Ahmet Qeriqi: Thesi me ar, apo thesi me djaj?

 


Intervista e kreut të ish-SHIK-ut, Kadri Veseli dhënë gazetarit Baton Haxhiu, gjithsesi se ka qenë një ngjarje mediale, që ka zgjuar interesim për opinionin. Por, kjo intervistë u realizua pas inskenimit dhe  nxjerrjes në sipërfaqe të rastit, “Bllaca”, rast ky i instruktuar dhe i përgatitur shumë kohë më parë, në Serbi dhe në qarqe të tjera të spiunazhit të tandemit:UNMIK-EULEX, si fushatë e projektuar dhe e  ndërmarrë me qëllim për të shpërthyer në opinion, pikërisht në momentin kur do ta dëmtonte më së shumti Kosovën, të cilën edhe e ka dëmtuar rëndë, meqë ishte caktuar dita, që bomba mediale e kurdisur nga qarqe antishqiptare dhe e aranzhuar nga disa mediume, të shpërthente, një ditë para se  të fillonte procesi në GJND lidhur me legjitimitetin  shpalljes së pavarësisë së Kosovës.>>>


 


Mua  personalisht më ka bërë përshtypje të keqe fakti se, Kadri Veseli nuk ka zgjedhur  një medium tjetër për të dalë publikisht me qëndrimet e tij. Nuk po e them se ka qenë dashur ta zgjedh Radion-Kosova e lirë, apo agjencinë Kosova pres, por ta kishte zgjedhur të paktën  një medium tjetër dhe jo mediumin e Baton Haxhiut, një gazetar i përfolur për të keq, madje jo vetëm i përfolur. Dihet mirë se cili ka qenë qëndrimi zyrtar i z Haxhiu në vitet 90-të, ashtu sikur dihet mirëfilli, se ai ka aranzhuar takime për “bisedime” apo marrëveshje “paqësore” të individëve të caktuar të ish nomenklaturës politike, me vetë kreun e Shërbimit sekret serb, kriminelin dhe shqiptarë-vrasësin  masiv të shqiptarëve, Stanishiq. Po ashtu dihet, dhe ka fakte publike që dëshmojnë se Baton Haxhiu, asokohe gazetar i Veton Surroit, ka kërkuar nga Albin Kurti, që mbajtja e demonstratës së 1 tetorit të vitit 1997, të paraqitet paraprakisht në policinë e Serbisë, në Prishtinë, sipas rregullit dhe ligjit në fuqi. Dihet, po ashtu publikisht se cila kishte qenë përgjigja e Albin Kurtit, ideatorit dhe pjesëmarrësit  e asaj demonstrate të përgjakshme. Dhe, nuk janë vetëm këto damka të zeza, ia ka bërë vetvetes ky Batoni, i cili ka fyer, ka përbuzur dhe sot përbuz Lëvizjen studentore të vitit 1981.


A thua, njeriu i parë i SHIK-ut në Kosovë, nuk i di këto fakte, të cilat i di madje çdo qytetar i interesuar, i di mjaft mirë madje edhe zyrtari serb, Sllavisha Petkoviq, i cili ka bërë edhe një reagim publik lidhur me relacionet, që ka pasur në atë kohë Batoni me Stanishiqin.


 


Për publikun mbetet të mësohet, në mos ndoshta Batoni ka qenë qysh moti njeri i Kadri Veselit dhe i të tjerëve rreth tij. Edhe kjo mund të jetë e vërtetë, edhe pse nuk është thënë kurrë, as është pranuar decidivisht. Koincidenca në këtë rast na jep arsye të dyshojmë dhe fakti se mund të dyshohet në këtë segment nuk çon edhe aq peshë.


Nga mënyra si e kishte përgatitur për ta  paraqitur veprimtarinë e tij Kadri Veseli,  hetohen shumë gjëra, që janë lënë të nënkuptohen, apo që mund edhe të interpretohen nga kënde të ndryshme. Hetohen po ashtu mjaft kundërthënie, të cilat nuk përputhen gjithnjë me konstatimet. Tekefundit, në një bisedë të tillë, në raport: intervistues dhe i intervistuar, pa mundësi të kyçjes së publikut, gjithçka mund të kalkulohet, të përgatitet dhe të parapërgatitet, për të dalë intervista jo vetëm e kënaqshme, por edhe me efektin e dëshiruar paraprakisht, dhe për qëllime po ashtu të kalkuara nga kalkulatorët e politikës, jo vetëm ditore.


Megjithatë, ata që kanë profesion gazetarinë, por edhe qytetarët që janë analistët më të mirë dhe më të paanshëm, shohin dhe gjykojnë, secili sipas kutit të vet. Atyre nuk iu dha mundësia për të bërë pyetje. Dalja publike e Kadri Veselit ishte projektuar, të bëhej  në atë mënyrë, dhe, këtu nuk ka asgjë të keqe. Ka kohë edhe për debate e intervista të tjera, meqë SHIK-u do të jetë i pranishëm në medie gjatë tërë këtij viti, kur policia e EULEX-it të fillojë arrestimet e paralajmëruara dhe kur do të ketë shumë përpjekje për t’i shtyrë shqiptarët t’ ia hanë kokën njëri tjetrit.


Kjo do të ndodh, në mos ka ndodhur, sepse EULEX-i ka paralajmëruar se në fillim të pranverës do të fillojë fushata, në radhë të parë kundër ish luftëtarëve të lirisë, bashkëluftëtarëve edhe të Kadri Veselit, i cili ka qenë shumëfish i lidhur me luftën e UÇK-së.


Atëherë do të hapet krejtësisht “Kutia e pandorës” dhe do të dalin në sipërfaqe, jo të vërtetat për UÇK-së, por gënjeshtrat, mashtrimet, trillimet, shantazhet, hipokrizitë, inskenimet, ndërsyerjet e grupeve dhe qarqeve të caktuara politike dhe para-politike, të gjithë të përgatitura nga dëshmitarët shqiptarë apo shqipfolës të EULEX-it, i cili ka ardhur në Kosovë, ta vendos ligjin, jo në qytetet e pushtuara të Kosovës, ku sundojnë strukturat paralele serbe, të cilat i mbron dhe i fuqizon, por me qëllim që duke bërë përpjekje për ta diskredituar UÇK-në, të arsyetohen  veprimet antishqiptare të kreut politik të Serbisë ndaj Kosovës.


 


Lidhur me intervistën e Kadri Veselit kësaj radhe  do të marrim në shqyrtim vetëm një segment, që është përfolur dhe që ka ngjallur indinjatë te disa ish të përndjekur politikë, viktima të regjimit okupator serb. Ja, cili është konstatimi që ka ngjallur debate dhe shqetësime:


 


Baton Haxhiu: Menjëherë pas luftës kemi pasur dy vrasje publike – Selim Broshën dhe Ibush Kllokoqin. Ju po thoni se këta njerëz janë thesare. Si është e mundur që ju nuk keni pasur mundësi që ata njerëz t’i ruani?
Kadri Veseli:
Jemi duke folur për rrethana të tranzicionit të rëndë që e kemi kaluar. Fatmirësisht, duke iu falënderuar pjekurisë së këtij populli, kemi tejkaluar faza të rënda. Është e vërtetë. Ne e kemi pasur në trajtim edhe Selim Broshën. Kemi punuar edhe me Ibushin. Nuk janë vetëm këta dy që janë vrarë. Njerëzit e këtij kontingjenti të madh që kanë punuar me ne, kanë pasur gjithnjë shqetësim “frikohemi nga ata të ashtuquajturit patriotë, që e dimë ne se çfarë kanë bërë”. Këtë e kanë pasur frikën më të madhe.

Klan Kosova: Kjo është një sentencë interesante. Ju po më thoni se njerëzit që bëhen shumë patriotë pas luftës janë më të rrezikshëm.
Kadri Veseli:
Nuk e them atë. Por ka një rregull natyrore se ai që i jep zor më së shumti, e ka mizën pas veshi. Unë nuk dua ta përgjithësoj këtë. Por, realisht, shqetësimi i atyre njerëzve ka qenë, që njerëz, të cilët kanë pasur një implikim të caktuar dhe shoqëria që i njeh si patriotë, mund t’i rrezikojnë. Unë nuk e kuptoj pse është dashur të vriten. Ata që e kanë bërë këtë, kanë gabuar dhe do të gabojë kushdo që i ngacmon. Ata janë më kriminelë, pavarësisht se çfarë arsyeje kanë. Ne kemi informacione për njerëz që jetojnë në Kosovë, të cilët kanë bërë shumë sende të këqija….


 


 Tani kur kemi pyetjen dhe përgjigjen lidhur me këto dy vrasje, të dy ish UDB-ashëve, më të njohur për të keq në Kosovë, logjikisht shtrohet pyetja. Kush është Kadri Veseli apo cilido kuadër i lartë i UÇK-së, që ka besuar në fjalët e  Selim Broshës, se “frikohemi nga ata të ashtuquajturit patriotë, që e dimë ne se çfarë kanë bërë”. Kjo, sipas tyre do të thotë se deponimet e Selim Broshës dhe të Ibush Kllokoqit paskan qenë krejtësisht të besueshme, sepse ata paskan qenë “xhevahirë”, sepse çdo fjalë e tyre qenka marrë si e vërtetë e pamohueshme, madje edhe e pakontestueshme. Ata, që u kanë besuar seriozisht deklaratave të tilla subversive të Kllokoqit e Broshës, ose janë tepër mendjelehtë, ose bëjnë një politikë, për mua krejtësisht të pakuptueshme, sepse të besosh në deklaratat e një njeriu që u ka shkatërruar jetën qindra të rinjve shqiptarë, që ka rrahur mizorisht qindra prej tyre, që ka poshtëruar qindra të tjerë, në metodat me çmeritëse, duke i detyruar të nxjerrin organet gjenitale të tavolinë, për t’ua goditur me pendrek, duke i detyruar me revole në fyt, në skena perverse, që nuk do t i përshkruajmë me këtë rast,  që kanë inskenuar dëshmitarë të rrejshëm dhe që kanë qenë të lirë të vrasin e të torturojnë gjithsecilin  shqiptar që është gjetur prapa grilave, sepse ka menduar se Kosova duhet të bëhet republikë e barabartë, se Kosova duhet të gëzojë të drejtat e veta reale dhe ajo ato deklarative, kredibiliteti i deklaratave të tilla, të inspektorëve të UDB-së megjithatë nuk është vetëm një akt mendjelehtësie apo një zemërgjerësi e një kuadri të lartë të luftës.


 


Ku  e gjen atë forcë morale një kuadër i lartë i luftës të thotë se Brosha e Kllokoqi qenkan ekzekutuar, sepse paskan ditur shumëçka për viktimat e tyre, për të ashtuquajturit “patriotë”. Natyrisht këtë mund ta thotë njeriu, që kurrë nuk ka qenë i trajtuar mizorisht nga UDB-ja, dhe i cili si pa të keq, për një çast, nuk i beson viktimës, por xhelatit. Tekefundit edhe regjimi i UNMIK-ut dhe i EULEX-it po i trajton  dhe po i arreston viktimat,  jo xhelatët, jo ata që kanë vrarë dhe kanë masakruar dhjetëra mijëra shqiptarë, por ndonjë shqiptar, për të cilin supozohet se paska vrarë ndonjë serb gjatë luftës apo ndonjë bashkëpunëtor të Serbisë pas luftës. As edhe një inspektor i ish regjimit nuk është akuzuar për krime kundër bashkëkombësve, madje as është marrë kush në hetime për veprime të tilla gjithsesi kriminale.


Serbët, gjatë luftës së fundit  vranë, masakruan barbarisht rreth 20.000 shqiptarë në Kosovë, kryesisht gra, fëmijë, burra e pleq. I morën peng në Serbi mijëra të tjerë dhe për fatin e 1800 prej tyre ende nuk ka asnjë të dhënë. Ndërsa  dikush pas luftës paska vrarë tinëzisht disa dhjetëra bashkëpunëtorë dhe ndonjë serb. Të dyshuar për këto vrasje, nga organet e drejtësisë së UNMIK-ut dhe EULEX-it  janë ish luftëtarët e UÇK-së, derisa nuk dëshmohet ndryshe.


Në ndarjen e tillë të drejtësisë, as kemi dyshuar as dyshojmë, sepse e kemi përjetuar mbi kurriz gjatë kohës kur broshët, kllokoqët dhe horrllëqet e regjimit antishqiptar serb kanë vrarë, kanë rrahur për vdekje, kanë dënuar dhe kanë ekzekutuar shumë shqiptarë liridashës.


Kadri Veseli mbase nuk e di sesa qindra ish të përndjekur politikë, që janë martuar, pasi kanë dalë nga burgjet, nuk kanë fëmijë dhe nuk mund të kenë kurrë. Mbase nuk i bën përshtypje kjo, sepse të mos kesh fëmijë nga pasojat e torturave që ke përjetuar në organet e hetuesisë jugosllave të Mehmet Maliqit, Rrahman Morinës, Selim Broshës, Ibush Kllokoqit  e qindra të tjerëve, nuk qenka ndonjë tragjedi? Sa qindra të tjerë kanë vdekur pa i mbushur të dyzetat e të pesëdhjetat, nga pasojat e torturave, sa qindra të tjerë kanë mbetur invalidë të përjetshëm, sa qindra prej tyre jetojnë edhe ndonjë muaj apo ndonjë vit, pas operacioneve në zemër, në veshkë e në mushkëri…


As këto fakte nuk po mjaftuakan për të nxjerrë në sipërfaqe, shkaktarët e zellshëm të këtyre zezonave. Nuk është fjala këtu për disa ish të burgosur e të trajtuar djallëzisht nga regjimi, por është fjala për mijëra të tillë që kanë kaluar nëpër kaluarin e vuajtjeve qi i kanë shkaktuar broshët dhe soji i tyre i neveritshëm.


 


Këto janë fakte të pamohueshme dhe mund të vërtetohen, kurdo, sepse janë të gjallë dhjetëra mijëra shqiptarë në Kosovë, që i kanë përjetuar ato tortura mizore nga ai soj i njerëzve,  që në mënyrën me besnike  kanë kryer urdhrat e regjimit të Beogradit, kundër bashkëkombësve të tyre,  për çka edhe janë graduar, për çka edhe shpallen të pafajshëm,(!) për çka edhe drejtojnë organet më të larta të shtetit të sotëm të Kosovës, të sistemuar në polici, në prokurori, gjyqësi e pse jo edhe në shërbime të tjera.


Pranimi, qoftë edhe në mënyrë hipotetike i deponimeve, të një ish kuadri të lartë të UDB-së, si deponime të vërteta, vë në pikëpyetje të madhe morale kredibilitetin kombëtar të gjithsecilit, që beson se ata dy UDB-ashë të neveritshëm, qenkan vrarë sepse paskan ditur shumë të liga për viktimat e tyre, për viktimat që i kanë trajtuar barbarisht, jo sepse i kishin burgosur për vrasje e hajini, por sepse viktimat e tyre u  organizuan dhe  demonstruan publikisht para tërë botës, kundër shtypjes e shfrytëzimit nga okupatori jugosllav.


Hakmarrja dhe gjakmarrja kryhet atje ku nuk funksionin ligji e drejtësia. E keqja qëndron vetëm në faktin se hakmarrje te tilla janë kryer tinës. Po të ishin kryer publikisht, sikur kanë vepruar dikur shqiptarët, punët do t’ i kishim shumë më mirë. Por ndër shqiptarë nuk ka më, Avni Rrustema, as Shote e Azem Galica, dhe pikërisht për këtë, regjimi serb  na kërcen mbi shpinë, përmes EULEX-it.


 


Përpjekja për marrjen në mbrojtje të këtyre njerëzve nuk ka të bëjë me humanizëm, apo me falje, sepse një individ mund të falë në emrin e vet, por  jo në emrin e viktimave, madje mund të falë për vetveten,  nëse ka qenë i viktimizuar, e jo për dhjetëra mijëra viktima të një regjimi fashist e barbar sikur ka qenë regjimi serb në Kosovë deri në qershor të vitit 1999


Konstatime të tilla për vrasjen e dy të apostrofuarve janë dëgjuar gjithherë pas vrasjes së ndonjë spiuni  me damkë. Këto konstatime përsëriten edhe sot, krejtësisht për qëllime politike, për qëllime të ulëta, dhe të neveritshme nga aspekti i moralit kombëtar, por qëllime që mund t’i shërbejnë politikës ditore, por jo interesit të kombit.


Po të kishte vepruar drejtësia dhe politika parimore  pas luftës në Kosovë, ata bashkëpunëtorë të regjimit kriminal të Titos e të Milosheviqit,  të cilët nuk kishin arritur të ikën nga Kosova, duhej të ishin arrestuar, të ishin nxjerrë para gjyqit, dhe të ishin dënuar për veprat e tyre në dëm të interesave të kombit. Po kjo nuk ndodhi. Ndër sy të kreut të luftës, i cili pas luftës po postohej në kreun e qeverisjes nën administrim të huaj, filluan të çarmatosen dhe të dënohen mijëra luftëtarë të lirisë, duke i selektuar paraprakisht, duke i injoruar dhe duke lënë të bredhin rrugëve të botës.


 


Dua të besoj se Kadri Veseli ka folur me sinqeritet dhe me qëllim, që me deklaratat e tij të vendos një vijë të fortë të ndarjes, mes institucionit që ka përfaqësuar dhe grupeve të ndryshme, që mund të kenë vepruar krye në veti, qoftë edhe për hakmarrje individuale, edhe pse asgjë nuk është provuar, dhe ende nuk dihen botërisht ata që kanë kryer vepra të tilla kundër ish inspektorëve dhe policëve të regjimeve okupatore.


Ky qëndrim i prerë, për ta ruajtur institucionin është krejtësisht i përfillshëm, por konstatimi se broshët e djajtë si ai kanë qenë thesare, sepse dy, nga mijëra këta djaj u vranë, sepse dikush, diku e paska pasur mizën nën kapuç, se Broshi e Kllokoqi  qenkan frikësuar nga patriotët e rrejshëm dhe jo nga ata patriotët e vërtetë, viktima të tyre që i paskan shtirë në dajak, kjo nuk shkon. Nuk mund të besohet në konstatime të tilla, sepse në Kosovë sivëllezërit e broshëve e të kllokoqëve, ende janë me shumicë dhe  janë bërë pjesë e qeverisjes, sepse ata nuk e duan Kosovën e pavarur, por e duan nën Serbi, sepse kanë qenë dhe kanë mbetur shërbëtorë të përjetshëm të Serbisë, e cila mu për këtë shkak nuk heq dorë nga Kosova, meqë orekset e saj përjargen sa herë sheh dhe dëgjon se ish besnikët, që i ka krijuar dhe i ka ngritur vetë, janë postuar në nivelet më të larta të qeverisjes në Kosovë. Janë njerëz të Serbisë këta, dhe Serbia vetëm përmes të tillëve e ka mbajtur Kosovën 87 vjet nën robëri.


Nuk besoj se Kadri Veseli frikësohet nga prokuroria e EULEX-it, sepse tashmë ai ka qartësuar gjithçka, që ka pasur për të qartësuar, të paktën për opinion. Sa u beson EULEX-i këtyre paraqitjeve, ky është një problem tjetër me shumë të panjohura. Kadri Veseli, për mes kësaj interviste ka  krijuar një pozicion të favorshëm në opinion, që do t’ i shërbejë për t’ u ngritur në politikë, duke mbyllur me sukses shumë nga thashethemet që janë krijuar në adresë të tij. 


Mirëpo duhet ditur edhe diçka, dhe, nuk duhet harruar se prokurorët e EULEX-it, ashtu sikur lënesha, antishqiptare, fytyrë-mushka Karla del Ponte  mbështetet kryekëput në dosjet e Ministrisë së Drejtësisë së Beogradit, të viteve 2000-2001. Kadri Veseli ashtu sikur edhe 157 shqiptarë të tjerë, në mesin e tyre edhe autori i këtij komenti, mund të arrestohen, meqë qëndron mbi kokat e tyre akuza e regjimit të Milosheviqit, e regjimit të cilit i kishin shërbyer qenërisht, broshet e kllokoqët dhe soji i tyre,  që aq shumë thesare paskëshin deponuar për SHIK-un. Sepse në këtë segment nuk ka ndryshuar asgjë, pavarësisht mesazheve paqësore e humane, pavarësisht nga zemërgjerësia dhe falja individuale, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet për të falur amanetin, që nuk falet,  dhe amanetin, që nuk mund ta falë askush në emër të tjerëve. Ai amanet, gjatë këtyre 10 viteve, është shkelur nga shumëkush dhe pasojat e asaj shkelje po i vuajmë të gjithë tok.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …