Ahmet Qeriqi: Përreth flamurit të përbashkuar me Shqipëri të përgjysmuar

Kremtimi në nivel kombëtar i 100-vjetorit të  shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, atëherë dhe tani të cunguar, po përcillet me një eufori jo vetëm folklorike, tashmë tradicionale, por edhe politike, me një eufori, e cila nuk e mbulon dot realitetin e Shqipërisë së cunguar, të ndarë e të përçarë, të një Shqipërie të pabërë ndonjëherë dhe me shpresa të zymta për bërjen e saj në të ardhmen. Të gjithë shqiptarët që mendojnë esëll, arsyeshëm e logjikshëm e dinë fare mirë se Shqipëria nuk është bërë, se jashtë Shqipërisë kanë mbetur trojet e saj qe 100 vjet, ndërsa para 100 vitesh edhe pse të sunduar nga Turqia ata rronin në katër vilajetet  e tyre ku përbënin shumicën, po nuk mund të qëndronin më gjatë, sepse katandisja e Perandorisë do të marrte me vete Shqipërinë, të cilën Evropa e konsideronte tokë turke, provincë turke.


 


Me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë  nga Ismail Qemali, më 28 nëntor të vitit 1912, shumica e trojeve shqiptare ishin okupuar nga Aleanca e Shenjtë sllave, në krye me Serbinë, ndërsa viseve  shqiptare iu kishin vërsulur  për ta copëtuar: Greqia, Mali i Zi, Bullgaria e pak më vonë edhe nga Austro-Hungaria. Dhe nga ajo kohë e mbrapshtë e deri sot, Shqipëria ka mbetur e cunguar dhe e pa bërë, në të gjitha segmentet. Ajo, asnjëherë deri tani  nuk arriti të bëhet shtet i plotë, ku do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët. E tillë është edhe sot Shqipëria, edhe pse kufiri mes shqiptarëve nuk është si dikur, kufi  me tela  gjemborë, për kalimin ilegal të të cilit kanë rënë sa e sa martirë e dëshmorë nga të gjitha viset shqiptare.


 


E vetmja ngjarje e shënuar gjatë këtyre viteve është lufta heroike e fitimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, po ashtu një pavarësi e cunguar, e cila ka lënë jashtë  Iliridën, tri komuna të Kosovës Lindore edhe trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi. Për më tepër ka mbetur peng i politikës grabitqare serbe edhe veriu i Kosovës, të cilin BE-ja po përgatitet t’ ia dorëzojë Serbisë, me qëllim për ta ruajtur paqen në rajon, ashtu sikur kishte bërë dikur diplomacia evropiane duke ua dhuruar  tokat shqiptare Serbisë, Bullgarisë, Greqisë e Malit të Zi, me qëllim për ta ruajtur paqen në Ballkan. Kjo është Shqipëria në 100-vjetorin e Pavarësisë. Ky është realitet që lë më shumë për të dëshiruar  dhe më pak për të manifestuar.


 


Pavarësisht nga ky realitet, politik e diplomatik, shqiptarët kudo ku janë po bashkohen dhe po bëhen një me ngjyrat e flamurit kombëtar, me fushën kuq e shkabën zi, sepse ky flamur  ka qenë dhe do të jetë:


“Fortesë shkëmbi, tmerr tirani,” të cilin nuk e “trembi Romani as Veneciani, as Turk Sulltani, as Serb Dushani”, sepse ka qenë dhe po mbetet “flamur i madh për vegjëli”, sepse është flamur që “pajton islamin e krishterimin”, sepse është “flamur që rrezaton bujari e njerëzi”.


Kjo forcë mobilizimi e shqiptarëve të përbashkuar  me një dëshirë e  me një qëllim është mesazhi qindra vjeçar, është besë-betimi për Shqipëri, për shpëtim, “sepse nga lufta” për çlirim e bashkim, “largohet vetëm ai që ka lindur tradhtar, dhe kush  është burrë  nuk frikësohe,t por vdes, por vdes si një dëshmor”.


 


Me këto vargje të Fan Nolit, Asdrenit dhe të mëmëdhetarëve  të tjerë shqiptarë jemi ushqyer shpirtërisht gjatë tërë shekullit të fundit dhe kemi arritur, që sot, 100 vjet pas  Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe afishimit të Flamurit të Skënderbeut  ta shpalosim aspiratën e natyrshme për bashkim kombëtar në mënyrën më të përgjithshme dhe më plebishitare  të mundshme.


 


Pavarësisht se politika aktuale në Prishtinë dhe në Tiranë  nuk ka arritur ta unifikojë qëndrimin unik në këtë drejtim, pavarësisht se trojet shqiptare janë të shkapërderdhura fizikisht dhe disa kanë mbetur ende nën robëri, shqiptarët kudo ku janë po bashkohen rreth flamurit, po dynden drejt Vlorës heroike, drejt Krujës historike, drejt Prekazit Legjendar dhe drejt të gjitha bastioneve liridashëse  të Shqipërisë.


 


Ditët e fundit të këtij nëntori, Nëntorit më të madh të historisë, Nëntorit  tashmë të pesëfishtë të historisë kombëtare,  me ngjyrat kuq e zi janë zbukuruar të gjitha trojet shqiptare nga Medvegja në Çamëri, nga Plava e Gusia në Manastir, nga Ulqini në Prevezë, nga Shqipëria në Shqipëri, meqë


Zoti vetë e tha me gojë


se kombet shuhen përmbi dhe,  


por Shqipëria do të rrojë,


sepse për të po luftojmë ne”.


Këto mesazhe të rilindësve kanë qenë dhe  po mbesin burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët liridashës, kudo ku bukës i thuhet bukë, e kripës kripë, kudo ku zemra mikpritëse shqiptare ruan besën, nderin, respektin, e mbi të gjitha dashurinë vëllazërore, solidarësinë, njerëzinë e humanitetin.


 


Këto mesazhe të “ADN-së” shqiptare tashmë kanë dalë sheshit dhe po i vishen trojeve etnike. Ky afishim madhështor, gjithëkombëtar po e sfidon padrejtësinë e disa shteteve të Evropës e botës, të cilat lejuan që mbi kurrizin tonë të ushtrohet dhuna e barbaria, lejuan copëtimin e Shqipërisë para 100 vitesh dhe sot pas një shekulli po  e ndalojnë bashkimin fizik e tokësor të Shqipërisë, gjithnjë  për hir të fqinjëve grabitqarë, edhe pse këta fqinjët tanë treguan para botës fytyrën e tyre të vërtetë kriminale, e cila sa e sa herë deri tani  ra ndesh me normat dhe moralin njerëzor, dhe e cila në pranverë të vitit 1999 u godit nga ajri, nga Aleanca më e fortë ushtarake e botës, ashtu sikur ishte goditur dikur nga qielli, Sodoma dhe Gomora.


 


Edhe ky përvjetor i madh, duke marrë para sysh zhvillimet e fundit historike e politike në planin vendor dhe ndërkombëtar dhe ndryshimet që kanë ndodhur në rajon me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si dhe avancimit të të drejtave kombëtare  të shqiptarëve në Iliridë, nuk na gjeti të përbashkuar ashtu sikur kanë dëshiruar Rilindësit, por na gjeti të ndarë në disa shtete dhe të përçarë politikisht si asnjëherë më parë.


 


Manifestimet në Tiranë, ku mungon opozita, që do të thotë më shumë se gjysma e shqiptarëve, manifestimet në  Shkup, ku mungoi opozita dhe ku manifestimi pompoz u përshkua me deklarata demagogjike për bashkim kombëtar, manifestimet e ndara në Vlorë dhe në Tiranë, tregojnë mirëfilli fytyrën e vërtetë të politikanëve shqiptarë të nëntorit të vitit 2012, ngjarje e rëndësisë së veçantë kombëtare, së cilës do t’ i referohemi ne dhe pasardhësit tanë, për të parë dhe për të analizuar se kush gaboi e sa gaboi, kush voli merita dhe kush u anashkalua, kush ra dëshmorë për Shqipëri dhe kush e përgjaku kundërshtarët politikë, po kështu shqiptarë.


 


Natyrisht se në ditë të shënuara sikur është 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, mbase e do urtia e durimi i njohur shqiptar, që të mos përmendim të metat e gabimet,  por mendoj se kjo praktikë  tradicionale dhe folklorike nuk duhet të jetë pengesë për të mos identifikuar shkaktarët e vërtetë të përçarjes, ndasive dhe kundërshtimeve mbi baza të ngushta politike e ideologjike. Janë pikërisht politikanët aktualë në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, përgjegjësit kryesorë, përse shqiptarët manifestojnë të ndarë e të përçarë. Kjo përgjegjësi nuk i shfajëson sa duhet opozitarët, edhe pse ata  me këtë rast kanë më pak përgjegjësi, sepse pozita nuk ka bërë sa duhet për t’u bashkuar jo vetëm me rastin e manifestimeve, por edhe në rrugë drejt ndërgjegjësimit dhe njësimit  të politikës kombëtare.


 


Dhe, nuk mund të ketë ndërgjegjësim  as unitet qoftë edhe sipërfaqësor mbarëkombëtar me përpjekjet që po bëhen për të rehabilituar tradhtarët, atdhemohuesit dhe ata që kanë përgjakur vëllezërit e tyre për hir të miqësisë  me sulltanët e carët, me krajlët serbë e me fashistët italianë e gjermanë. Nuk i ka hije një burri, aq më pak një kryeministri, apo një kryetari të lavdërojë deri në qiell një monark pro-serb e profashist, e po ashtu të lavdërojë edhe personalitet më të larta të kombit, që i kishte vrarë pikërisht ky monark, fashist e pro-serb.  Derisa një burrë shteti ka vepruar kështu, pikërisht  me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk ka pse të rreshtin kritikat, drejtuar pikërisht përçarësve dhe demagogëve, të cilët trumbetojnë bashkimin kombëtar, por janë nënshkrues të akteve ndërkombëtare, që e ndalojnë këtë bashkim. Një hipokrizi e tillë nuk mbulohet dot me një manifestim, qoftë ai edhe i përmasave sikur është 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.  Me manifestime sado madhështore qofshin ato, nuk i bashkojmë dot trojet shqiptare në një shtet të vetëm.


 


Dhe, manifestimet do të përfundojnë me mbarimin e këtij muaji të lavdisë shqiptare, por sapo të vijë dhjetori, ne do të nisim aty ku e kemi lënë. Ata, që për hir të 100-vjetorit nuk pranuan t’ ia zgjasin madje as dorën njëri tjetrit, nuk manifestuan bashkë, por rrahën gjoks për të na bindur se janë atdhetarë dhe politikanë  largpamës, sa largpamësia e tyre arrin deri në zyrën e BE-së në Bruksel. Këta ose nuk kanë kuptuar asgjë nga porositë  e këtij 100-vjetori, ose janë politikanë hipokritë e demagogë, makiavelistë tipikë të kohës sonë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …