Arton Musliu: E drejta ndërkombëtare nuk njeh tërheqje të nënshkrimit, por parasheh anulimin

Paradoksalisht, politika është pothuajse fusha e vetme në të cilën, e për të cilën, flasin edhe ata që dinë, por mbi të gjitha ata që nuk dinë. Fletë shumë kush, për të mos thënë çdo kush, e të cilët thonë çdo gjë përveç profesionalizmit e objektivitetit. Situata aktuale në Kosovë karakterizohet me shumë politikë e me pak profesionalizëm. Mjerisht, aktualiteti politik në Kosovë është uzurpuar nga profan e diletant, demagog e prepotent, të cilët na lodhën me pallavrat e tyre se si të dilet nga kjo gjendje e si të arrihet konsenzusi politik e shoqërorë nacional.


 


Para se të eksplikohet tema më e rëndësishme e aktualitetit politik kosovar, siç është çështja e tërheqjes së nënshkrimit, rrespektivisht anulimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, është e nevojshme të thuhen disa fjalë për shkakun e vërtetë të krizës politike në vend. E ky shkak është pushteti, e kursesi shteti. Kjo për shkak se Asociacioni nuk ka asnjë kompetencë më shumë se sa kompetencat të cilat parashihen në bazë të Pakos së Ahtisarit, e që kan të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Asociacioni është zgjatje në kuadër të kornizave të Pakos së Ahtisarit, por jo zgjërim.


 


Çështje tjetër e cila për mendimin tim është e rëndësishme të dekonstruktohet është manipulimi me nocionet ‘e drejtë’ dhe ‘drejtësi’. Mendoj që ka një keqkuptim dhe njikohësisht një keqinterpretim të këtyre dy nocioneve. Nuk është në rregull që të ngatërrohet drejtësia me të drejtën. Madje këto përveç që jan nocione, në të njetën kohë jan edhe koncepte. Dhe, dallimi pashmangshëm dhe pakthyeshëm është dhe duhet të jetë konceptual. Ne, njëher e mirë duhet të kuptojmë se e drejta dhe drejtësia nuk jan as nocione e as koncepte të njejta. Për shkak se e drejta nënkupton aspektin zyrtar, e drejtësia aspektin shoqërorë. E drejta nënkupton tërsinë e normave juridiko-pozitive të një sistemi juridik të cilat jan të aplikueshme dhe për mos zbatimin e të cilave, rrespektivisht për shkeljen e të cilave, pason sanksioni juridik. Drejtësia është dhe duhet të akceptohet si shoqërore. Pra tërsi e vlerave të përbashkëta shoqërore të cilat karaketrizojnë një shoqëri të caktuar. Drejtësia relekton moral tw pwrbashkwt shoqwrorw. Drejtësia kërkon legjitimitet, e drejta synon gjithmonë legalitet. Legaliteti shpeshëherë sfidon legjitimitetin në situata të caktuara. Mirëpo është një proces i cili njikohësisht përfshinw legalitetin dhe legjitimitetin. Zgjedhjet në çdo shtet normal mbahen mbi bazën e Ligjit mbi Zgjedhjet dhe ky është dimenzioni legal, derisa legjitimiteti fitohet përmes votave. Rezultati zgjedhorë i mishëruar në konfiguracion të spektrit partiak politik prodhon një qeveri dhe një parlament legal dhe legjitim. Dhe, këtu çështja e legalitetit më nuk vihet në pikëpyetje. E legjitimiteti është dhe duhet të jetë referncë permanente e institucioneve. 


 


Sidoqoftë të kthehemi te çështja kapitale. A ekziston si mundësi objektive tërheqja e nënshkrimit?! Në të drejtën ndërkombëtare ky variant nuk ekziston. Dhe këtu opozita i’a ka fut kot. Në vend të tërheqjes së nënshkrimit në të drejtën ndërkombëtare njihet institucioni i anulimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ky është dallimi substancial që duhet thënë. Në bazë të dispozitave juridiko-pozitive të së drejtës ndërkombëtare një gjë e tillë është e paraparë. Dokumenti juridik ndërkombëtar i cili e rregullon në mënyrë të qartë pezullimin, anulimin apo tërheqjen nga marrëveshja ndërkombëtare është Konventa e Vienës mbi të Drejtën e Traktateve, e arritur në Vienë me 23 maj 1969, e hyrë në fuqi me 27 janar të vitit 1980 dhe  e nëshkruar nga 96 shtete deri në 20 janar të vitit 2004. Mirëpo para se të elaborohet kjo është me rëndësi imanente dekonstruktimi i nocioneve të gjuhës angleze ‘treaty’ dhe ‘agreement’.


 


Në rastin konkret, Kosova ka nënshkruar marrëveshje (agreement) dhe jo marrëveshje (treaty) me Serbinë. E tillë është “Marrëveshja e Parë  mbi Parimet qe Rregullojne Normalizimin e Marrëdhënieve, e datës 19 prill 2013. Në këtë marrëveshje është përdorur fjala agreement. Verzioni i emërtimit të kësaj marrëveshje në gjuhën angleze është:”The First Agreement of Principles Governing Normalization of Relations.” Kjo marrëveshje është ratifikuar edhe me Ligjin Nr. 04/L- 199 mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare mbi Parimet Qeverisëse për Normalizimin e Marrëdhënieve me Serbinë, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me 27 qershorë të vitit 2013. Në bazë të nenit 2.1 (a) të Konventës së Vienës mbi të Drejtën e Traktateve termi ‘treaty’ nënkupton “një marrëveshje ndërkombëtare (international agreement) të bërë në mes të shteteve, në formë të shkruar dhe të njohur nga e drejta ndërkombëtare dhe të mishëruar në një apo më shumë instrumente”. Në anën tjetër autori i fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare Boleslaw A. Boczek, në librin e tij të njohur: ‘International Law- A Dictionary’, thekson se mëgjithë përdorimin e nocionit treaty në praktikën e përditshme ndërkombëtare, ky nocion  përfshinë edhe nocionet tjera si agreement, convention, pact, accord, covenant, arrangement e terme të tjera. Sipas tij nocioni treaty është i përdorur në Konventën e Vienës dhe në praktikën e përditshme ndërkombëtare si një nocion i përshtatshëm dhe përgjithësisht i pranuar për marrëveshjet e shkruara ndërkombëtare. Ndërkohë konsistenca mungon edhe  kur është fjala për përdorimin e këtyre termeve nga organet e OKB-së, siç është rasti me  Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, rrespektivisht me statutin e saj e cila në nenin 36 të tij i referohet fjalës ‘treaties’, derisa në nenin 38 i referohet termit ‘conventions’. Pra në këtë kontekst nuk duhet patur mjegull. Në bazë të së drejtës ndërkombëtare pozitive përdorimi i njërës nga nocionet e lartëpërmendura mjafton. Dhe në momentin e nënshskrimit të marrëveshjeve ato në planin e brendshëm bëhen obligative pasi të jenë ratifikuar nga Parlamentet rrespektive. Dhe, një gjë e tillë në Kosovë ka ndodhur.  Tani shtrohet çështja e tërheqjes së nënshkrimit, e cila teknikisht dhe praktikisht është e pamundshme, rrespektivisht anulimit të marrëveshjes apo tërheqjes nga marrëveshja, e cila edhe teknikisht edhe praktikisht, por edhe juridikisht është e mundshme, por në kushte dhe rrethana të caktuara. Ndalimin e zbatimit të marrëveshjeve, rrespektivisht suspendimit të tyre apo tërheqja nga marrëveshja parashihet në Konventën e Vienës mbi të Drejtën e Traktateve.


 


Në bazë të nenit 54 të Konventës së Vienës mbi të Drejtën e Traktateve ekzistojnë dy mundësi për t’u tërhequr nga marrëveshja. Mundësia e parë për tërheqje nga një marrëveshje ndërkombëtare është nëse një gjë e tillë është paraparë në një marrëveshje të tillë. Pra nëse në një marrëveshje të caktuar ndërkombëtare parashihet tërheqja nga marrëveshja në kushte të caktuara, atëher një gjë e tillë është  e lejuar. Mundësia e  dytë për t’u tërhequr nga marrëveshja ndërkombëtare konsiston në pëlqimin e palëve. Pra një marrëveshje ndërkombëtare mund të tërhiqet, rrespektivisht të anulohet nëse për një gjë të tillë pajtohen palët nënshkruese të asaj marrëveshje. Mirëpo çka nëse asnjëra prej mundësive të parapara me nenin 54 të kësaj Konvente nuk ekziston? Çka nëse në marrëveshje, siç është rasti i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nuk është paraparë mundësia për t’u prishur apo anuluar marrëveshja si dhe njikohësisht nuk ka pajtim nga cila do palë nënshkruese për një gjë të tillë? Neni 56 i po kësaj Konvente e sqaron një situatë të tillë. Në bazë të këtij neni një marrëveshje e cila nuk përmban dispozita të cilat çojnë në anulim apo tërheqje nga marrëveshja nuk mund të jetë subjekt i anulimit apo tërheqjës përderisa nuk vërtetohet se palët kan pasur për qëllim një gjë të tillë dhe përderisa një gjë e tillë nuk vetëkuptohet për nga natyra e marrëveshjes.


 


Nëse  një gjë e tillë ekziston atëher, pra nëse vërtetohet se palët kan pasur parasysh një gjë të tiilë apo nëse kjo vetëkuptohet për nga natyra e marrëveshjes, atëher anulimi i marrëveshjes, rrespektivisht tërheqja prej saj mund të bëhet pasi të kalojnë 12 muaj nga koha e reklamimit për një gjë të tillë. Këtë interpretim e jep autori Tim Hillier, në librin e tij ‘Sourcebook on Public International Law’. Mundësia tjetër e cila është e sankionuar për anulim të marrëveshjes, neni 62 i Konventës, rrespektivisht tërheqje nga marrëveshja, është ndryshimi substancial i rrethanave, parimi juridik Rebus Sic Stantibus. Derisa mundësia e fundit për një gjë të tillë, e sanksionuar me nenin 64 është shkelja e normave jus cogens të së drejtës ndërkombëtare. Duke pas paraysh se dispozitat  juridiko pozitive të së drejtës ndërkombëtare përkitazi me anulimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, rrespektivisht tërheqjes nga marrëveshja, jan të tilla, atëher mund të konstatohet objektivisht se Republika e Kosovës nuk ka asnjë arsye objektive juridiko-ndërkombëtare për të anuluar marrëveshjen apo për t’u tërhequr nga ajo. Konsekuencat politike në këtë rast nuk jan objekt disktutimi e trajtimi. Përfundimisht, mund të thuhet se kërkesat e opozitës kosovare jan absurde dhe non sens juridik. Është fatkeqësi që njerëz me legjitimitet e legalitet që përfaqësojnë qytetarët e Republikës kan humbur rezonin juridik. Çdo shoqëri ka rregulla, çdo shtet ka rregulla, çdo organizim ka rregulla. Është me rëndësi fundamentale që njerëz publik e politik të kenë rezonim objektiv për dispozitat juridiko-pozitive të sistemit juridik pozitiv të Republikës së Kosovës, e në veqanti për ato të së drejtës ndërkombëtare. 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …