Ahmet Qeriqi: Një delegacion i Kosovës udhëton papritur në Shkup. Në këtë përbërje janë Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova dhe Veton Surroi, 30 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Një delegacion i Kosovës udhëton papritur në Shkup. Në këtë përbërje janë Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova dhe Veton Surroi, 30 janar, 1999

Ali Mullini sot është vonuar. Ai ka pasur një shqetësim të papritur. Pasi ka ardhur dhe jemi nisur në drejtim të Kizharekës më njofton se një ushtar i Shalës, nga Lagja e karpuzëve e ka plagosur rëndë një djalë 12 vjeçar, një të afërm të tij të Pjetërshticës, që është po ashtu kushëri i Aliut.

Këtij ushtari të padisiplinuar, Ramiz Qeriqi- Luani ia ka pas marrë armën për shkak të sjelljeve të tij të pamira. Mirëpo dikush në ndërkohë ia ka kthyer armën dhe e kanë pranuar sërish në radhët e UÇK-së.

Plagosja ka qenë aksidentale, edhe pse shumë e ligë meqë ky farë ushtari mburravec duke luajtur me revole ia ka futur revolen në gojë për ta frikësuar dhe e ka shkrepur pa e ditur se revolja është e mbushur. Problemi është mbyllur meqë familjet janë marrë vesh dhe e kanë  mbuluar. 12-vjeçari i plagosur në gojë ka shpëtuar por është në gjendje të rëndë shëndetësore. Edhe kësaj radhe nuk janë marrë masa kundër këtij ushtari, sepse familja e tij e paska njëfarë lidhje me ata atje lart, kështu e komenton Aliu këtë aksident të rëndë dhe të dënueshëm.

I lodhur nga rruga dhe dëbora e madhe në Berishë kam arritur rreth mesditës. Martini me të tjerët kanë filluar përgatitjen e emisionit.

Lajmet nga Dukagjini bëjnë të ditur se në mesin e luftëtarëve të rënë është edhe Agush Gjoci, Agim Zeneli dhe disa eprorë të tjerë. Martini na bën me dije se në mesin e të rënëve është edhe djali i hallës së tij, Gaspër  Karaqi.

Burimet e lajmeve bëjnë të ditur se sot janë nisur për në Shkup një delegacion nga Kosova, i cili do të takohet me zyrtarin e lartë anglez, Robin Kuk.

Në këtë delegacion marrin pjesë, Adem Demaçi në cilësi të përfaqësuesit politik të UÇK-së, akademik Rexhep Qosja kryetar i LBD-së, Ibrahim Rugova kryetar i LDK-së dhe Veton Surroi botues i një gazete ditore në Kosovë. Për Surroin thuhet se ka shkuar si rezervë në rast të mungesës së Rugovës.

Në mbrëmje përmes linjës telefonike, Berat Luzha ka intervistuar Adem Demaçin i cili është treguar tejet skeptik në përbërjen e delegacionit. Ai po ashtu nuk ka vërejtur ndonjë element të veçantë të këtij takimi përveç rutinës së zakonshme dhe retorikës boshe.

Intervistën e plotë të Demaçit  nesër do ta transmetojmë në radio, ndërsa sonte e kemi transmetuar në selinë e Agjencisë në Cyrih të Zvicrës.

Në mbrëmje kam hartuar një shënim përkujtimor me rastin e dyvjetorit të rënies së Zahir pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, të cilët më 31 janar të vitit 1997, ranë heroikisht në Pestovë të Vushtrrisë në përleshje me forcat e shumta serbe të cilat kishin zënë pritë nga të gjitha anët.

Zahir Pajaziti ka qenë një komandant i UÇK-së për LLap. Unë edhe Neziri e kemi njohur mirë meqë na vizitonte herë pas herë në selinë e PPK-së,  në Prishtinë.

Lajmin për rënien e Agush Gjocit e kam pritur me dhembje të veçantë. Ka qenë një djalë me yll në ballë, një luftëtar trim dhe tejet i përkushtuar, në luftë për çlirimin e vendit. Për herë të fundit me Agushin jemi parë ditën e varrimit të dëshmorit, Ramadan Elshani, nipi i Ramiz Qeriqit,  në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë imponimet dhe papërgjegjësia (E hënë 3 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë imponimet dhe papërgjegjësia (E hënë 3 maj, 1999)

Në mëngjes Elhamiu dhe Epiri, së bashku me Fatmir Dugollin janë nisur për në Berishë. …