Avni Hyseni Saraçi (24.9.1969 - 21.8.1998)

Avni Hysni Saraçi (24.9.1969 – 21.8.1998)

Avni Hysni Saraçi lindi më 24.9.1969 në fshatin Burim (ish- Bivolak) të Vushtrrisë. Nënë Elhemja dhe abë Hysniu e kishin fëmijën më të dashur. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në ushtrri-drejtimi agjustator. Ka qenë murator i njohur.

Avniu rrjedh nga një familje atdhetare. Gjyshi i tij, Hasan Saraçi, ishte ushtar besnik i tribunit popullor Shaban Polluzha. Për shkak se fshati Burim ndodhet fqinj me fshatin Prelluzhë,që njihet si çerdhe e çetnikëve në këtë anë, Avniu që nga fëmijëria e deri në vdekje ishte konfrontuar me ta qindra herë, por gjithmonë kishte dalë faqebardhë.

Si pasojë e këtyre konfrontimeve, ai do të ndiqet e burgoset dhjetëra herë (afër 20 herë, në mos edhe më tepër, për çka ekziston dokumentacioni) . Avniu ka qenë në kontakt me nipin e tij, Ragip Halilaj nga Drenasi (tani dëshmor) me të cilin gjatë viteve 1985- 1986 kishin shpërndarë parulla dhe material tjetër propagandistik antijugosllav. Këtë aktivitet antijugosllav këta të dy e kishin vazhduar edhe më vonë, duke marrë pjesë në manifestime, demonstrata e protesta, që organizoheshin atëbotë kundër pushtuesit, deri në rënien e tyre heroike.

Avniu ishte një djalë me shpirt luftarak dhe i pabindur ndaj pushtuesit, andaj këto tipare të tij shumë herët iu kishin rënë në sy banorëve serbë të Prelluzhës dhe organeve policore të Vushtrisë. Siç dihet, banorët e këtyre fshatrave të kësaj ane ekzistencën e tyre e siguronin duke nxjerrë e duke shitur qymyr në tregje të ndryshme. Këtë punë e bënte edhe Avniu me traktorin e tij. Për dallim nga të tjerët, të cilët për të marrë qymyr i qërosnin policët serbë me dreka e darka, Avniu asnjëherë s’kishte pranuar të bënte një punë të tillë, andaj edhe kacafytjet e fjalosjet e tij me policët serbë ishin pothuajse të përditshme. Kështu, për shembull, në fundvitin 1997 policët serbë e ndalin Avniun në fshatin Prelluzhë dhe nga ai kërkojnë që të zbrazte qymyrin dhe t’i qëroste ata. Kur ai e kundërshton një gjë të tillë, njëri nga policët ia shanë nënën shqiptare. Avniu, flakë për flakë, ia kthen edhe ai, duke ia shaj tur nënën çetnike. Polici serb, duke qenë i befasuar nga kjo që po i ndodhte për herë të parë nga një shqiptar, e grushton Avniun, por në atë moment Avniu, si një zemërlua që ishte, e godet policin me një grusht të fuqishëm, duke e lënë të plandosur për tokë dhe me një zhdërvjelltësi iu shmanget edhe policëve të tjerë, merr vrapin arave drejt fshatit të vet, duke ua lënë traktorin si peng dhe si kujtim të atij grushti të fortë. Pas disa ditësh,traktorin e merr nga policia babai i Avniut, Hysniu, ndërsa prej asaj dite Avniu vendos të lëvizë i armatosur dhe më nuk ka pasur kontakt me policët serbë, deri kur u inkuadrua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Shpeshherë Avniut ka vuajtur dënimin nëpër qelitë e burgjeve serbe, konkretisht në Burgun famëkeq të Mitrovicës. Sapo e kryente një dënim, i vinte tjetri e kështu me radhë.

Shpirti i tij revolucionar nuk duronte për asnjë moment poshtërimin e qenies shqiptare. Këtë ai e kishte dëshmuar edhe gjatë kohës kur kishte qenë në shërbimin ushtarak në armatën jugosllave.

Duke parë padrejtësitë dhe poshtërimet që iu bëheshin atëbotë shqiptarëve nga eprorët serbë, Avniu shumë herë ishte kacafytur me ta dhe i kishte përplasur për toke. Për shkak të rrahjes së një oficeri serb, ka mbajtur dy muaj burg, një javë në Split, në Burgun Ushtarak, ndërsa pjesën tjetër në burgun e Smrekovnicës.

Kontaktet e para me UÇK-në i ka pasur para fillimit të luftës në Drenicë, përmes Ragip Halilajt, ish-epror i UÇK-së,dhe vëllezërve të tij. Në maj të vitit 1998, me rastin e shtrirjes së UÇK-së edhe në rajonin e Artakollit, rajon ky i cili përherë ka ndarë fatin me Drenicën martire, Avniu iu bashkohet radhëve të saj, si një ushtar i devotshëm, i cili do të marrë pjesë në shumë aksione guerile kundër forcave të pushtuesit.

Në fillim Avniu vendoset në pikën e fshatit Gurakuq (ish- Gllavotin) deri në fshatin Hamidi. Kjo pikë, ku ka vepruar Avniu me shokë, ka qenë mjaft e rrezikishme, sepse ishte përballë dy fshatrave pothuajse më të mëdha në Kosovë, të banuara vetëm me serbë dhe ku ka pasur të përqendruara forca të shumta të armikut.

Në korrik të vitit 1998, Avniu, bashkë me Sabit Halilajn dhe me Fehmi Saraçin, me traktorin e këtij të fundit, kishin furnizuar me një sasi armatimi Zonën Operative të Llapit, konkretisht fshatin Rimanishtë të Gollakut.

Avniu nuk ka marrë pjesë në stërvitje ushtarake, sepse artin ushtarak e kishte perfeksionuar në armatën jugosllave.

Avniu ka qenë pjesëtar i Skuadrës II, Toga IV, Kompania I, Batalioni I, Brigada 142 e ZOSH-it.

Bashkëluftëtarë më të ngushtë të Avniut kanë qenë të gjithë kushërinj dhe vëllezër, që kanë vepruar në Skuadrën II, komandant i së cilës ishte kushëriri Avdush Sejdi Saraçi, pastaj vëllai Ilmi Hysni Saraçi, axha Daut Hasan Saraçi, Shpëtim Halil Saraçi, Petrit Ismet Saraçi, Ramiz Fadil Saraçi, Fehmi Hysen Saraçi, Sabit Latif Saraçi, Izet Sejdi Saraçi, Agron Qamil Saraçi e të tjerë. Një bashkëluftëtar nga Fushë-Kosova, duke përkujtuar këtë dëshmor të devotshëm, ndër të tjera, rrëfen:

“Ende i kam të ngulitura në kokë fjalët e Avniut në momentin kur arritën armët nga Shqipëria, të cilat i kishin sjellë vëlla i tij Ilmiu me shokë. I mori në dorë, i puthi të gjitha dhe tha: ” E tash nuk më dhimbset jeta edhe nëse vdes, sepse për të gjallë timin këmba e shkaut s’do të shkelë më në fshatin dhe në oborrin tim”. Ndërsa nënkolonel Sabit Halilaj, duke rikujtuar kontaktet e tij me Avniun, ndër të tjera, ruan në kujtesë fjalët që ia pati thënë në një moment Avniu në Breznicë: “Nuk ka forcë që do të na ndalojë në rrugën tonë,            sepse kjo është rruga më me gëzim që po e bëj “.

Avniu ka marrë pjesë në shumë luftime që janë zhvilluar në këtë anë kundër forcave çetnike, por vlen për t’u veçuar beteja e lavdishme dhe mjaft e suksesshme në fshatin Hamidi, më 11 qershor 1998, në të cilën vranë 4 policë serbë dhe plagosin 6, në momentin kur qenë sulmuar nga forcat e UÇK-së dy pizguaerë të armikut. Këto humbje i patën pranuar edhe vetë serbët në mjetet e tyre të informimit. Kjo betejë është komanduar nga Jashar Zenë Jashari i njohur me nofkën “Duraku”.

Më 21 gusht 1998, pas një kacafytjeje me policin që e ngiste veturën, Avniu ia ngreh frerin e dorës, ia heq siguresën njërës bombë dhe ia gjuan atij, por ajo nuk aktivizohet. Përderisa tenton ta nxjerrë tjetrën, ai qëllohet për vdekje nga polici serb. Dëshmori Avni Hysni Saraçi bie për të mos vdekur kurrë.

Atë ditë ai bie te vendi i quajtur Ura e Gurit, në oborrin e mullirit të Faik Krasniqit, në Vushtrri, ku kishte shkuar për të bluar grurë,për nevojat e UÇK-së e të popullatës.Ai bie në një përleshje me policin serb, të cilin e kishte grushtuar në dhjetor të vitit 1997. Atë ditë bashkë me të ishin Fehmiu, djali i axhës, vëllai i tij 14-vjeçar Shefkiu dhe nipi Ramizi.

Është varrosur të nesërmen, më 22 gusht 1998, në varrezat e fshatit, me nderime ushtarake. Pas mbarimit të luftës, Avniu është rivarrosur, së bashku me të gjithë dëshmorët e komunës së Vushtrrisë, më 1 shtator 1999, në fshatin Bletajë (ish-Stanofc).

Avniu ka qenë i martuar dhe ka lënë pas një djalë, që e pati pagëzuar Kastriot, por të cilin ia fali, me pëlqimin e dyanshëm, axhës së vet Daut Saraçi, i cili nuk ka pasur fëmijë.

Vetëm dy muaj pas rënies së tij, i ka lindur një vajzë e bukur që e kanë pagëzuar me emrin Kaltërinë, për të cilën kujdesen prindërit, vëllezërit dhe motrat e dëshmorit.

Avniu ka qenë një burrë shtatmesëm, me një trup atleti, por për nga tiparet shpirtërore ka qenë një vullkan aktiv,që gjithmonë nga brendia nxjerr zjarr me të cilin i tmerronte armiqtë. Ai ka pasur si pasion sportet fisnike (luftarake),si dhe dëgjimin e këngëve të vjetra patriotike, në veçanti e parapëlqente shumë këngën e trimit të madh Avni Rrustemi, të cilën e këndonte Shqipe Kastrati. Ai shpesh i përsëriste vargjet e kësaj kënge: “Avni trimi nga Shqipnija, n ‘mes Parisit i knoj alltia”,duke e personifikuar veten me Avni Rrustemin, emrin e të cilit, për koincidencë, e mbante edhe ai vetë.

Pas rënies, Qeveria e Përkohshme e Kosovës  – Ministria e Mbrojtjes – familjes së dëshmorit Avni Saraçi i ka lëshuar një Fletënderim për birin e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 - 28.4.1999)

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 – 28.4.1999)

Në një familje malësore bujare në Bederianë (ish-Bërvenik) të Orllanit, që nuk u gjunjëzua kurrë …