Arton Musliu: Të ndërpritet krijimi i komunave etnike serbe në Anamoravë

 

Ndjenja për të qenë i plotfuqishëm patjetër që korrupton gjykimin e lirë e të ndershëm të arsyes njerëzore. Qytetari gjithsesi duhet të jetë imun nga korruptimi i gjykimit të lirë të arsyes. Në momentin që ai i nënshtrohet agjitacionit të atyre që udhëheqin, atëherë, qenia e tij intelektuale pushon së ekzistuari. Ai vetë flaket. Një fat të tillë si duket do ta kenë edhe disa pak banorë të komunës së Vitisë, të cilët me apo pa vetëdije kanë rënë viktima të një procesi që fund e krye është antishqiptar dhe proserb, procesit të decentralizimit etnik të Planit të Ahtisarit. Por shyqyr që shumica janë të tillë që më përgjegjësinë më të lartë morale e kombëtare refuzojnë të jenë pjesë e një procesi të tillë. Ky proces, është i sanksionuar në Pakon e Ahtisarit. E Pakoja e Ahtisarit është e sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës. Madje është mbi të. Kushtetuta e Kosovës i subordinohet Pakos së Ahtisarit.
Neni 143.1 i Kushtetutës së Kosovës, thotë: “Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të interpretohet në pajtueshmëri me Propozimin Gjithpërfshirës për Zgjidhjën e Statusit Final të Kosovës, datë 26 mars 2007. Në rast kontradite në mes dispozitave të kësaj Kushtetute dhe dispozitave të Marrëveshjes, kjo e fundit do të mbizotrojë”. Thënë shkurt e shqip, akti më i lartë juridik në Kosovë nuk është Kushtetuta e Kosovës, por Plani i Ahtisarit. Po u zbatua ky plan do të kemi 11 komunave më shumicë serbe nëpër gjithë Kosovën, të kontrolluara nga Beogradi. Në mesin e këtyre komunave parashihet edhe formimi i komunës së re të Kllokotit/Vërbocit, e cila me gjasë do të jetë e para komunë në këtë proces.
Kjo komunë do ta përfshijë: Kllokotin, Mogillën, Vërbocin dhe Gërnçarin.
Përveç Kllokotit, në Anamoravë do të formohen edhe tri komuna tjera me shumicë serbe: Ranillugu, Parteshi dhe trefishimi territorial i Artanës, me ç’rast shqiptarët parashihet të mbesin pakicë.
Në këtë mënyrë, në Anamoravë do të sajohen 4 komuna serbe e do të mbesin vetëm tri komuna të gjymtuara shqiptare (Gjilani, Dardana e Vitia). Kjo tregon qartë natyrën e padrejtë politike të këtij procesi të montuar politik. Kështu po sponsorizohet ndarja etnike e Kosovës. Krijimi i këtyre komunave, por edhe komunave tjera nëpër gjithë Kosovën, po sajon entitetin e veçantë territorial serb përbrenda vendit tonë.
Ky proces Kosovën e ndan në vija etnike, i legalizon strukturat paralele dhe i fuqizon kriminelët serbë nëpër pozita udhëheqëse të strukturave paralele nëpër këto komuna. Sajimi i komunës së Kllokotit e ndan Vitinë përgjysmë. Ekonomikisht e dëmton në mënyrë të konsiderueshme, sepse aty gjendet Banja e Kllokotit, e cila njihet gjithandej nëpër Kosovë për mjediset e saj shëruese dhe rekreative. Njikohësisht në nëntokën e Kllokotit nxirret uji mineral me cilësi të larta ushqyese dhe veti pozitive për shëndetin, nga i cili nxirren fitime të konsiderueshme.
Komuna e Kllokotit shqiptarët i lë pakicë në këtë komunë. Ajo, si edhe të gjitha komunat tjera që dalin nga decentralizimi asimetrik i Pakos së Ahtisarit, ka kompetenca jashtëzakonisht të mëdha dhe speciale, kompetenca këto që e shkëpusin atë nga autoriteti politik qendror i Kosovës. Sipas këtij Plani, vetëqeverisja lokale në Kosovë do të bazohet në Parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale (Aneksi III, neni 1). Kjo nuk respektohet fare sepse sipas kësaj Karte, mekanizmi i cili mundëson formimin e komunave të reja është shprehja e vullnetit të asaj popullate lokale/komunale. Pra, populli është i vetmi subjekt juridik i cili ka të drejtë ekskluzive të miratojë apo refuzojë ndryshimet administrative dhe territoriale në komunën ku jeton. Kjo shkelje është absolutisht e padrejtë dhe krejt e papranueshme aq më shumë që bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht na thërret t’i respektojmë aktet juridike të së drejtës ndërkombëtare, ndërkohë që vetë i shkel ato.
Banorët e Mogillës nuk po pyeten nëse dëshirojnë të shkojnë me komunën serbe të Kllokotit. Pra, që në fillim shkelet dokumenti më i rëndësishëm evropian për vetëqeverisjen lokale. Neni 3 i Pakos së Ahtisarit i saktëson kompetencat komunale të komunave serbe. Këto kompetenca kanë të bëjnë me zhvillimin lokal ekonomik, planifikimin urban e rural, aspektet e ndërtimit, shërbimet publike, ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve të arsimit, shëndetësinë publike, emërimin e rrugëve, lagjeve dhe vendeve tjera publike etj.
(kjo do të thotë që strukturat paralele një rrugë mund ta emërojnë me emrin e Milosheviqit a Sheshelit dhe qeveria e Hashim Thaçit nuk do të mund ta pengojnë një gjë të tillë).
Një çështje mjaft e ndjeshme që do të jetë kompetencë ekskluzive e këtyre komunave, e edhe komunës së Kllokotit, është arsimi. Sipas Aneksit III, neni 7.1.1 të Pakos së Ahtisarit: “Shkollat të cilat vijojnë mësim në gjuhën serbe mund të zbatojnë planprograme apo tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit të Republikës së Serbisë, pas njoftimit të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës. Kjo do të thotë që ata do të mësojnë se si Milosheviqi na paska qenë ‘hero’, e si Adem Jashari e Nijazi Azemi-Mjekrra paskan qenë ‘terroristë’. E vetmja gjë që duhet ta bëjnë serbët është që duhet ta njoftojnë qeverinë e Kosovës se fëmijët serbë edukohen në frymën antishqiptare.
Pra po mbjellet fara e re e një konflikti shqiptaro serb në një të ardhme jo të largët. Sa i përket bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Serbisë, në bazë të nenit 10.1 të Planit të Ahtisarit: “Komunat do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë, brenda kompetencave të tyre, me komunat dhe institucionet përfshirë agjencitë qeveritare të Republikës së Serbisë. Bashkëpunimi i tillë do ta merr formën e ofrimit të asistencës financiare dhe teknike nga ana e institucioneve të Serbisë në implementimin e kompetencave komunale”. Sikurse administrata që do të jetë serbe, ashtu edhe policia do të jetë e tillë.
Sipas Aneksit VIII, neni 2.3 të Planit të Ahtisarit: “Përbërja etnike e policisë brenda komunave që dalin nga decentralizimi deri në masën e mundshme do të reflektojë përbërjën etnike të popullsisë në komunë”. Pra komuna e Kllokotit do të përbëhet nga 75-80% serbë dhe nga 20% shqiptarë. Rrjedhimisht 80% e policisë do të jenë serbë e 20% shqiptarë. Komandanti i policisë gjithsesi do të jetë serb. Edhe kryetari i Gjykatës Komunale do të jetë nga i njëjti nacionalitet.
Pra krijimi i, komunës së Kllokotit i legalizon strukturat paralel serbe, e ndanë Vitinë përgjysmë dhe, rrjedhimisht, e fut Serbinë brenda Kosovës. Në këtë mënyrë Kosova në përgjithësi dhe Anamorava në veçanti do të copëtohen territorialisht. Pasi komuna e Kllokotit, si edhe të gjitha komunat tjera serbe, përveç që do të jenë njësi administrative do të jenë edhe njësi territoriale. Pra do të kenë kufijtë e tyre. Në bordin për formimin e komunës së Kllokotit kanë aplikuar dhe janë intervistuar tre sahanlëpirës të pushtetit, banorë të komunës së Vitisë. Dy qytetarë tjerë janë tërhequr, duke mbetur kryelartë. Ata të cilët kan aplikuar për t’i bërë keq atdheut tonë, nuk janë të mirëpritur. Ata po e shesin atdheun e tyre për para. Decentralizimi sajon entitetin e veçantë territorial serb në Kosovë dhe në këtë mënyrë e ndanë Kosovën në baza etnike. Ky proces është jashtëzakonisht i dëmshëm për funksionimin normal dhe të papenguar të institucioneve qendrore të vendit. Andaj duhet parandaluar gjithsesi. Aktualisht procesi është në nivelin rudimentar. Por nuk do të thotë se nuk do të shkoj më tej. Pasi e keqja vetvetiu nuk ndalet. E keqja po na kanoset nga Ministri i Pushtetit Lokal dhe nga disa bashkëpunëtorë të tij. Ata duhet të ndalen. Nëse nuk ndalen, atëherë qytetarët e komunës së Vitisë do të ballafaqohen me ta.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza është shprehet optimist se do ta fitojë garën për kryetar të Mitrovicës pa balotazh

Bedri Hamza shfaq dyshime lidhur me komunikimin e njërit prej organizatorëve të sulmit në veri të Kosovës me Mimoza Kusarin

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka ngritur një zë kritik në lidhje me dialogun me …