leoni

Ahmet Qeriqi: Vajtje ardhje të pandërprera në vendqëndrimin tonë në Krojmir. (E premte 18 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vajtje ardhje të pandërprera në vendqëndrimin tonë në Krojmir. (E premte 18 qershor, 1999)

Në mëngjes me Bajram Kosumin jemi nisur në drejtim të Nekocit. Bajrami për në Prishtinë unë për në Krojmir.

Në Mahallën e Lugut e kemi takuar Ali Mullinin, Sylë Qeriqin dhe Vehbi Zeqirin. Nisemi në drejtim të Krojmirit. Në dalje të fshatit takojmë Ilaz Dërgutin, shefin e Oprativës në Zonë e Drenicës me disa luftëtarë, Përshëndetemi vëllazërisht, duke pyetur për shokët për familjet e tyre. Ilazi na njofton se forcat kriminale janë dëbuar nga Drenica dhe sot bëhet hyrja triumfale, në Skënderaj.

Unë dhe Syla mbetemi në Krojmir, ndërsa Aliu dhe Vehbi Zeqiri e përcjellin Bajram Kosumin për në Prishtinë.

Në Krojmir takova Arbanën dhe Epirin. Ata më tregojnë se shtëpia në shtime nuk është djegur, por duhet pastruar e rregulluar. Kanë shpëtuar pa u djegur edhe shtëpia e Osmanit, e Hasanit dhe e Shpendit.

Më gëzon fakti se janë ruajtur librat, sidomos biblioteka e gjyshit në gjuhen arabe, turke e persiane. Të gjitha librat babai im. Aliu,  i ka vendosur në podrum dhe sipëri iu ka vënë një pllakë betoni. Edhe sikur të ishte djegur shtëpia librat do të ruheshin. Del se baba e ka bërë punën më të mençur gjatë qëndrimit të tij ilegal në Shtime.

Përgjithësisht kemi shpëtuar edhe pse me vuajtje djersë e mund. Të gjitha këto harrohen.

Ndërkohë në vendqëndrimin tonë të përkohshëm në fshat kanë ardhur: Ramadan Rizani, Vehbi Qeriqi, Bajram Rizani, Salih dhe Naim Rizani, Ajvaz Karpuzi, Isë Qeriqi, Idriz Qeriqi, Naser Bytyqi, Tahir Krasniqi e shumë të  tjerë. Ata na ngushëllojnë për dëshmorin, Milaim Beha.

Më vonë, për të na parë ka ardhur edhe Shaban Mustafa, luftëtar i lirisë i Lagjes së Metajve nga Krojmiri, së bashku me një ushtar tjetër bashkëluftëtar të Milaim Behës.

Në mbrëmje ka ardhur Mehdi Beha me bashkëshorten. Mehdiu edhe pse i  ngurtësuar nga dhembje, nuk jepet. Ai ka ardhur që sipas zakonit ta lirojë nga fejesa, bijën time  Rrezartën. Dëshiron të mbesim miq dhe të shkojmë te njëri tjetri, por Rrezja nga ana e tyre është e lirë për të vendosur fatin e saj në të ardhmen. Më dhimbset në shpirt Mehdiu dhe i premtoj se sa të jem gjallë do ta konsideroj mik e shkuar mikut. Milami ka rënë për lirinë e Kosovës. Kujtimi për veprën e tij heroike do të mbetet përjetë i paharrueshëm.

Sot kemi marrë një lajm të gëzueshëm. Nuk dinim gjë për Shpendin, djalin e madh të vëllait tim të ndjerë, Isufit. Fillimisht kishim informatë se është nisur për në Maqedoni por më vonë mësuam se nuk ndodhej atje. Shpendi gjatë luftës ka qëndruar në Prizren dhe sot nga Bellanica ka arritur në Shalë e prej andej në Krojmir. Të gjithë jemi gëzuar e veçmas baba im, Ali Emini…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Disa incidente të befasishme (E hënë 6 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Disa incidente të befasishme (E hënë 6 korrik, 1998)

Herët në mëngjes, ka ardhur në shtabin tonë lokal ushtari Murtez Sylejmani i fshatit Leletiq, …