Bashkëluftëtari i Heroit Agim Ramadani, ish-kryetari i Kastriotit dhe kryetari i Degës së LDK-së në këtë komunë, Xhafer Gashi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas qëndrimit të kësaj partie ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Gashi e ka bërë të ditur vendimin përmes një deklarate të titulluar “Atdheu përpara vetes”, duke thënë se mosvotimi i projektligjit nga LDK-ja ka shkaktuar indinjatë te anëtarësia e degës në Kastriot dhe te grupi i asamblistëve. Ai ka njoftuar se largohet nga tri pozita: anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, anëtar i Kryesisë së partisë dhe kryetar i Degës së LDK-së në Kastriot. “Sot duhet ta vendosim atdheun përpara vetes dhe interesave të ngushta partiake”, ka shkruar Gashi, duke shtuar se nuk mund t’i mbajë pozitat partiake kur qëndrimi i LDK-së për këtë çështje bie ndesh me ndërgjegjen e tij dhe përgjegjësinë që ndien ndaj njerëzve që përfaqëson. Duke folur për çështjen e Speciales, ai ka thënë se mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe kërkesa për drejtësi, sipas tij, tejkalojnë kufijtë partiakë. Në të njëjtën kohë, Gashi ka theksuar se përgjegjësia duhet të përcaktohet individualisht, mbi bazën e provave dhe përmes një procesi të paanshëm.
Vendimin për dorëheqje ai e ka paraqitur si përgjegjësi personale, duke theksuar se nuk pret që të gjithë bashkëpunëtorët apo anëtarët e degës ta ndjekin të njëjtin hap. “Pozitat mund t’i lëmë. Përgjegjësinë ndaj atdheut e mbajmë gjithë jetën”, ka përfunduar Gashi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
