Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Artan Behrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se me vendimet e qeverisë së tij ka dëmtuar ekonominë e Kosovës dhe ka favorizuar Serbinë. Sipas Behramit, gjatë qeverisjes së Kurtit janë hequr taksa 100 për qind dhe masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke mundësuar, sipas tij, importimin e mbi 6 miliardë euro mallrave serbe në Kosovë. Ai ka pretenduar gjithashtu se Qeveria ka ndalur projektin energjetik “Kosova e Re” dhe projektin për gazin amerikan, duke i hapur rrugë, sipas tij, përfitimeve të kompanive serbe. Behrami ka reaguar edhe për zhvillimet rreth fabrikës së qumështit “Vita”, duke pretenduar se synimi i radhës është mbyllja e njërit prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë, gjë që, sipas tij, do të krijonte hapësirë për tregtarët serbë të qumështit në tregun e Kosovës. “Nga heqja e reciprocitetit, te ndalja e ‘Kosovës së Re’, e deri te ‘Vita’, Kurti po i hap rrugë Serbisë. Cili do të jetë hapi i radhës për ta dobësuar Kosovën dhe forcuar Serbinë?”, ka shkruar Behrami.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
