Ali Mehmeti: Gjykata Speciale, test i pjekurisë

Në vitin 1989 shtrohej pyetja hamletiane: t’i pranojmë ndryshimet kushtetuese dhe kështu të heqim dorë nga të drejtat tona edhe ashtu të cunguara në krahasim me popujt e tjerë të Jugosllavisë së atëhershme, “apo Serbia të na shkelë me tanke”!? Sot: ta pranojmë formimin e Gjykatës Speciale dhe kështu të vetëdenohemi sepse çdo gjykatë është për të dënuar, jo për të dhënë shpërblime ose në të kundërtën atë do ta formojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së!?

Mos ta harrojmë një fjalë të urtë popullore: nëse të lidhë dikush, gjendet dikush edhe për të zgjidhur; nëse e lidh veten, nuk ka kush të të zgjidhë!

Gjithsesi sot e dimë se në vitin 1989 nuk ishte realiste që Serbia të na shkelte me tanke, sepse vendimet e tilla nuk mund të binte Serbia, por Jugosllavia, kurse Serbia ende nuk e kishte zaptuar pushtetin të tërin.

Për kujtim, presidenti i atëhershëm i Sllovenisë, Millan Kuçan, thoshte se në horizontet e Stan Tërgut mbrohet Jugosllavia e atëhershme. Tekefundit, edhe pse klasa jonë politike i pranoi të gjitha kushtet, Serbia na shkeli me tanke, disa vite më vonë, atëherë ku iu dha rasti. Kurse atyre që votuan kundër nuk u ndodhi asgjë!

Po sot, kur të gjithë e dimë se kjo Gjykatë është kundër interesave tona, pse duhet ta votojmë, ta formojmë?

Pse duhet ta dënojmë veten tonë?

Pse duhet ta përdhosim dinjitetin tonë, krenarinë tonë?

Dëshirën e kujt jemi duke e plotësuar?

Të miqve tanë ndërkombëtarë!?

A janë këta miq që luftuan krah përkrah me UÇK-në kundër një agresori të egër që shkaktoi me qindra mijëra viktima anembanë Ballkanit? A mos duhet krijuar edhe një gjykatë tjetër speciale që do të merret me rastet kur janë shkaktuar viktimat nga NATO, për shkak të identifikimit të gabuar të ndonjë caku në tokën e Kosovës apo Serbisë, apo të informacioneve të gabuara me ç’rast u bombardua burgu i Dubravës, me të burgosur shqiptarë?

Ku dhe në cilën periudhë historike është dënuar një ushtri që luftoi në tokën e vet, kundër pushtuesit të ardhur me forcë në shtëpi të tyre?

Gjithnjë duke mos përjashtuar mundësinë që edhe ndonjë pjesëtar i UÇK-së të ketë bërë ndonjë akt të pahijshëm, kriminal! Po si është e mundur që disa nga figurat prijëse të UÇK-së, sot deputetë të Kuvendit të Kosovës, të deklarohen për formimin e kësaj gjykate?

Çfarë metamorfozë pësuan ata?

Çfarë vemje janë ata? As vemje nuk janë?

Nga vemja zhvillohet një flutur e bukur, kurse këta nga flutura duan të kthehen në vemje? Apo janë të shantazhuar me krime ekonomike që bënë pas lufte, duke u pasuruar maramendësisht? Ke e shqetësuan këto krime?

Askënd! Ata që duhej t’i luftonin u bënë pjesë e krimit në shumë raste.          

Po miqve tanë ndërkombëtar për çfarë u duhet kjo gjykatë? Kush i ndaloi qe 15 vjet të merren me krimet e luftës dhe jo vetëm me ato? Cili ligj, cili gjykatës, cili prokuror, cili politikan i ndaloi? Të gjitha i kishin të tyre. Vet hartonin ligje (udhëzime administrative), kishin shtyllën e vet (Shtylla I e UNMIK-ut, “Policia dhe Drejtësia”), kishin gjykatës, prokurorë, polici, ushtri….. Pas tyre erdhi EULEX-i me të drejta të njëjta. Burgosën ke deshën, dënuan ke deshën, liruan ke deshën. Burgosën ministrin “për keqpërdorime në vlerë prej 80 milion euro” për ta liruar pastaj si të pafajshëm! E njëjta ndodhi me guvernatorin e bankës! Së fundmi dënuan edhe dy komandantë të UÇK-së! A mos i ndaloi kush? Kishin Gjykatën Ndërkombëtare për krimet e luftës në Hagë! Burgosën, akuzuan, dënuan, liruan si të pafajshëm ke deshën!

A mos i ndaloi kush?

Emëruan presidente me zarf, krijuan koalicione sipas shijes së tyre!

A mos i ndaloi kush? Jo, askush!

Për çfarë ju duhet pra kjo gjykatë?

Për t’u tallur me ne?

Për ta parë se sa jemi në gjendje të përkulemi?

Për t’ia bëre qejfin Serbisë?

Jo, Miqtë nuk e bëjnë këtë! Për një gjë të vetme: të binden se a jemi të pjekur të kemi shtet apo jo! Zotëri deputetë, fjalën e keni ju. Ju ish pjesëtarët e UÇK-së sidomos! Për Melihate Tërmkollin, e di, do të votojë kundër, sikurse edhe në vitin, jo aq të largët, 1989! Pra, të gjithë së bashku tregoni pjekuri, tregoni se nuk jeni të shantazhuar, tregoni se jeni të pastër!

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …