Delegacioni i organizatës Albanians for America, i udhëhequr nga Doc Vranici dhe i përbërë nga Gino Mulliqi, Nick Mehmeti dhe Nino Rata, ka zhvilluar një seri takimesh të rëndësishme në Washington, D.C., me fokus avancimin e çështjeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe forcimin e rolit të diasporës shqiptaro-amerikane. Gjatë agjendës treditore në Capitol Hill dhe në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, delegacioni zhvilloi takime me senatorë, kongresmenë, këshilltarë për siguri kombëtare dhe ekspertë të politikës së jashtme amerikane. Ndër takimet më të rëndësishme ishin ato me përfaqësues të zyrave të senatorëve Ted Cruz dhe Andy Kim, si dhe me kongresmenët Brendan Boyle, Dina Titus, Suhas Subramanyam, Ashley Hinson dhe Jim Himes. Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, sfidat e sigurisë rajonale, ndikimi rus dhe kinez në rajon, si dhe rëndësia strategjike e forcimit të partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve shqiptare. Delegacioni prezantoi prioritetet kryesore të komunitetit shqiptaro-amerikan, duke kërkuar mbështetje për integrimin e Kosovës në NATO, vazhdimin e pranisë amerikane në kuadër të KFOR-it, si dhe adresimin e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Po ashtu, gjatë takimeve u diskutua edhe për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, përfshirë tensionet shoqërore dhe nevojën për zgjidhje demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Në përfundim, Albanians for America ritheksoi përkushtimin për të qenë një zë aktiv i komunitetit shqiptaro-amerikan në Uashington dhe për të avancuar marrëdhëniet strategjike ndërmjet shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
