Ahmet Qeriqi: Serbi, Vuk Jeremiq, i sëmurë rëndë me diagnozën e pashëruar të mitit dhe jermisë shekullore serbe

 


Ministri i jashtëm i Serbisë, i cili ka emër e mbiemër, që në gjuhën shqipe tingëllojnë paksa çuditshëm, ashtu si në përrallën e ujkut që ngrihet jerm, është zyrtari i lartë i Qeverisë së Beogradit, i cili manifeston tërë urrejtjen morbide, serbe, kundër shqiptarëve. Aktiviteti i tij kundër Kosovës, në radhë të parë shpreh qëndrimin zyrtar të Beogradit, por angazhimi i tij i veçantë në këtë drejtim duket si shumë më i përkushtuar dhe më insistues, sesa realisht disponon forcë mendore, apo fizike, ky serb me emrin “Ujk”. Në pamje të parë një njeri trupshkurtër dhe i butë, me një vështrim gati fëmijëror, me një qëndrim shpeshherë të humbur dhe jo sa duhet serioz, Vuk Jeremiq, nuk na përkujton atë ujkun e përrallave, ujkun hënor, që sorollatet në krye të kopesë, duke kërkuar prenë, por gjithsesi na përkujton ujkun virtual, dhe dëshirën për të qenë ujk i vërtetë, që rrëmben pa pritur, atë që e konsideron pre të vet. Në çast më reflektojnë në mendje disa vargje të poetit të njohur magjar, Shandor Petëfi, në poezinë e tij “Kënga e ujqve” ( A farkasok dalla), ku ai me fuqinë e gjenialitetit krijues kishte depërtuar thellë në botën e vesit të pashërueshëm të ujkut grabitqar.

… Këtu përpin acari,
Zorrët i grin uria,
Ikim të përndjekur
Prapa na ndjek trishtia.

Dhe tej tutje në prita,
Gjuetarë të armatosur:
Shkrep pa pritë furia
Ikim të lebetitur.

Të mërdhirë e të uritur,
E plumbat breshëri përposh,
Rrisku ynë i trishtuar,
Të lirë e rrojtje kot…

I tillë duket edhe rrisku i trishtuar i serbit, Vuk Jeremiq, i cili po mundohet “me mish e shpirt” që sërish ta hap procesin tashmë të mbyllur përgjithmonë, të pavarësisë së Kosovës, duke ofruar kompromis, por duke saktësuar se me këtë kompromis ai nënkupton pozicionin e parë të Beogradit zyrtar, i cili sipas tij është shumë, shumë i qartë: Kosova është pjesë e Serbisë, sipas kushtetutës serbe dhe ligjit ndërkombëtar. Ja, kjo si duket është ëndrra që sheh syhapur “ujku”, që flet “jerm” dhe shumë ujq të tjerë të Serbisë, të cilët po orvaten kot për ta kthyer kohën prapa, për ta zhbërë historinë, e cila nuk zhbëhet më, ashtu sikur nuk ngjallet dot i vdekuri nga varri.
Serbët në përgjithësi, e në veçanti serbi Jeremiq, nuk po shërohen dot nga ky sindrom i sëmurë i rrëmbimit dhe mbajtjes me çdo kusht të presë, nëse ajo mund të pezullohet dhe të paktën të mbahet peng. Por edhe nëse nuk rrëmbehet dot, edhe nëse nuk mbahet dot në kthetra, është në vesin e ujkut, që gjithnjë të godasë prenë më të dobët se vet, kuptohet në pritë dhe në befasi.
Jo rastësisht në traditën pushtuese serbe, në mentalitetin e tyre rrëmbyes e piroman emri Vuk, në kuptimin “ujk” është emër shumë i preferuar, është mbase emri më i përdorshëm në tërë vendin. Serbët si duket kanë një simpati të shthurur dhe të egër për këtë kafshë të egër, e cila rrëmben prenë, duke u mbështetur në fuqinë fizike dhe zhdërvjelltësinë për ta goditur dhe për ta rrëmbyer prenë.
Mirëpo, kohët kanë ndryshuar.
Kosova është çliruar nga kthetrat e ujqve serbë qysh në qershor të vitit 1999.
Në shkurt të vitit 2008 Kosova ka shpallur pavarësinë e cila është njohur nga 62 shtete të botës, madje edhe nga disa shtete sllave dhe shtete fqinje të Serbisë.


Pretendimet e zyrtarëve të Beogradit për ta rifilluar procesin e bisedimeve lidhur me statusin e Kosovës, janë pretendime të kota dhe përjetësisht të pamundshme për t’ i realizuar, pavarësisht se pavarësia e Kosovës ka shumë pengesa, ka shumë defekte dhe nuk është e plotë sikur do të duhej të ishte, dhe, sikur e meriton të jetë. Kosova tashmë është shtet i pavarur, i pranuar nga shumë shtete dhe në shumë organizata ndërkombëtare me të drejta të barabarta, si shet në proces të njohjes edhe nga shtete të tjera të botës përparimtare e demokratike.
Beogradi zyrtar, politikën e vet kundër Kosovës e thellon me qëllim që të mbahet në pushtet, meqë shumica dërrmuese serbe, në radhë të parë populli serb, e ka shumë të vështirë të pranojë se i ka humbur shumë nga territoret, të cilat dikur i kishte pushtuar me forcë, duke qenë i përkrahur nga Rusia, e cila edhe e polli Serbinë në shekullin 19-të, ndërsa e fuqizoi duke i dhënë përkrahje të gjithanshme në fillim të shekullit 20-të. Miti i sëmurë për “Kosovën serbe” tashmë ka filluar të çmontohet, në mos është demontuar në tërësi. Bota tashmë e ka kuptuar se Kosova ka qenë, është dhe do të jetë e qytetarëve, që jetojnë atje, në radhë të parë e qytetarëve me shumicë gati absolute, të cilët do të vetëqeverisen vetë dhe jo më nën tutelën e Beogradit dhe nën presionin e një përqindjeje të vogël të minoritetit serb, i cili në vazhdimësi ka qenë i intriguar dhe vegël për manipulim politik, gjatë tërë kohës së sundimit serb në Kosovë. Përralla për ujkun, të cilit qengji i butë ia turbullonte ujët nga ana e poshtme, nuk është më aktuale në Kosovë. Ajo, mjerisht është aktuale te shumë popuj të botës, që ende jetojnë në robëri e tirani të ujqve gjakatarë.

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …