RKL: Në 134-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Prej Epopesë lavdiplote, çlirimtare dhe fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, asnjëherë nuk pushuan përpjekjet e liridashësve shqiptarë për t’u çliruar nga Perandoria Osmane, e cila për 500-vjet rresht mbajti nën robëri, jo vetëm Shqipërinë, por tërë Ballkanin, një pjesë të madhe të Evropës dhe shumë shtete ndër më të fuqishmet  të botës. Përpjekjet e përgjakura dhe të pareshtura të shqiptarëve për të krijuar një shet kombëtar, që do të përfshinte të gjitha territoret me shumicë etnike shqiptare, shënuan një kthesë afirmative, sidomos me Lidhjen shqiptare të Prizrenit, të qershorit të vitit 1878, datë kjo që kishte shënuar një moment krucial gjatë të cilit të gjitha energjitë e popullit tonë, patriotizmi i tij i pashoq, dashuria për atdheun, për tokën, për gjuhën, përpjekjet e tij politike dhe diplomatike e bashkuan atë si një grusht të vetëm për t’u bërë ballë turqve, serbëve, malazezve, gjermanëve, austro-hungarezëve, grekëve, pse që të gjithë këta së toku ishin bashkuar kundër popullit shqiptar.


 


Prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u deshën edhe 34 vjet deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912. Atëbotë shtetet fqinje të përkrahura nga Rusia Cariste dhe shumica dërrmuese e shteteve të Evropës, lejuan Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë të aneksonin  dy të tretat të territorit shqiptar, të cilin e mbajtën nën okupim për afër një shekull.


Më 17 shkurt të vitit 2008, rreth 120 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kosova shpalli pavarësinë dhe me këtë akt historik u krijuan dy shtete shqiptare në Ballkan, ndërkohë që jashtë Shqipërisë dhe Kosovës kanë mbetur një pjesë e Shqipërisë Verilindore, sikur  janë trevat etnike shqiptare në ish-RJ të Maqedonisë, Kosova Lindore dhe viset shqiptare në Mal të Zi, si dhe trojet etnike shqiptare në Greqi.


 


Prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kanë kaluar 134 vjet dhe shqiptarët, ende nuk janë bashkuar në një shtet të vetëm, sikur janë bashkuar qysh moti në krijimin e shteteve të tyre kombëtare: grekët, bullgarët e Serbët e popujt e tjerë të rajonit të Ballkanit e më gjerë. Programi kombëtar i LSHP-së ka avancuar në deceniet e fundit, por ende nuk është realizuar në tërësi.


Të besojmë se shqiptarët liridashës, kudo ku jetojnë me shumicë, në trojet e tyre etnike, nuk do të reshtin së punuari e  së angazhuari për realizimin e aspiratave të tyre kombëtare,  drejt bashkimit dhe krijimit të një Shqipërie të tërë, (qoftë ajo që quhet natyrale, etnike apo e madhe) mbi baza të parimit etnik dhe kurrsesi mbi baza të mulietnicitetit të neveritshëm, pjellë kopile e bashkim vëllazërimit të kohës së robërisë së zezë  shumëvjeçare nën Jugosllavinë tashmë  të shkatërruar në tërësi dhe të mbetur në kujtesën e popujve si një burg i rëndë, veçanërisht  burgu më i rëndë kolektiv i shqiptarëve.


 


Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878 na sjellë në kujtesë të kaluarën e lavdishme të gjyshërve tanë, të cilët me mund e gjak ruajtën e çliruan aq sa mundën, dhe në mos më shumë, ata na mësuan si luftohet dhe si duhet rënë  për atdhe, na mësuan  si nuk duhet të hiqet dorë kurrë nga aspiratat e lirisë, barazisë, drejtësisë mbi parime të reciprocitetit dhe të bashkimit kombëtar, e drejtë e natyrshme dhe e ligjshme e çdo kombi kudo në botën e qytetëruar.


 


Sot, 134 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ne përkujtojmë me pietet dhe respekt heronjtë dhe dëshmorët, të gjithë ata, të cilët gjatë kësaj periudhe historike kanë rënë në altarin e Atdheut. Përkujtojmë dhe nuk i harrojmë kurrë, veçmas: Avdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sylejman Vokshin, Mic Sokolin, Sefë Kosharen, Jakup Ferrin, Haxhi Zekën, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Dedë Gjon Lulin, Idriz Seferin,  Çerçiz Topullin, Bajo Topullin, Mihal Gramenon, Selam Musanë, Avni Rrustemin, Bajram Currin, Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Hoxhë Kadri Prishtinën, Elez Isufin, Azem Bejtën, Shote Galicën, Myslim Pezën, Mujo Ulqinakun, Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Emin Durakun, Xhemal Kadën, Asim Vokshin, Ali Kelmendin, Ibe Palikuqin, Gjon Serreçin, Mulla Idriz Gjilanin, Shaban Palluzhën, Mehmet Gradicën, Imer Berishën, Ajet Gërgurin, Shaban Shalën, Fazli Graiçevcin, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gërvallën e shumë të tjerë deri te Legjendari, Adem Jashari, dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.


 


Me mundin gjakun dhe djersën e tyre,  të bashkëluftëtarëve të tyre, në të gjitha periudhat e luftërave, sot e mot identifikohen të gjithë liri-dashësit dhe liri-bërësit, të gjithë ata shqiptarë dhe shqiptare, të cilët Atdheut dhe idealit të çlirimit e bashkimit i kanë falur jetën, mundin, djersën, diturinë dhe pasurinë e tyre.


Qofshin të paharrueshëm për jetë e mot!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …