Ahmet Qeriqi: Policia serbe ka depërtuar në Negroc. Në luftë ballë për ballë me forcat serbe bie dëshmor, Abedin Bujupi (E enjte 12 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Policia serbe ka depërtuar në Negroc. Në luftë ballë për ballë me forcat serbe bie dëshmor, Abedin Bujupi (E enjte 12 nëntor, 1998)

Një ditë e rëndomtë dhe e zymtë e vjeshtës. Tanimë kanë filluar shirat që paralajmërojnë dëborën.

Sot, këtu kemi mbetur vetëm unë dhe Berati. Kemi biseduar gjerë e gjatë për aktivizimin e një agjencie të lajmeve, mirëpo tani kur Jakup Krasniqi është larguar për një kohë, janë vështirësuar mundësitë edhe për komunikim, meqë nuk kemi telefon satelitor. Duhet bërë përpjekje që në këtë drejtim të angazhohen Hilmi Ramadani dhe Fatmir Xhelili, këta janë të vetmit që mund të na ndihmojnë.

Luani dhe Elez Durmishi kanë shkuar në Fshatin e Ri, për t`u takuar me  ushtarakët e operativës, ku pritet të bëhen disa ndërrime dhe emërime të reja në strukturat udhëheqëse komanduese.

Nga Ribari i Madh ka ardhur daja im, Ahmet Salih Rexha, shtatëdhjetëvjeçar. Ai është i interesuar të shkojë vetë në Shqipëri për të marrë armë. Po ashtu daja Ahmet është interesuar për njëfarë Hasan Hoxhën e Dobrevës, i cili sipas tij është arrestuar nga UÇK-ja, në korrik të këtij viti dhe prej atëherë nuk dihet se ku ndodhet. I tregoj dajës Ahmet Salihu, se edhe unë kam dëgjuar diçka për arrestimin e Hasan Hoxhës, por nuk e kam ditur se është fjala për atëfarë Hasan Dobrevën që është një kushëri i largët i tyre, të cilët aktualisht jetojnë në fshatin Dobrevë. Dajës Ahmet i bëj me dije po ashtu se unë këtu merrem krejtësisht me punë të tjera, ndërsa i kam premtuar se nëse marr vesh diçka do ta lajmëroj ndërkohë.

Daja Ahmet ka dyshime në ushtarin, Nazim Bllaca, për babanë e të cilit thotë se bashkëpunon hapur me policinë serbe dhe shton se ky fakt  ka krijuar një situatë dyshimi e mosbesimi.

Në mbrëmje, Elez Durmishi na ka treguar se ushtria dhe policia serbe kanë depërtuar në Negroc deri te shtëpia e Jakup Krasniqit. Paraprakisht ka rënë duke luftuar luftëtari, Abedin Bujupi. Forcat serbe e kanë ndaluar Januz Krasniqin, babanë e Jakup Krasniqit, të cilin e kanë kërcënuar para anëtarëve të familjes. Edhe pse është krijuar rrëmujë, serbët nuk kanë paraburgosur as kë nga familja e Jakupit.

Gjendja është shumë e tensionuar meqë nga çasti në çast mund të pritet ndonjë intervenim. Serbët po ankohen se UÇK-ja po i rimerr pozicionet dhe pikërisht për këtë shkak, forcat policore dhe ushtarake nuk po e respektojnë marrëveshjen e arritur paraprakisht, në mes të ambasadorit amerikan  Hollbruk dhe kriminelit serb Milosheviq.

Në mbrëmje ka ardhur Luani me dy ushtarakë të Dukagjinit. Njërin e ka prezantuar si Galani e tjetrin, Gjoci. Mbiemri i këtij të fundit më zgjoi interesim për të mësuar diçka më shumë për të. Pas bisedës së shkurtër mësoj se Agush Gjoci është kushëri jo i largët i Zenun Gjocit një shok imi i punës dhe i burgut. Agushi, deri tani është plagosur dy herë në beteja. Ka shkuar për shërim në Shqipëri por ende pa u shëruar mirë është kthyer në Kosovë. Është një dalë i ri, i zgjuar, trim dhe luftëtar i radhëve të para. Galani dhe Gjoci me urdhër të komandës janë vendosur në Krojmir, fillimisht për t`u shëruar, meqë të dy janë të plagosur, edhe pse nuk ndihen aq keq. Galani është një burrë i arsimuar, me kulturë politike dhe krah militant i  luftës. Disa vjet ka qëndruar në perëndim dhe në fillim të luftës ka hyrë në radhët e Komandant Ramush Haradinajt në Zonën Operative të Dukagjinit i cili me angazhimin e vet me vëllezërit, të afërmit dhe  bashkëluftëtarë, ka arritur të përforcojë  në çdo segment, Zonën e Dukagjinit, e cila kishte pësuar rëndë pasi ushtaraku, Tahir Zemaj kishte ikur nga zona dhe u kishte thënë ushtarëve, të ikin nga të mundin.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Heset Sahiti me gjithë vështirësitë i ka konsoliduar radhët në Shalë. (E diel 29 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Heset Sahiti me gjithë vështirësitë i ka konsoliduar radhët në Shalë. (E diel 29 nëntor, 1998)

Në mëngjes kam biseduar me Myrvete Hotin, motrën e magjistër Ukshin Hotit i cili po …