Arton Musliu

Arton Musliu: “Kombi Kosovar” dhe sindromi austriak

Në një nga rrugët rajonale të  Kosovës dy udhëtarë po lëviznin me një automobil. Njëri ngiste automobilin, tjetri i bënte shoqëri. Vozitësi meqenëse filloi të rritë shpejtësinë, shoqëruesi filloi të frikësohet. Për rrjedhojë ky i fundit lutë vozitësin që të zvoglojë shpejtësinë, në të njëjtën kohë i bënë me dije se nuk është shumë i sigurt në vozitje. Xhevapi e vozitësit erdhi me shpejtësi të rrufeshme, me plotë vetëbesim, pa menduar dy herë. Për besë të Zotit edhe aeroplanin e vozis, mjafton që ta shikoj pilotin se si po e dhezë atë, vazhdoi ai me vetëbesimin e tij plotë prepotencë.

Të dashur Shqiptarë të Kosovës, ky është realiteti ynë i trishtueshëm shoqëror. Ky është mjerimi ynë prej profanëve. I dimë të gjitha pa ditur po thajse asgjë. Në rastin më të mirë i dimë të gjitha gjërat nga pak, e në fakt nuk e zotërojmë asnjë në tërësi. Vetëbësimi ynë për  “gjithëdijen” tonë, për mendimin tim formësohet nga tre faktorë. Faktori i parë ka të bëjë me sistemin tonë arsimorë i cili është kriminal. Kriminaliteti i këtij sistemi manifestohet nëpërmjet diplomave të  mastereve e doktoratave të cilat kompenzojnë mungesën e dijes së titullarëve të këtyre diplomave. Natyrisht, pa i futur të gjithë në një thes. Faktori i dytë ka të bëjë me hapësirën që rrjetet sociale krijojnë për secilin që dëshiron të shprehë atë që e mendon apo që se mendon fare por vetëm e shprehë duke qenë se e ka dëgjuar apo lexuar kalimthi prej dikuj tjetër. Dhe, faktori i tretë është, nëse jo kriminal, gjithsesi përgjegjës,  kategoria e njerëzve të dijes së njëmendtë. Kjo kategori duhet të flas, ka për obligim të adresojë çështjet për të cilat është e thirrur. Heshtja e mendjeve të pasura dhe pushtimi i hapësirës publike, sociale, mbase edhe mediale, nga diletantët, profanët, sentimentalistët kombëtarë e nostalgjikët jugosllav, përkitazi me debatin e dhezur për kombin shqiptar dhe atë potencial kosovar, është vetëvrasje shoqërore. Nuk duhet të heshtet. Duhet të flitet. Me argumente, pa paragjykime, me komparacione. Debati megjithatë sjellë diçka.

Përkitazi me kombin si kategori politike dhe sociologjike janë shkruar shumë libra. Kan shkruar shumë autorë. Mirëpo, edhe përkundër përpjekjeve, askush deri më tani nuk ka arritur që të sajoj një definicion rreth se cilit shumica do të pajtoheshin. Etnia, kombi, nacionalizmi, populli, populli minoritar, minoriteti kombëtar, minoriteti etnik, grupet kombëtare, komunitetet kulturore, ato religjioze, të gjitha këto nocione në doktrinën juridike dhe sociologjike janë relative. “Le të vendosë populli”! Ishte doktrina e Presidentit amerikan Wilson, për vetëvendosjen. Robert Lansing, Sekretar i Shtetit, duke ironizuar me Presidentin, ndër të tjera kishte thënë se  “populli nuk mund të vendosë përderisa dikush të vendosë se çfarë është populli”! Nëse doktrina e vetëvendosjes kombëtare e Presidentit amerikan merret si e tillë, atëherë si mund të shpjegohet lënia e dy milion Gjermanëve (Gdansi) nën autoritetin e shtetit polak të formuar pas Versajës.

Kombi në përgjithësi kuptohet si komunitet i njerëzve me origjinë (prejardhje), gjuhë, kulturë, traditë, dhe religjion të përbashkët, elemente të cilat konsiderohen si objektive, dhe me vetëdijen e tyre se janë të tillë dhe do të jenë të tillë, elemente këto subjektive. Tani, dy librat e shenjtë më të përqafuar në botë përgjatë shekujve, Kurani dhe Bibla, përkitazi me prejardhjen  e njeriut kanë të njejtin rrëfim. Sipas tyre, i gjithë njerëzimi ka prejardhjen nga Hava dhe Ademi, respektivisht Eva dhe Adami. Kjo teori na “detyron” të themi se i gjithë njerëzimi është i një kombi, apo jo. Pra, elementi i prejardhjes së përbashkët rrëzohet. Edhe etnia lidhet me prejardhjen e përbashkët, e cila në fakt është e natyrës biologjike (Donald L. Horoëitz). Ndërkohë që autori George W. White, në librin e tij “Ethnic Groups in Conflicts”, pretendon se etnia ka kuptimin e prejardhjes së përbashkët dhe ka kuptimin e njejtë ashtu sikurse kombi. Në anën tjetër nëse e origjina apo prejardhja e përbashkët e një komuniteti është element i kombit, si ka mundësi që prej një entiteti etnik, të formohen kombe të ndryshme. Ta zëmë, Serbët dhe Kroatët janë Sllav. Nëse janë Sllavë i bie që ka qenë dasht të formësohet kombi Sllav dhe jo kombi Serb dhe ai Kroat. E njëjta  vlen edhe për Shqiptarët. Nëse Shqiptarët përgjatë shekujve, si pasardhës të Ilirëve, janë formësuar si komb, a do të thotë kjo se edhe Kosovarët duhet të ndjehen të tillë?  Edhe Gjermanët, si pasardhës të Habsburgëve, ndjehen komb në vete, por a vlen kjo edhe për Austriakët. Rastë të tilla në botë ka mjaft, mirëpo për këtë duhet të shkruhet më gjatë.

Përkitazi me gjuhën duhet të thuhet se edhe gjuha, si element imanent i kombit, nuk është absolute. Mjafton të përmendet se sot në botë janë afërsisht 5000 grupe të ndryshme etnike, 600 grupe gjuhësore dhe afërsisht 200 shtete. Kombe të ndryshme, të veçanta, të cilat flasin gjuhë afërsisht të njçjtë janë Serbët dhe Kroatët, Suedezët dhe Norvegjezët, Çekët dhe Sllovakët, Anglezët, Amerikanët e Kanadezët, Spanjollët e Portugezët me një pjesë të konsiderueshme të kombeve të Amerikës Latine. Në anën tjetër, në Indi fliten shtatëmbëdhjetë gjuhë të ndryshme. Ndërkohë që në Spanjë gjuha baske dhe ajo katalanase janë gjuhë të ndryshme nga gjuha kastilinane. Gjë që e vë në pikëpyetje ekzistimin e kombit Spanjoll. Gjuha ka pasur rol të madh edhe në sajimin e identitetit kombëtar të Latvisë, Estonisë dhe Lituanisë, ashtu sikur edhe në Bullgari. Duhet theksuar gjithsesi se ka shtete entitetet etnike të të cilave flasin gjuhë të ndryshme, kan prejardhje të ndryshme, por kan religjion të njëjtë.

Një element tjetër me rëndësi është religjioni. Religjioni ka pasur impakt të madh në formësimin e kombit Kroat, Serb, Bullgar. Kombin kroat në masë të konsiderueshme e ka influencuar Krishtërimi Katolik, ndërkohë që atë Bullgar dhe Serb Krishtërimi Ortodoks. Mirëpo edhe këtu nuk mund të themi se religjioni është element i pa rrëxueshëm i kombit. Kombi Gjerman është Katolik dhe Protestant, Kombi Shqiptar edhe më religjioz. Relativizimi i këtyre nocioneve është një gjë që nuk mund të kapërcehet. Mirëpo, eksplorimi i një tematike të tillë kërkon kohë, studim, komparacion dhe profesionalizëm mbi të gjitha. Prandaj këtu do të ndalem për shkak se është e pamundur që t’i ipet përgjigje këtyre dilemave përmes një opinion të shkurtë.

Në këtë kontekstualitet politik dhe juridik, duhet ta kemi të qartë se formimi i shteteve mbi bazën e kuadrit territorial dhe jo etnik, ka bërë që pjesë të caktuara të kombeve të mbeten jasht trungut kombëtar. Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe Çamëri, Serbët nw Bosnjë e Kroaci, një pjesë e Armenëve në Azerbejxhan, Somalezët në Etiopi, Keni dhe Gjibuti, e plotë raste të tjera gjithandej nëpër botë. Gjithashtu duhet theksuar se si rezultat i vetëvendosjes territoriale entitete të veçanta etnike dhe kombëtare kan mbetur brenda shteteve tjera. Abkhazët dhe Osetianët në Gjeorgji, Armenët (Nagornih Karabakh) në Azerbejxhan, Çeçenët në Rusi, Hungarezët në Serbi dhe Rumani, Sikhwt nw Indi, Tamilwt nw sri Lankw, Kuebekasit nw Kanadw, Katakunasit dhe Baskwt nw Spanjw e shumë e shumë raste të tilla gjithandej. Nuk mund të mos e potencoj edhe faktin se megjithëate ka shtete monoetnike. Në Europë me gjasë është vetëm Islanda, ndërkaq në Afrikë janë Svasilendi, Botsvana, Lesoto dhe Somalia.

Ajo që dua të them për fund përkitazi me ekzistimin potencial të kombit kosovarë ka të bëjë me elementët subjektivë të kombit. Kombi si kategori politike dhe sociologjike nuk mund të formohet, por as të qëndroj, pa ndjenjën e të qenurit si i tillë dhe pa vullnetin politik të tij  që  të ardhmen e vet ta projektoj si të tillë. Ky është një proces gradual. Vetëm koha do ta dëshmoj. Nuk mjaftojnë, vite e dakada, duhen shekuj gjithsesi. Në këtë ecje të gjatë dhe përmes kësaj ecje të gjatë rezultat do të ketë gjithsesi. Ajo çfarë unë druaj, është sindromi austriak. Austriakët janw “bashkuar” dy herë brenda 30 viteve të bashkohen me Gjermaninë, dhe atë në mënyrë institucionale. Në të dy tentimet ka dështuar për shkak të refuzimit të komunitetit dhe të drejtës ndërkombëtar (neni 80 i Marrëveshjes së Versajës dhe neni 4 i Marrëveshjes mbi formimin e shtetit tw Austrisw , e vitit 1955). Pas Luftës së Dytë Botërore në Austri ka nodhur një prerje, një lëvizje e madhe politike e cila synonte prerjen përfundimtare të idesë kolektive për Anschluss-in dhe  krijimin e kombit Austriak. 60 vite më pas, Kosovën, siç po duket e ka kapluar sindromi austriak.

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …