Rexhep Qosja

Akademik Rexhep Qosja: Bashkimi Evropian dhe korrupsioni në Kosovë

Korrupsioni!

Nepotizmi!

Korrupsioni dhe nepotizmi!

Këshilli kombëtar kundër korrupsionit!

Agjencia kundër korrupsionit!

Java e luftës kundër korrupsionit!

Lufta kundër korrupsionit!

Siç po shihet, në Kosovë sot kemi:

Këshill kombëtar kundër korrupsionit.

Agjenci kundër korrupsionit.

Javë të luftës kundër korrupsionit.

Luftë kundër korrupsionit.

Por, nuk kemi as Këshill, as Agjenci, as Javë, as Luftë kundër nepotizmit, megjithëse nepotizmi është një përbërës i korrupsionit me pasoja të mëdha politike, administrative, shtetërore e morale në jetën shoqërore në Kosovë.

Në Këshillin kombëtar kundër korrupsionit dhe në Agjencinë kundër korrupsionit marrin pjesë, sigurisht të emëruar prej institucioneve të larta shtetërore, anëtarë të partive, për të cilët, pothuajse nuk dihet se si, në ç’mënyrë, me çka e luftojnë korrupsionin!

Në Javën kundër korrupsionit, përpos përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, marrin pjesë kur e kur edhe ambasadorë të huaj në Kosovë. Kështu, fjala vjen, në Javën e fundit të kësaj luftë kundër korrupsionit, mori pjesë edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delavi. Me këtë rast ai e tha edhe një fjalë shumë të rëndësishme: lufta kundër korrupsionit është me rëndësi shumë të madhe për Kosovën.

Në Luftën kundër korrupsionit, që s’është vetëm e Këshillit, as vetëm e Agjencisë, as vetëm e Javës, as vetëm mujore a vjetore, por “e përhershme”, thonë zyrtarët e Kosovës, por mosekzistuese, thonë qytetarët e Kosovës, marrin pjesë edhe disa përfaqësues të organizatave joqeveritare të Kosovës, edhe ndonjë intelektual, edhe ndonjë diplomat i huaj në Kosovë, por ndodh të marrë pjesë, ç’është e vërteta mjaft rrallë, edhe ndonjëri prej zyrtarëve të lartë të Kosovës. Kështu, fjala vjen, njëri prej tyre, që para disa ditësh mori pjesë në këtë luftën kundër korrupsionit, deklaroi se “lufta kundër korrupsionit është axhendë e jona e përditshme”, në të vërtetë axhendë e asnjëditshme e pushtetarëve, u përgjigj një gazetar zë- shterur!

Por çka është edhe më e rëndësishme për Kosovën, në këtë Luftë të përhershme kundër korrupsionit në Kosovë, në të cilën përmblidhen edhe lufta e Këshillit, edhe lufta e Agjencisë, edhe lufta e Javës, edhe lufta mujore e edhe lufta vjetore kundër korrupsionit në Kosovë, marrin pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. Dhe, marrin pjesë në këtë luftë kundër korrupsionit në Kosovë me mendime më pak a më shumë të ndryshme. Kështu, fjala vjen, njëri prej tyre korrupsionin në Kosovë e ka quajtur korrupsion pandemik; një tjetër e ka quajtur kancer politik e shtetëror, kurse një i tretë, shumë kohë para këtyre të dyve, e ka quajtur tradhti ndaj popullit.

Dhe, me gjithë luftën e Këshillit kosovar për luftën kundër korrupsionit, dhe me gjithë luftën e Agjencisë kosovare kundër korrupsionit, dhe me gjithë luftën e Javës kosovare kundër korrupsionit, dhe me gjithë këtë luftë të “përditshme” të Luftës kundër korrupsionit, dhe me gjithë pjesëmarrjen në këtë Luftë heroike kundër korrupsionit të një vargu përfaqësuesish të organizatave joqeveritare, të një vargu njerëzish politikë, të disa zyrtarëve të parë politikë e shtetërorë, të disa diplomatëve të huaj në Kosovë dhe, më në fund, të disa autoriteteve të larta të Bashkimit Evropian, korrupsioni në Kosovë vazhdon të lulëzojë, vazhdon të jetë herë epidemik e herë pandemik, vazhdon të shtrihet gjerë, të depërtojë thellë e të ngrihet lart, deri në lartësitë më të mëdha politike e shtetërore të Kosovës!

Pse? Pse? Pse?

Pse kjo luftë kundër korrupsionit në Kosovë është kështu e pafryte, e parezultate, e kotë? E mjerë?

E para, sepse është luftë e rrejshme, demagogjike, mashtruese ndaj popullit!

E dyta, sepse është luftë me iluzione përfituese retorike e patetike atdhetare e të pushtetshmëve dhe e të papushtetshmëve!

E treta, sepse është luftë në thelbin e saj e sabotuar prej të gjithëpushtetshmëve dhe e të gjithëfuqishmëve të Kosovës dhe është e sabotuar prej tyre, sepse ata janë të frikësuar se po të bëhej kjo luftë kundër korrupsionit kur duhet, ku duhet, si duhet e me çka duhet ata do të mund të ishin shpallur të kryekorruptuarit e Kosovës.

E katërta, sepse është luftë në thelb e politizuar, sa për sy e faqe, e autoriteteve të Bashkimit Evropian. Po të mos ishte e tillë, po të mos ishte e politizuar, po të mos ishte e disafytyrshme sjellja e tij, EULEX-i nuk do të pësonte disfatë pothuaj komprometuese në Kosovë! Po të mos ishte kështu, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Rori Okonell, betejën e tij disamujore kundër të keqes së madhe të quajtur nepotizëm nuk do ta heshtte përnjëherë dhe tani të shihet aq shpesh në shoqëri e në gosti me politikanët, përfituesit dhe zbatuesit e shquar të nepotizmit në Kosovë!

Autoritetet e Bashkimit Evropian, po deshën ta luftojnë sinqerisht, po deshën ta luftojnë vendosmërisht korrupsionin (dhe nepotizmin) në Kosovë, nuk e kanë aspak të vështirë: do të duhej të bëjnë në këtë luftë çka bëjnë në vendet e tyre. Ata e dinë mirë se korrupsioni (e nepotizmi) nuk parandalohen, nuk pakësohen, nuk çrrënjosen duke burgosur për korrupsion pylltarë, infermierë, kamerierë, mësues në fshatra e qyteza, korrierë partiakë e shkollorë, analfabetë e çerekintelektualë të profesioneve të ndryshme, po duke luftuar më së pari korrupsionin e të gjithëpushtetshmëve e të gjithëfuqishmëve, sot 30,40 apo 50 herë më të pasur se ditën kur janë ulur në postet politike, të cilët me pasuritë ë tyre e të familjarëve të tyre, me sjelljet e tyre e me disa “ligje” të tyre, në të vërtetë e kanë legalizuar korrupsionin dhe të cilët tashmë kapardisen si sundimtarë të sulltanizuar, që Kosovën e trajtojnë shtet të tyre privat!

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Zonja Natali Apostollova, fjala e së cilës tingëllon e sinqertë, e bindshme dhe përshtypjebërëse, nuk ka nevojë të harxhojë shumë fjalë për korrupsionin këtu në Kosovë: Ajo do të duhej të përpiqej që në Bruksel të krijohet vetëdija e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian se për të pakësuar, për të parandaluar, për të çrrënjosur një ditë korrupsionin në Kosovë duhet të bëhet ajo që është bërë në shtetin e saj – në Bullgari: e para, duhet të miratohet Ligji për prejardhjen e pasurive të zyrtarëve të lartë, të “peshqve të mëdhenj”, në Kosovë, duke filluar prej kryetarit, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit e të “peshqve të tjerë të mëdhenj e të mesëm” pas tyre; e dyta, duhet të caktohet prokuror i veçantë, pra i veçantë e jo rrogëtar i kryetarit e kryeministrit, i cili do të merrej me hetimin, prejardhjen, grumbullimin e atyre pasurive; dhe, e treta, duhet të nxirret gjyqësori kosovar prej thonjve të kryepronarëve sulltanorë të shtetit të Kosovës!

Ç’është e vërteta Kosova ka Këshill kombëtar për luftë kundër korrupsionit, Agjenci kombëtare kundër korrupsionit, Javë të luftës kundër korrupsionit, prokuror për luftë kundër korrupsionit e shumëçka tjetër që ka të bëjë me korrupsionin, por pushteti në Kosovë sot shumë më shumë se luftë kundër korrupsionit ka gënjeshtra, mashtrime, dallavere, falsifikime, trillime, sabotime vrazhdësi, kërcënime, dhunë, zhvatje, reket, privilegje, derdhje të financave shtetërore, shantazhime që e asgjësojnë atë luftë kundër korrupsionit. Për të gjitha këto arsye Kosova ka nevojë për një prokuror të veçantë, të pavarur, me integritet të veçantë politik, profesional, moral, që puthadorësit e puthakëmbësit e të gjithë të pushtetshmëve siç është prokurorja e lavdishme rumune, Laura Kovesi, e cila me vendosmërinë e saj të pamposhtshme ka arritur t’i nxjerrë para gjykatave të kryekorruptuarit e Rumanisë dhe t’i mbushë burgjet me ta e me të korruptuar të tjerë si ata. Në sajë të veprimtarisë së saj si prokurore me përgjegjshmëri e përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj drejtësisë, demokracisë dhe popullit të cilit i takon, që brenda një viti, si shkruajnë mediet evropiane, i realizon deri në njëmijë hetime të zyrtarëve shtetërorë prej të cilëve 90 përqind përfundojnë në burgje, ajo është bërë gjerësisht e njohur dhe e çmuar në Evropë e në botë. Është lartëçmuar prej Kryetarit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, prej medieve të njohura si Nju Jork Tajms e Gardian dhe, më në fund, është çmuar edhe me dekoratën më të lartë të Francës: me Dekoratën e Nderit.

Vetëm ashtu, me ligj, dhe vetëm me ligj, me shtet të së drejtës dhe vetëm me shtet të së drejtës, mund të shërohet Kosova prej sëmundjes së rëndë të quajtur korrupsion (e nepotizëm), që cenon, shfytyron demokracinë tonë ende rurale, që pengon zhvillimin ekonomik, që vret shtetin social, që nxit dëshpërimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe vendit të vet, që nxit mosdurimin e arsyeshëm të qytetarëve ndaj strukturave politike, partiake e shtetërore, që nxit zhvendosjen sidomos të të rinjve prej Kosovës, që bëhet rëndesë, domethënë fuqi tërheqëse e krimit të organizuar, që e përshtrin dhe e përthellon krizën morale të shoqërisë e shtetit të Kosovës! Të gjitha këto pasoja të korrupsionit janë të mjafta që ai, korrupsioni, të quhet siç e ka quajtur ai evropiani i shumëpërvojshëm: tradhti ndaj popullit.

Prishtinë, 23.6.2018

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …