leoni

Avni Rexhep Hodaj (20.1.1976 - 28.5.1999)

Avni Rexhep Hodaj (20.1.1976 – 28.5.1999)

Me formimin e njësitit “Çeliku 50” të cilin e përbënin rreth 250 luftëtarë të fshatit Vneshtë (ish-Samadraxhë) të Therandës, rrëzë “Kodrës së Grepit”, buzë aksit rrugor Rahovec – Therandë, fillon edhe kyçja e djemve të rinj rreth veprimtarëve të shquar gjatë veprimtarisë ilegale të fshatit. Në këtë formacion të cilit i prinin: Rexhep Morina, Bajram Bekteshi, Feim Morina, Bekim Bekteshi, Xhavit Bajraktari, Mirsad Musaj, Latif Shukaj, Hysen Hoti, Ramadan Hoti, Ismet Bylikbashi, Lumni Bugari, dhe shumë luftëtarët e tjerë, sot dëshmorë të kombit, invalidë e veteranë të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, radhitet edhe Avni Hoda.

Menjëherë në qershor të vitit 1998, pas ngritjes së vijave të para të frontit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Ilirian (ish-Debërdelsn) fillojnë stërvitjet e djemve të rinj të cilët aftësoheshin për veprim me shumë lloje të armatimit të këmbësorisë që atëherë i kishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Njëri ndër instruktorë t në këto stërvitje ishte dhe Feim Morina, njohës i mirë i armatimit, sot dëshmor i kombit.

Gjatë javës së parë të korrikut të vitit 1998, pas bashkimit të dy shtabeve lokale; “Çeliku 50” e “Lisi” që vepronin në arealin luftarak të Therandës, vija e frontit të luftëtarëve të lirisë shtrihej pothuajse në të gjitha fshatrat e Therandës, të Rahavecit dhe në një pjesë të madhe të fshatrave të Prizrenit, veçanërisht në arealin luftarak të Vërrinit. Në këto pika e fronte kyçet edhe luftëtari i lirisë Avni Hodaj që përjetësohet me rastin e shpërthimit nga rrethimi i hekurt të bërë në fshatrat e Anadrinit prej 25 deri më 28 maj të vitit 1999, gjatë atyre ditëve kur forcat serboçetnike u gjendën nën trusni në e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga njëra anë dhe bombardimeve të Aleancës Veriatlantike, në anën tjetër. Situta ta e këtillë në terren kërkonte përshpejtimin e lëvizjeve ofensive dhe defansive nëpër fshatrat e Anadrinit, prej Pirane, në Veri e deri në “Qafën e Pagarushës”.

Dëshmori i kombit Avni Hodaj, i Rexhepit dhe i Zejnisë, bijë e Bytyçëve të Peçanit, motër e dëshmorit Enver Bytyçi, i vëllai i Teutës, Arbenit, Refkiut, Bujarit, Shqipes e i Leutrimit, u lind më 20 janar të vitit 1976 në fshatin Vneshtë (ish-Samadraxhë) të Therandës. Fëmijërinë e kaloi duke dëgjuar rrëfime për të parët trima të vendosur të Hodajve të Anadrinit, për ndjekjet dhe persekutimet, për vrasjet që bënte “komita” e Hoçës së Madhe në fshatrat e Rahavecit e të Therandës.

Shkollën fillore Avniu e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në Therandë. Pas përfundimit të gjimnazit kishte dëshirë të madhe që të studiojë në ndonjërin prej fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, mirëpo kushtet ekonomike në të cilat katandis ej gjiri familjar i Rexhep Hodajt, një bujku e kurbetçari të vyeshëm, nuk premtonin që Avniu, e as vëllezërit e motrat e tij, të shkojë në studime. Qysh si nxënës i shkollës fillore e të mesme iu bashkua shokëve që shtegtonin në Therandë e Rahavec për të marrë pjesë në protesta e demonstrata kundër pushtuesit serb. Si fëmijë pati rastin ta shohë se si derdhet gjaku e si qëndrojnë burrat. Kjo i ndodhi më 27 janar të vitit 1990 kur në “Lakun e Dëshmorëve” të Brestosit ranë dëshmorët e parë të Anadrinit: Nasimi Elshani, Halim Hoti, Agron Fetahu e Hilmi Krasniqi kur edhe për herë të parë pau viganin e shtetësisë shqiptare profesor Ukshin Hotin. Prej protestave nuk u nda Avni Hodaj asnjëherë, por me vendosmëri të madhe u bashkohej shokëve më të vjetër dhe përpiqej që në çdo mënyrë ta ndjekë shembullin e veprimtarëve më të vjetër të vendlindjes: Bajram Bekteshi, Rexhep Morina, Feim Balaj, Xhavit Bajraktari, Ali Hoti, e të veprimtarëve të tjerë të Çështjes Kombëtare. Prandaj me të dëgjuar për krismat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prekaz e në Gllogjan, organizohet me grupet e para të Anadrinit, thyen Pashtrikun dhe kalon në Shqipëri për t’u armatosur dhe menjëherë pas kthimit i bashkohet grupit të parë së bashku me vëllezërit, Arbenin dhe Refkiun, e kushërinjtë: Shefkiun, Samedinin, Muhametin, Halim Morinën, Rexhep Mangjukën, Xhavit Berishën e Rifat Jollxhiun dhe kështu, të gjithë si një angazhohen në të gjitha operacionet e Kompanisë II të Batalionit I në Brigadën 123 të Therandës, Zona Operative e Pashtrikut. Tashmë, Avniu, i armatosur, i stërvitur dhe i gatshëm për çdo ndërmarrje e operacion, sipas urdhrit të Shtabit Lokal të fshatit, vendoset në Pikën 1 që gjendej mbi fshatin Apterrush e që konsiderohej pika më e zjarrtë për shkak se nuk ishte larg Hoçës së Madhe, Zaçishtit dhe Apterrushit, çerdhe këto të paramilitarëve e të serbëve lokalë të armatosur deri në dhëmbë. Mirëpo Avni Hodaj është i patrembur, shpesh kalon me detyrë edhe në Pikën 2, te “Kryqi i Apterrushit” e në Pikën 3 që gjendej në “Karavace” ndërmjet Retisë dhe Vneshtës te komandant Xhavit Berisha. Këtu Avniu duke bashkëvepruar me Bekim Bekteshin, sot dëshmor i kombit e me luftëtarët: Fahri Bugari, Selim Kushaj, Samir Kabashi e shumë të tjerë, tregon gatishmëri të pashoqe për ndërmarrjen e çdo hapi. Kështu ofensivën e 19 gushtit të vitit 1998 Avni Hodaj e përfundoi me të mbetur pa Bekim Bekteshin, e me epror Bajram Bekteshin e plagosur rëndë, mirëpo nuk ra asnjë pikë edhe pse granatohej prej Hoçës së Madhe, prej Novakës e prej Landavicës. Pas riorganizimit të formacioneve të Zonës Operative të Pashtrikut në fshatin Reti, Avni Hodaj mbetet edhe pa dy bashkëluftëtarë; Xhelal Hajdën – Tonin e Selajdin Mullabazin-Micin, ndërsa gjatë Betejës në “Qafën e Pagarushës”, ndërmjet Ilirionit dhe Pagarushës, Avniut i përjetësohen edhe bashkëluftëtarët: Shefki Thaçi, Enver Duraku, Milazim Kiçina, Shukri Hoti ndërsa plagoset rëndë edhe uftëtari Hamëz Kryeziu.

Por në fundmajin e vitit 1999, pas rënies së Bekim Sylkës, Selim Berishës, Sadedin Hajdës, Mexhit Mustafës, Alajdin e Xhevat Elshanit, Milaim Morinës, Xhevdet Krasniqit, Valon Myrtajt, Bujar Thaçit, Jeton Kabashit, Nazmi Hasanit e Agron Bytyçit, e pas plagosjes së rëndë të luftëtarit Manush Berisha, në frontet prej “Rrihjeve” të Rahavecit” deri në fshatin Qëndresë, Kompania e Vneshtës të Therandës gjendet e rrethuar në një areale që shtrihej prej Retie kah Nepërbishti, Shiroka, Theranda e Gurra (ish-Studençani). Forcat e mëdha serboçetnike ndërmarrin operacione për krehje me këmbësori prej “Rrihjeve” të Rahavecit, në drejtim të “Harnoceve”, “Pisjakut”, “Rrapishteve”, “Izbishtit e në drejtim të aksit që lidh Rahavecin me Therandën. Pikat e zjarrta serboçetnikët i mbulojnë me mina, me prita e pusi, ndërsa luftëtari i lirisë Avni Hodaj përpiqej për të shpërthyer nëpër “Lugun e Velishtës” në të majtë të rrugës Rahavec-Therandë e së andejmi, duke shfry-tëzuar lugshtajën t’i qaset “Grapit”, por një breshëri e madhe e njërës prej pritave të përmendura, breshëron në drejtim të Avniut dhe në vendin ku aksi rrugor pret “Lugun e Velishtës”, në krye të kolonës përjetësohet dëshmori i kombit Avni Hodaj.

Bashkëluftëtarët Xhavit Berisha, Halim Morina e Rifat Jollxhiu, arrijnë për ta tërhequr trupin e pajetë të Avniut dhe më 29 maj organizohet përcjellja e fundit e bashkëluftëtarit të përjetësuar me plumba në gjoks ndërsa i printe kolonës për shpërthimin e rrethimit te “Lugu i Velishtës”.

Pas përfundimit të aktiviteteve luftarake, trupi i pajetë i Avniut bartet prej varrezave të fshatit dhe u bashkohet dëshmorëve në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Therandës, ndërsa sot, falë kujdesit të prindërve të Avniut, bri aksit rrugor Rahavec-Therandë, mu bri të “Lugut të Velishtës” e bri cepit të rajonales Rahavec- Therandë shkëlqen lapidari, rrezet e të cilit ndriçojnë rrugën nga shtegtuan bashkëluftëtarët e Avni Rexhep Hodajt, ndërsa në familjen Hodaj, nëna Zejni, ruan letërnjoftimin dhe një notes të shpuar nga plumbi vdekjeprurës. Këtë notes Avniu e kishte në xhep, por e tërë ajo që e bën krenare është se në këtë gji familjar po rritet Avniu i dytë, nipi i dëshmorit Avni Rexhep Hodaj. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …