Ahmet Qeriqi: Një ditë me shqetësime në Grykën e Shpëtimit, ku aktualisht gjallojnë rreth 28.000 të zhvendosur (E mërkurë 9 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë me shqetësime në Grykën e Shpëtimit, ku aktualisht gjallojnë rreth 28.000 të zhvendosur (E mërkurë 9 qershor, 1999)

Jam zgjuar herët. Nuk kam fjetur tërë natën nga lodhja dhe dhembja për të rënët. Kam emocione të pakontrolluara nga lodhja dhe shqetësimi. Edhe Zymrytja është lodhur dhe ndihet tejmase e brengosur. Epiri ende nuk është kthyer nga roja në Krojmir ku po dëgjohen granatimet. Labja dhe Rrezja janë të shqetësuara. Arbana ka shkuar për të mjekuar të plagosurit e mbetur. Vetëm Zamiri me gjeneratën e tij të luftës sikur janë shndërruar në paralajmërues të sigurt të fitorës. Ata marshojnë fitimtarë, duke kënduar këngë patriotike…

Rreth orës 10 në tendë kanë ardhur motra dhe Vëllai i Milaim Behës.

Ata kanë ardhur me qëllim që të mësojnë nga unë ndonjë informatë. Të dy në moment shpërthejnë në lot. Nga sytë e kuptoj dhembjen e tyre dhe mundohem të mos jepem, duke iu bërë me dije se derisa nuk dihet asgjë e sigurt  duhet të kemi shpresë se nuk ka ndodhur më e rënda. Blerimi është 17 vjeçar, ndërsa Xhevrija 19 vjeçare, moshatare e Rrezartës. Ata i fshijnë lotët të cilët iu dhjedhin si bulëzim i pastër i sythave pranverorë…

Pak më vonë ka ardhur Arbana dhe më ka treguar rrëfimin e ushtarit Hafir nga Pagarusha, nga i cili ka bërë të ditur se Milaimi ka qenë në radhët e para. Zjarri është këmbyer edhe nga radhët e luftëtarëve në drejtim të pritës, por pas pak është ndërprerë. Ka gjasa që Milaimi i plagosur të jetë tërhequr në ndonjë pozicion tjetër, edhe pse kanë kaluar pesë ditë dhe nuk ka informata të tjera.

Rreth mesditës kanë ardhur Sylë Qeriqi dhe Elez Durmishi. Ata më kanë bërë me dije se forcat serbe kanë depërtuar në Krenë të Blinajës ku kanë vendosur një njësit tankist. Nuk ka përparime me këmbësori dhe situata e përgjithshme është nën kontroll. Pikat e hyrjes në Grykë janë përforcuar në të gjitha aspektet. Luftëtarë tanë janë kudo në pozicionet e tyre në Kodër të Carralevës, në disa pika strategjike në Zborc dhe në Blinajë dhe përreth grykave prej Pjetërshticës deri në Kizharekë.

Ndërkohë ka ardhur Heset Sahiti i cili po ashtu ka sjellë lajme mbi të vrarët dhe të plagosurit në radhët e popullatës civile, në Blinajë. Ai po ashtu më ka treguar se gjatë një tërheqjeje të popullatës të ndjekur nga bandat serbe, në krye të detyrës ka rënë dëshmor, luftëtari, Xhavit Koxhani nga Fshati Ribar i Madh.

Kanë ardhur për të biseduar dhe për të rrahur çështje e probleme aktuale edhe Ramadan Rizani, Heset Hamdiu, mjeku Naser Bytyqi, Ajvaz Karpuzi i cili ka marrë një ditë pushim për ta parë familjen meqë ndodhet në frontin e Tërpezës, pastaj Isë Qeriqi, Vehbi Qeriqi dhe shumë të tjerë.

Të gjithë kemi  të njëjtin shqetësim. Si të mbijetojmë këtu në rrethim të forcave serbe në krizë permanente të urisë. Ramadani dhe Hesti bëjnë me dije se  aktualisht në Grykën tonë, në Lezhë dhe në pllajat e Javurit janë më shumë se 28.000 të zhvendosur. Tanimë rrugëtimi nëpër grykë mund të bëhet vetëm këmbë, ndërsa rruga për transport të mjeteve është rregulluar nga ana e epërme e Grykës. Këtu  është vendqëndrimi më masiv i popullatës së zhvendosur në zonat e luftës.

Në orët e vona të mbrëmjes përmes tranzistorit kam mësuar se serbët kanë nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur teknike të Kumanovës, e cila parasheh largimin e forcave serbe prej sot deri më 21 qershor. Lajmin e kam dëgjuar edhe nga radiostacione të tjera dhe më duket se duhet të jetë i vërtetë.

Kjo si duket ka qenë edhe dita vendimtare. Nuk kam ide se ç do të ndodh por e di se serbët edhe gjatë tërheqjes mund të na godasin dhe mund të shkaktojnë tragjedi, sidomos në radhët e popullatës civile.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Lajmet që po përhapen nga terreni, bëjnë të ditur se në të gjitha vijat e …