leoni

Nesër në Reçak dhe në Shtime përkujtohet 19-vjetori i Masakrës së Reçakut, ditë kjo kur më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe pas përballjes

Ahmet Qeriqi: Reçaku, saga që nuk harrohet, por vazhdimisht rikujtohet – foto dhe video

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Nesër në Reçak dhe në Shtime përkujtohet 19-vjetori i Masakrës së Reçakut, ditë kjo kur më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe pas përballjes me togën e Reçakut, me ç rast ranë nëntë dëshmorë, depërtuan në fshat dhe vranë 45  pjesëtarë të popullatës civile.  Në përkujtim dhe nderim të kësaj dite nesër në Kompleksin Memorial në Reçak bëhen homazhe, ndërsa në orën 11,00 në Shtëpinë e Kulturës në Shtime do të mbahet një Akademi përkujtimore ku merr pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

19 vjet më parë, më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kishin filluar sulmin e përgatitur kohë më parë kundër banorëve të Reçakut dhe Togës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ndodhej në pozicion përballë forcave serbe.  Rreth orës 6.30 minuta forcat policore dhe ushtarake  serbe, të pajisura me  artileri të rëndë kishin filluar të hidhnin granata mbi fshat prej vendeve ku ishin pozicionuar shumë kohë më parë:  “Te Pishat”, “Gështenjat” mbi Shtime, “Rrasa e Çallakut” dhe te  “Kodra” përmbi Reçak. Fillimisht, sulmi i furishëm ishte ndërmarrë në drejtim të  Pika  UÇK-së, ku ndodheshin ushtarët e Togut të Reçakut. Gjatë luftimeve bien shumica e luftëtarëve.

Pasi kishin hedhur granata në çdo lagje dhe pothuajse në çdo shtëpi, forcat kriminale serbe ishin futur në fshat dhe kishin  filluar bastisjet nëpër të gjitha  shtëpitë. Në ato çaste një pjesë e madhe e fshatarëve kishin filluar të tërhiqeshin në drejtim të maleve, meqë gjatë granatimit nuk kishin lëvizur nga vendi. Kriminelët serbë, në mesin e tyre edhe serbë të Shtimes e fshatrave përreth, kishin arrestuar të gjithë banorët që nuk kishin arritur të largoheshin me kohë dhe i kishin grumbulluar në disa shtëpi të fshatit.

Në përpjekje për ta mbrojtur popullatën e rrezikuar në mënyrë fatale nga barbarët serbë kanë rënë dëshmorë: Ali Beqa nga Pusteniku i Kaçnikut, Ismail Luma nga Kraishta e Lypjanit,  Mehmet Mustafa,  Shaqir Berisha,  Kadri Syla, Enver Rashiti, të gjithë nga Reçaku, Skënder Çarri nga Graiçevci, Nazim Kokallari nga Budakova dhe Sadik Mujota nga Mallapolci. Me rastin e rënies së Sadik Mujotës është vrarë  edhe bija e tij, Hanëmshaheja 16-vjeçare.  Janë shpallur dëshmorë edhe të rënët e asaj dite: Hasan Bilalli, Sadik Osmani, Nexhat Ramadani dhe Ragip Bajrami.

Më 19 janar, në mbrojtje të kufomave të të masakruarve në Reçak, ka rënë dëshmor edhe Komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku.  Prej 15 janarit deri më 20 janar në Reçak janë plagosur ushtarët e UÇK-së: Afet Bilalli, Ramadan Hysenaj, Njazi Mujota, Shaban Ndrecaj, Zaim Jakupi, Afrim Syla, Luan Salihu, Adem Musliu, Xhevat Çarri, Zymer Lubovci dhe Xhevdet Sejdiu.

Më 15 Janar 1999, forcat ushtarake e policore serbe pasi kishin zënë dhe i kishin arrestuar banorët e fshatit kishin fiollura edhe likuidimin dhe masakrimin mizor të tyre.  Atë ditë në Reçak policët e ushtarët serbë  vranë dhe masakruan barbarisht këta 45 shqiptarë të paarmatosur: Lutë Asllani, Banush Azemi, Ragip Bajrami, Halim Beqiri, Rizah Beqiri, Zenel Beqiri, Lutfi Bilalli, Ajet Emini, Bujar Hajrizi, Myfail Hajrizi, Skënder Halili, Haqif Hysena, Hajriz Ibrahimi, Hakip Imeri, Murtez Imeri, Nazmi Imeri, Mehë Ismajli, Muhamet Ismaji, Ahmet Jakupi, Eshref Jakupi, Hajriz Jakupi, Mehmet Jakupi, Xhelal Jakupi, Jashar Jashari, Raif Jashari, Shukri Jashari, Fatmir Limani, Nexhat Limani, Salih Limani, Bajram Mehmeti, Hanumshahe Mehmeti, Arif Metushi, Haki Metushi, Ahmet Mustafa, Asllan Mustafa, Muhamet Mustafa, Sadik Osmani, Jashar Salihu, Shukri Salihu, Bajrush Shabani Ahmet Smajli, Sheremet Syla, Shyqëri Syla, Bajram Xheladini, Njazi Zymeri.

Shefi i misionit Verifikues ndërkombëtar, William Wallker, pasi kishte parë të masakruarit në Reçak kishte deklaruar publikisht për mediet e botës: “Në Reçak është kryer një masakër. Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve, kanë vrarë këta njerëz, që mua më duken bujq, punëtorë, fshatarë, që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu. T´i shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t´i shohësh 15 në një gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them, kishte thënë z.Woker. Dhe, menjëherë në konferencën me gazetarë pa ngurrim ai do të deklarojë:“ Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit… kjo është ngjarja më trishtuese që kam parë në jetën time…“.

 Këta janë kapitujt e parë të Sagës së Reçakut, të sagës së vuajtjeve njerëzore, të shkatërrimit barbar të jetës së tyre nga  ushtarët e policët kriminelë serbë, të cilët kishin marrë urdhër nga kreu i Shtetit në Beograd, që Reçakun ta ndëshkonin dhe shqiptarëve t’ iu jepnin një mësim, për gjunjëzim pa kusht. Mirëpo nuk ndodhi ashtu sikur kishte prognozuar makineria barbare e kriminale serbe.  Maskra në Reçak ia çori edhe një pjesë maskës edhe ashtu të çjerrë të Milosheviqit dhe regjimit të tij i cili ende kishte përkrahjen e shumicës së shteteve të Evropës e botës, përveç Amerikës dhe Anglisë.

Në 19-vjetorin e Masakrës së Reçakut, forcat liridashëse të Kosovës, familjarët e dëshmorëve dhe të martirëve, invalidët e veteranët e luftës së lavdishme të UÇK-së po ballafaqohen me ringjalljen e frymës antishqiptare, nga një segment vendimmarrës i Evropës dhe  i bashkësisë ndërkombëtare, që ka për qëllim diskredtimimin e luftës sonë çlirimtare, barazimin e xhelatëve me viktimat dhe jo dënimin e atyre që kanë kryer krimin barbar dhe monstuoz, më 15 janar  të vitit 1999 në Reçak e gjithandej në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999. Të masakruarve të Reçakut, ashtu edhe të mijëra të masakruarve të tjerë kudo në Kosovë,  u mohohet drejtësia, vetëm sepse ata ishin shqiptarë liridashës,  që nuk ishin pajtuar me regjimin ultrafashist të Serbisë së Milosheviqit.

Dëshmi për gjenocidin serb mbi shqiptarët e pafajshëm në ReçakFotot jane bere me 15 janar 1999Nerxhivane Azizi Associated PressMisioni i OSBE në Kosovë etj…

Posted by Radio Kosova e Lire on Sonntag, 15. Januar 2017

Dokumentari: Saga e Reçakut

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …