjashtë minuta.

 Pikërisht në orën 16.00 u dëgjua lajtmotivi i aspiratës historike “Ju flet Kosova e lirë”, “Ju flet Kosova e Lirë”. Pastaj ka filluar emetimi i Himnit Kombëtar interpretuar nga kori. Spikeri Nusret Pllana ka lexuar Lajmin për hapjen e Radios dhe të Agjencisë.

Në mesin e të tubuarve disa ushtarë në shenjë suksesi e fitoreje kanë shkrehur nga një rafal me automatikët e tyre.

Rafalë kanë jehuar edhe nga disa anëtarë të Shtabit. Transmetimin e emisionit të parë e përcjellim përmes transistorëve në valën 101 megaherc FM.

Urimet, përgëzimet, përqafimet shënojnë një fitore më tepër të armës çlirimtare, por edhe fillimin e një obligimi shumë të rëndë, për ta mbartur mbi supet tona edhe ashtu të stërngarkuara me mund e vështirësi.

Jemi nisur në rrugën e lirisë dhe  kthim prapa nuk ka.

Për këtë jemi të vetëdijshëm të gjithë.

Më duket si ëndërr, por është e vërtetë.

Sot kemi transmetuar emisionin e parë të Radios-Kosova e lirë.

Lajmin e kemi dhënë edhe përmes Agjencisë.

Sot kemi shkruar një faqe të ndritur të historisë së informimit në Kosovë.

Si do të pritet në opinion ky zë lirie?

Sa kohë do të mund ta mbajmë?- mbetet për t`u parë.

 Të gjithë së bashku jemi kthyer në odën e Rizah Asllan Berishës. Pa vonuar unë dhe Elezi  lëshohemi teposhtë në rrugën nëpër zabel, drejt “Mrizve”. Në Grykë të Kizharekës na pret, ushtari nga Pjetërshtica, Ali Mullini.

Nisemi rrugës tonë të përditshme nëpër dëborë, akull e gropa.

Arrijmë në Krojmir.

Në orën 18.30 nga Prishtina ka ardhur Nezir Myrtaj. Ai, ka dëgjuar që kemi filluar punën dhe ka ardhur me qëllim, që tani e tutje të qëndrojë dhe të punojë së bashku me ne, në Berishë.

Neziri na ka rrëfyer edhe për vrasjen pas shpine të Enver Tefik Gashit. Tani për tani nuk dihet saktësisht, por ka të dhëna që këtë krim ta kenë kryer paramilitarët serbë të grupimit që vetëquhet, “Dora e zezë”. Me siguri ndonjë bandë kriminelësh serbë.

 Sqarim!

Me rastin e rishkrimit në kompjuter të Kronikës, data e 4 janarit të vitit 1999 është zgjeruar dhe është plotësuar me emrat e mbiemrat e pjesëmarrësve  në ditën e fillimit të transmetimit, si  dhe është pasqyruar entuziazmi i asaj dite historike për informimin në zonat  që i mbante nën kontroll Ushtria Çlirimtare e Kosovës…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat okupatore serbe kanë vazhduar ofensivën në Zonën e Neredimës dhe në Drenicën Qendrore (E mërkurë 21 prill, 1999)

Vazhdimisht po na përcjellë një mot i lig me të reshura shiu dhe me ndërrime …