Ahmet Qeriqi: Përpjekjet e disa “studiuesve” dhe “skribëve” të papërgjegjshëm për ta deformuar të kaluarën

“Epoka” e demokracisë u solli shqiptarëve shumë liri dhe favore, fjalën dhe mendimin e lirë, kapardisjen intelektuale, mujsharinë politike dhe garën pa fre për ta reklamuar veten, për ta rishikuar të kaluarën, për ta rishkruar atë, secili sipas mënyrës dhe bindjes së vet. Kjo garë marramendëse, ky “turr” i të gjithëve kundër të gjithëve, ka krijuar një atmosferë kaosi dhe përzierje të vlerave deri në atë nivel, sa tashmë nuk dihet se kush çka shkruan, kush çka boton, kush kë e sulmon apo e denigron.  Kjo liri pa fre, pa kufi,  ka bërë që secili shqiptar që di shkrim lexim të ndihet intelektual, shkrimtar, shkencëtar, poet, politikan, patriot, publicist, e çka jo.  Kjo gjendje konfuze me institucione të brishta dhe mungesë elementare të përgjegjësisë individuale, deri në një masë edhe kolektive, ka bërë që vlerat e mirëfillta krijuese të shpallen antivlera dhe antivlerat të reklamohen si vlera.  Në këtë rashomoniadë tragjike-komike, sjellim, në kujtesë “Pesë anarkitë” e Nolit për të zbuluar se sa aktuale janë sot, afër 90-vjet pas, këto dhe shumë anarki e marrëzi të tjera me të cilat po ballafaqohemi përditë.


 


Noli, duke i bërë një përshkrim realist gjendjes në Shqipëri në vitet ’20,  thoshte:


“Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.


Këtu brenda një dite, si me magji, tradhtari  bëhet patriot dhe patrioti, tradhtar. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme, ose ata që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar të shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu, si më thoshte një mik, është më mirë që njeriu të jetë tradhtar e të shikojë interesat e tij, sepse kështu do të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh. Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buharasë, përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla, më elegante e më të ndritshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këto mund ti copëtosh, por jo ti shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën e anijeve  të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi gjersa i’a prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’iu presësh jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin”.


 


Kështu thoshte Noli i Madh duke stigmatizuar karakteret e dobëta dhe të qullëta të disa njerëzve tanë, të cilët nuk lënë gurë pa lëvizur vetëm për të arritur qëllimet e tyre, për ta pasur kungullin çdoherë mbi ujë. E interpretova Nolin, me qëllim për të përkujtuar se zezonat tona nuk janë prodhim vetëm i kohës sonë, por janë edhe trashëgimi gjenetike e lindorëve shqiptarë, që pretendojnë se janë perëndimorë, sikur i kishte identifikuar, po në atë kohë, edhe mendimtari i madh shqiptar, Kristë Maloku.  Për më shumë, mendoj se tashmë lindori dhe perëndimori janë bërë një dhe kanë krijuar përfaqësuesin tipik të shqiptarit aktual, që pretendon se është mjaft i pajisur me dije, shqiptarin  tjetër, që është i veshur me pushtet, që thirret në meritat e tij individuale, familjare, në meritat e fisit, të bajrakut e të oxhakut, që ka krijuar pasuri dhe begati dhe me këtë mundohet ta fshijë  të kaluarën  e errët, mundohet ta minojë atë, ta përshtatë për vete, ta adaptojë, ta amputojë si ia ka qejfi dhe skizofrenia e tij e sëmurë.


 


Sharllatanët e lagjeve duan të na rishkruajnë historinë, sipas shijeve dhe dijeve të tyre. Ata, me mendjet e tyre, kanë krijuar bindjen se janë më të diturit, më trimat dhe më kompetentët për të na treguar se  për 100 vjet e paskemi mësuar gabimisht historinë e kombit tonë. Këta,100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duan të na bindin se vetëm një shqiptar paska qenë shqiptar i vërtetë, i vetmi prej tyre na qenka, Hasan Prishtina, ndërsa  të tjerët: si Ismail Qemali, Isa Boletini, Idriz Seferi, Fan Noli, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Çerçiz Topulli,  nuk paskan asnjë meritë, madje-madje u dashka të gërmohet në të kaluarën e tyre,  për t i paraqitur si pro-serbë, pro-grekë e pro-pro të tjerë, por kurrsesi atdhetarë. (!) Këta mendje-terratisur na sjellin në kujtesë bëmat fantastike të Don Kishotit e të Sanço Panços, por edhe  personazhin e Bali Katravellës të humorit e satirës popullore shqiptare.


 


Sa të mjerë janë këta njerëz përderisa mendojnë se me para, me botime e ribotime librash, me blerjen e pakurrizorëve, që shkruajnë me porosi,  mund të rrënohet historia e përgjakshme e këtij kombi, pa na treguar se çka kanë dhënë për kombin ata vetë, përveç “kontributit” që kanë dhënë dhe po i japin përçarjes, pa na treguar se ku kanë fshehur prapanicat, bashkë me kokat e tyre, kur luftohej në Kosovë, pa na treguar përse aq e rrëshqitshme  ishte bërë toka e atdheut për të ikur prej serbit, pa na treguar përse bënë turr për t’ u kthyer sa më parë në Kosovën e çliruar nga çlirimtarët e saj, të cilët, sipas tyre  as nuk paskan ditur përse paskan luftuar.


Këta “taksimistë”  të vonuar, po bëjnë përpjekje  që me libra autorialë, të cilët për fat të mirë pak kush po i lexon, të na bindin se ne, për 100 vjet paskemi mësuar gabimisht historinë dhe tani paska ardhur koha që të mësohet historia e re, e këtyre dër-mërëve, me tituj “shkencorë” dhe hiq pa tituj, me dije nën mesatare, por të aspiruar si “dije enciklopedike”, pa e lexuar madje as tekstin e Historisë së popullit shqiptar për shkollat e mesme. Afishimi i dijes në tekstet e tilla lë të kuptosh se ky soj skribësh është “arsimuar” duke lexuar gazeta, duke shfletuar portale në internet dhe duke u mbështetur në “muhabetet” e iks-ipsilonëve të forumeve të pista, që përhapin gënjeshtra duke u fshehur pas emrave të rrejshëm.


 


Ky deformimet i  njerëzve të stresuar e të hallakatur, qoftë nga konfliktet familjare,   apo klanore, qoftë nga seniliteti, qoftë nga marrëzia gjenetike, qoftë nga e kaluara shumë e përfolur për të keq, është vënë në shërbim të politikave shkombëtarizuese, që mbështeten fort nga politikat globaliste evropiane, nga ata që për ditë na japin porosi, sesi u dashka ta harrojmë të kaluarën për hir të pajtimit me serbët, edhe pse këta “komshitë” e veriut nuk na bëjnë hesap dhe kërkojnë që ne,  jo vetëm t’ u kërkojmë falje për luftën që kemi bërë, por të heqim dorë edhe nga  pavarësia, e cila është shpallur pa lejen e Serbisë, ashtu sikur e kishte shpallur Ismail Qemali, pavarësinë e Shqipërisë pa lejen  e Turqisë, të Greqisë apo Serbisë, pa lejen dhe pëlqimin e Evropës, por që çuditërisht, vendin e shpalljes së pavarësisë ia paska pas caktuar një dhespot grek.(!)


 


Këta matrapazë të tregjeve e trafiqeve e tarafeve të zeza, këta “parelij” mendojnë se gjithçka blihet me para, për faktin se gjatë gjithë jetës janë shitur me para dhe janë blerë me para.  Nuk është e çuditshme se të tillët kanë gjetur kalemxhinj, të cilët i paguajnë për të shkruar me porosi, për të njollosur këtë apo atë personalitet, për të nxjerrë të pastër disa dhe për të lërosur disa të tjerë, gjithnjë duke jetuar nën ombrellat e të tjerëve. Dikur të gjithë tok ishin futur nën ombrellat e Enver Hoxhës dhe të Fadil Hoxhës, më vonë nën ombrellat e Ibrahim Rugovës e Sali Berishës. E nesërmja ku di ku do t’i gdhijë!


 


Këta matrapazë dhe tregtarë flamujsh, në mungesë të dijes dhe arsimimit, apo për qëllime të caktuara politike, fetare e ideologjike janë vënë në shërbim të mendësisë kolaboracioniste dhe  nën petkun e luftës kundër komunizmit, ata po bëjnë  përpjekje ta rehabilitojnë fashizmin dhe satrapët e kësaj ideologjie, po bëjnë përpjekje ta amnistojnë Esat Pashë Toptanin, pro-serbin më besnik që ka njohur historia, Ahmet Zogun, Ceno beg Kryeziun, Xhafer Devën dhe kolaboracionistë të tjerë me damkë, të cilët  për fatin tonë të keq, kanë lënë prapa viruse të rrezikshme.


 


Përpjekjet për ta rishkruar një histori tjetër, nga ajo që kemi, përpjekjet për ta bindur se ne qenkemi  trojanë, dardanë e kosovarë, po jo ilirë, arbër e shqiptarë, përpjekjet për ta devalvuar luftën e UÇK-së, Shtabin e Përgjithshëm  dhe stafin e krijuar në kohën e luftës së përgjakshme, përpjekjet për t i paraqitur atdhetarë farkistët, që kishin “mrizuar”  në hotelet dhe plazhet e Shqipërisë derisa ishte kryer lufta kundër Serbisë, përpjekjet për të rehabilituar bashkëpunëtorët e UDB-së, kolonelët shqipfolës të Titos e Milosheviqit dhe të agjenturave të huaja që u kontrabanduan në Kosovë pas mbarimit të luftës,  përpjekjet për ta vënë në shënjestër luftën e pastër të UÇK-së,  vetëm për faktin se janë vrarë disa kolaboracionistë shqipfolës, natyrisht se do  të mbesin përpjekje të mjera, të përçudnuara, të neveritshme (ashtu sikur shumë përpjekje të tilla në të kaluarën) të cilat po përhapin një mjegullnajë me duhmë të keqe, por nuk do të kalojnë, sepse e vërteta dhe e drejta mund të lakohen nëpër rasat gramatikore, por nuk lakohen kurrë në përballje me realitetin, me faktet e argumentet, mbi të cilat është shkruar dhe shkruhet çdo histori e çdo kombi në botë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …