leoni

Ali Mehmeti: FSHATRAT E POTEMKINIT

Grigorij Aleksandroviç Potemkin ishte një ushtarak i Rusisë cariste i shekullit të tetëmbëdhjetë, i cili u shqua për nga aftësia dhe trimëria e tij. Si i tillë arriti të bëhet edhe komandant në frontet jugore të Rusisë ku luftonte kundër Perandorisë Otomane me shumë sukses, duke pushtuar territore të reja dhe duke ia bashkangjitur ato Rusisë. Këto territore ai i popullzonte, madje ndërtonte edhe qytete të tëra, siç janë Sevastopoli, Ekaterinoslavi e tjerë, por, ku popullata jetonte në mjerim. Në këtë periudhë Rusinë e sundonte, Ekaterina e dytë, e cila, e mahnitur pas sukseseve dhe bukurisë së Potemkinit u bë edhe dashnorja e tij. Ajo ishte e njohur për udhëtimet e saja të pandërprera nëpër Rusi duke u interesuar për gjendjen e perandorisë. Kur deshi t’i vizitojë edhe viset e pushtuara nga Potemkini, ky i fundit përdori një truk. Ai deshi që viset që do t’i vizitojë Ekaterina, të duken sa më të bukura dhe më të popullzuara, aq sa nuk ishin në realitet. Madje, duke lënë përshtypje se atje popullata po jeton në begati dhe në një ambient idilik. Kështu donte të tregonte se sa i suksesshëm ishte, edhe si kolonizator. Për këtë arsye, gjatë rrugës ku do të kaloj ajo, ai ndërtoj vetëm ballina të shtëpive nga materialet provizore, me ngjyra të ndezta, që simulonin fshatra. Nga largësia e mjaftueshme, këto “shtëpi” nuk mund të dalloheshin nga shtëpitë e vërteta. 
Ky truk është shndërruar në idiomë dhe është i njohur sikur “fshatrat e Potemkinit”. Prej kohësh ai përdoret, në të gjithë meridianët dhe në të gjitha sistemet, atëherë kur disa individë duan t’i hynë në qejf shefave, patronëve, apo donatorëve të tyre, apo atëherë kur tentohet me doemos të mbahet një sistem ekonomik, ose politik joreal dhe mashtrues. Dhe tani, me siguri e parandieni se çfarë lidhje ka ky tregim me Kosovën. 
Për të mos u kthyer në të kaluarën, pasi që po kërkojnë nga ne ta harrojmë, nuk do të përmendi ngjyrosjen e fasadave nëpër qendër të Prishtinës, gjatë rrugës ku do të kalonte “shoku Tito”, gjatë vizitave të tij të rralla në Kosovë; as për festimin e “ditës së pavarësisë 2 korriku” nga njëra anë dhe kërkesën për njohjen “vetëm formale” të pavarësisë së Kosovës, nga ana tjetër. Dua të flas vetëm për tashmen, e cila ka filluar vitin e fundit të shekullit të kaluar, për Ministri të Energjetikës, e cila nuk ka kompetenca mbi kapacitete energjetike; 
për Ministri të Komunikacionit dhe telekomunikacionit, e cila nuk ka kompetenca mbi komunikacionin ajror, hekurudhor dhe sistemin telekomunikues; 
për Ministri të Minierave, e cila nuk ka kompetenca mbi miniera; 
për Ministri të Drejtësisë, e cila nuk ka kompetenca mbi sistemin gjyqësorë;
për ministri të rendit, që nuk ka kompetenca mbi policinë; për komisione të ndryshme, që nuk mund të përcaktojnë përgjegjësinë për vrasjen e dy të rinjve, edhe pse ngjarja është e filmuar, para se përgjegjësit të largohen nga Kosova; për Kuvendin, i cili nuk mund të aprovojë ligje;
për Qeverinë, e cila nuk ka kompetenca për negociata me Serbinë; dhe në fund, për të gjithë së bashku që nuk kanë të drejtë të privatizojnë pasurinë e vet. Apo ndoshta edhe kjo është e kaluara, histori!? E tashmja pra, do të duhej të ishte shumë më idilike, ndoshta e stilit: “Mendoj, pra flamur; mendoj, pra kushtetutë…….” Po ku janë ato? Apo prapë po gaboj!? Përveç se duhet harruar të kaluarën, duhet harruar edhe të tashmen, pasi që e ardhmja ka filluar “Ne mirëpresim të ardhmen”. 
Madje edhe “PTK i lidh kosovarët me të ardhmen”! Vetëm në të ardhmen ne do të kemi flamur, kushtetutë, pavarësi,…. Nuk ka rrëndësi se kur do të filloj vërtet kjo e ardhme, si do të duket ky flamur, çfarë do të shkruajë në kushtetutë, kush do ta mbikëqyrë këtë “pavarësi të komanduar”,…. Është me rrëndësi se “UNMIK-u në tërësi do t’i bartë përgjegjësitë në institucionet e Kosovës”. Nuk ka rëndësi se brenda këtyre institucioneve kërkohet shumica e dyfishtë (e serbëve dhe shqiptarëve), as fakti se “përfaqësuesi civil ndërkombëtar do të ketë kompetenca t’i anulojë vendimet dhe ligjet e organeve të Kosovës dhe t’i shkarkojë zyrtarët” (zyrtarë të zgjedhur në mënyrë demokratike nga populli i Kosovës, apo jo!), as fakti se e gjithë kjo do të zgjasë derisa nuk konstatohet se Kosova i ka zbatuar të gjitha dispozitat nga vendimi mbi statusin e saj”, me fjalë tjera, gjerë në pambarim. 
Pra, nëse shikojmë nga largësia e mjaftueshme, sikur carica Ekaterina fshatrat e Potemkinit, Kosovën e pret një e ardhme e ndritshme. Ajo nga dita në ditë do të ndërtohet dhe rindërtohet. Do ta ndërtojnë politikanët tanë para zgjedhësve të tyre para zgjedhjeve, kurse pas zgjedhjeve para patronëve të tyre ndërkombëtar; gazetarët para donatorëve të tyre; prania ndërkombëtare para shefave të tyre jashtë Kosovës dhe para popullit të Kosovës dhe ashtu me radhë. Prandaj, Kosova do të shndërrohet në një shoqëri prosperuese, të bukur, shumetnike dhe idilike, mu sikur fshatrat e Potemkinit! Në këtë kontekst, duhet shikuar edhe kundërshtimin e Rusisë ndaj planit të Ahtisarit, i cili nuk është asgjë tjetër përveç se edhe një shtëpi në fshatin e Pootenkimit, me të cilin tentohet të arsyetohet mungesa e vërtet e pavarësisë. Madje, ne duhet të jemi të lumtur kur Rusia pajtohet me këtë planë, edhe në rast se ai pëson ndonjë ndryshim, për të keq natyrisht. Megjithatë, fshatrat e Potemkinit janë nga materiali provizor, për një përdorim, sikurse edhe politikanët tanë.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …