leoni

B. Shala: Gjenocidi si ekzekutim, mosveprim apo mospengim në Bosnje dhe në Kosovë

Spiralja e krimit dhe logjika e mosveprimit

 

Po mbushen 20 vjet kur forcat serbe (jugosllave) ekzekutuan brenda 8-10 ditëve afërsisht 8500 qytetarë të Bosnjës me të cilët kishin bashkëjetuar deri sa filloi lufta në këtë republikë hibride në ish Jugosllavi. Kjo luftë nuk kishte karakter etnik sepse palët ndërluftuese ishin të një rrënje por më tepër, mos ta them ekskluzivisht kishte karakter fetar. Boshnjakët e besimit islam u ekzekutuan si turq apo balije që ishte emërtim fyes për myslimanët në përgjithësi e për ata në Bosnje në veçanti. Ata që kishin fatin apo fatkeqësinë të jetojnë në ato hapësira dhe në ato kohëra, nuk u befasuan kur plasi lufta në Bosnje sepse urrejtja kishte lëshuar rrënjë në të gjitha shtresat e shoqërisë në Bosnje dhe Hercegovinë të AVNOJ-it dhe ato ishin të dukshme dhe të prekshme duke filluar nga tifozeria në stadiumet e Sarajevos dhe Gërrbavicës! Tifozeria ishte dallëndyshja apo paralajmëruesi i parë se ish Jugosllavia po vdiste pas një procesi të kalbjes thuaja 40 vjeçare. Aty tifozët kroatë brohorisnin dhe këndonin himnin e tyre kombëtar; Marjane, Marjane dhe Lijepa Nasha duke i quajtur tifozët serbë me emrin që ata identifikoheshin; çetnikë ndërsa tifozeria serbe u drejtoheshin kroatëve me ustashe, ustashe dhe këndonin himnin e tyre shpirtëror, kombëtar dhe shtetëror me të cilin Millosheviqi e nisi vallen e krimeve në Kroaci dhe Bosnje për ta përfunduar në Kosovë. E nisi si krim kundër çdo gjëje që e pengonte për ta realizuar synimin për Serbinë e Madhe dhe për ta përfunduar si gjenocid.

 

 

 

Himni i shovinistëve serb që i mobilizoi për të bërë krime më monstruoze, nga Arkani, Frenki Simatoviq e deri te Kapetan Dragani ishte: “Ko to kazhe, ko to llazhe, Srbija je malla – kush e thotë e kush po rrenë se Serbija është e vogël. “Tifozeria boshnjake (myslimane) ishte pasive në këtë garë politike përmes shpërthimeve shoviniste shkaku se myslimanët boshnjakë kishin rënë në lajthitje duke besuar në kombin e ri jugosllav ku deklarimi i tyre për këtë komb bastard ishte afërsisht 80 %. Vetëm 20% të boshnjakëve myslimanë ishin të vetdijshëm se po e humbasin identitetin e tyre duke u shkrirë në një komb të rremë , kombi jugosllav, një prodhim i serbëve për ta ruajtur Jugosllavinë që u siguronte atyre sundimin mbi të tjerët që kishin identitet të brishtë dhe përkrahje të pamjaftueshme për t’u bërë faktor. Edhe te shqiptarët ishte një tendencë të deklarohen jugosllav për t’i ruajtur privilegjet e fituara, që punonin kundër intereseve të popullit gjuhën e të cilëve e flisnin dhe ndaj të cilëve kishin bërë krime të shumta. Një pjesë e këtyre jugosllavëve të dikurshëm shqiptarë sot janë partizanë të formimit të një kombi bastard të quajtur – komb kosovar! Atëherë vetëm myslimanët e Bosnjës kishin mbetur të pambrojtur sepse nuk kishin përkrahje nga asnjë shtet tjetër, sepse nuk kishin atdhe. Edhe shqiptarët nuk kishin mbrojtje por kishin shpresë se do të mbroheshin nga Shqipëria të cilën e konsideronin si atdhe ndërsa Jugosllavinë dhe Serbinë si okupatore. Kuptohet se kështu nuk mendonin jugoshqiptarët që me mish dhe me shpirt ishin në shërbim të Jugosllavisë dhe Serbisë.

 

Myslimanët e Bosnjës, ndonëse pa përkrahje e formuan një ushtri të fuqishme dhe vetmohuese që ishte në shërbim dhe për liri të Bosnjes pa bërë dallime në baza etnike dhe fetare (kishte ushtarë serb, kroatë dhe shqiptarë si dhe kuadro komanduese) por nuk u përkrahën nga ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët kishin frikë se mund të përhapej islami në Evropë sepse këtë luftë e konsideronin si luftë fetare e jo si luftë çlirimtare që në fakt edhe ishte e tillë! Serbët në Bosnjë ndërtuan kampe të përqëndrimit ku mbanin boshnjakë myslimanë dhe kroatë të burgosur dhe femra myslimane dhe kroate me muaj të tërë duke i shndërruar në skllave për seks në ndërkohë që ndërkombëtarët kishin informacione të mjaftueshme pët këto krime por nuk vepronin në parandalimin e tyre e as që merreshin me pasojat të cilat ishin shumë të rënda. Boshnjakët luftonin kundër serbëve, kundër kroatëve dhe kundër kolaboracionistëve boshnjakë që udhëhiqeshin nga Fikret Abdiq. Edhe armatimin që e mirrnin nga jashtë detyroheshin ta ndanin me kroatë pasi armatimi kalonte nëpër territoret që kontrolloheshin nga kroatët. Boshnjakët, për dallim nga ne e kishin një president (Alija Izetbegoviq) të guximshëm që e mori përgjegjësinë ta udhëheq luftën dhe, edhe si komandant i forcave të armatosuar të ushtrisë boshnjake në çastet kur u zë rob nga serbët të cilët kërkonin t’u bëjë thirrje boshnjakëve të dorëzohen, ai u bëri thirrje boshnjakëve ta vazhdojnë luftën edhe nëse ai vritet nga serbët që edhe më shumë e ngriti moralin e kësaj ushtrie !

 

Gjenocidi në Srebrenicë dhe gjenocidi në Ist River

 

Ekzekutimin e mbi 8500 myslimanëve boshnjakë e bënë generalët e Jugosllavisë dhe të Serbisë në uniformën e ushtrisë së rregullt dhe e planifikuan politikanët e Jugosllavisë dhe të Serbisë, shërbimet e tyre informative dhe kundërinformative, me armët e prodhuara në Kragujevc, me aeroplanë dhe helikopterë të ushtrisë jugosllave dhe serbe, me logjistikë ushqimore dhe shëndetësore jugosllave dhe serbe prandaj adresa e krimit ishte dhe mbetet shumë e qartë dhe e saktë: Beogradi! Krimin në Srebrenicë e ndihmuan sepse nuk e penguan ndonëse të ekzekutuarit ishin nën mbrojtje të tyre ushtarët holandezë të UNPROFOR-it të Kombeve të Bashkuara të cilët, për të shpëtuar jetët e tyre ua dorëzuan serbëve boshnjakët që ishin nën mbrojtje të tyre që pastaj, brenda 8-10 ditëve u ekzekutuan. Përgjegjësi për këto krime kishte edhe Jasushi Akashi si i deleguari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ve që mbylli sytë dhe veshët para kësaj katastrofe humanitare. Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk ndërmorri asgjë për ta penguar gjenocidin në Srebrenicë sepse, këto 8500 viktima boshnjake të masakruara nga forcat serbe, në prani dhe me bekimin e forcave ndërkombëtare ishin si dokument politik për të ashtuquajturën Marrëveshje e Paqes në Dejton e cila kishte për qëllim vetëm ndërprerjen e luftës në Bosnje, duke e krijuar për pasojë një shtet karikaturë krejtësisht jofunksional prej tri entiteteve politike dhe etnike, si rezultat i gjenocidit në Srebrenicë dhe spastrimit etnik. Për herë të pare një Marrëveshje për Paqe e legjitimoi dhe legalizoi një monstrum shtetëror i mbindërtuar mbi jetët e qindra mija viktimave të pafajshme dhe spatrimit etnik. Realisht, Serbia u amnistua nga gjenocidi në Bosnjë dhe askush nga ndërkombëtarët që ishin bashkpërgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës, nuk u akuzua apo dënua për këtë. E vetmja pasojë ishte rënia e qeverisë holandeze që edhe nuk mund të konsiderohet si satisfakcion apo përmbushje e drejtësisë për viktimat e pafajshme. A është dashur që të kalojnë 20 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë e që nga Kongresi amerikan dhe Parlamenti Evropian të konsiderohet gjenocid? Dhe të refuzohet një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë në Këshillin e Sigurimit të KB me veton e Rusisë. Numri i viktimave nuk ka ndryshuar që nga viti 1995 por duket se për shkaqe politike është refuzuar më parë kualifikimi i drejtë i masakrës së Srebrenicës si gjenocid sikur që edhe sot, për shkak të rikonfigurimit të gjeografisë politike kjo masakër po cilësohet (me emrin e vërtetë) si gjenocid! Mirëpo vetëm pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e ka liruar Serbinë nga përgjegjësia për gjenocid në Srebrenicë ndonëse këtë masakër e ka cilësuar si gjenocid. Apo, se tash duan të lirohen nga i biri politik i Karaxhiqit dhe Millosheviqit në Bosnje, krytarin e Republika Srpska (krijesë e spastrimit etnik) Millorad Dodik të cilin deri dje e konsideronin si partner për ndërtimin e paqes. Sikur që para, gjatë dhe pas përfundimit të Dejtonit, Sllobodan Millosheviqin e konsideronin dhe e promovuan në ndërtues të paqes pa të cilin nuk bëhej asgjë!

 

Në Bosnje e sidomos në Srebrenicë ndodhi gjenocid i vërtetë ku qindra mija qytetarë u vranë si “balije – turq“ në baza racore, ndërsa kriminelët që e urdhëruan, planifikuan por edhe ata që nuk e pengua këtë krim mbetën të padënuar apo u dënuan me një dënim simbolik sikur të bënin kundërvajtje. Serbia si ideator, planifikues por edhe zbatues i gjenocidit në Bosnje dhe Kosovë nuk u dënua dhe duket as që do të dënohen. Nuk u dënuan as ata që kishin përgjegjësi t’i mbrojnë të ekzekutuarit, ushtarët holandezë të UPROFOR-it, veria holandeze, as Jasushi Akashi e nuk u caktua as përgjegjësia simbolike për vendimmarrësit në Kombe të Bashkuara që e lejuan këtë gjenocid. Pse u dashtë të kalojnë 20 vjet që masakra në Srebrenicë të cilësohet si gjenocid?!

 

Dhe, a duhet të kalojnë edhe 100 vjet të tjera që krimet që i bëri Serbia në Kosovë të cilësohet si gjenocid, që në fakt edhe ka qenë. Edhe në rastin e Bosnjes edhe të Kosovës shkeljet masive të të drejtave të njeriut janë bërë nga politika, janë arsyetuar nga politika, janë mëshehur nga politika dhe po arsyetohen nga politika që paraqet dyfytyrësi njerëzore dhe morale sikur edhe dhunim të dytë të të gjitha viktimave, pavarësisht përkatësive fetare apo etnike.

 

Ndërkombëtarët e kanë në duar ndërruesin e shpejtësive të proceseve politike, kur kanë nevojë i grahin me ritëm të ngadalësuar, ndërsa kur kanë nevojë e zhvillojnë një shpejtësi jonormale. Krejt për qëllime politike. Rasti konkret është presioni për formimin e Gjykatës Speciale, i cili po bëhet më shumë se që duhet transparent dhe i paskrupullt! Ambasadori i një vendi që kishte rol të turpshëm në gjenocidin e Srebrenicës, të vetmin fakt që po e përdorë për formimin e kësaj Gjykate është se: “ndërkombëtarët kanë vendosur kësisoj dhe nuk keni rrugëdalje tjetër veç ta formoni gjykatën duke shkelur mbi të drejtën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe bindjes, e jo në bazë të vullnetit dhe diktatit të faktorëve ndërkombëtarë që vepruan si qyqarë në Srebrenicë dhe nuk patën guxim ta ndëshkojnë fajtorin kryesor, Serbinë”! Pasi keni mundësinë, formojeni këtë Gjykatë me procedurë të përshpejtuar, përfundojini proceset si i keni planifikuar, por mos i terrorizoni deputetët duke u bërë presion edhe kur shkojnë në WC. Nëse është vullneti i deputetëve ta votojnë këtë Gjykatë, pa iu nënshtruar presioneve dhe shantazheve, le ta votojnë dhe të gjithë duhet ta përkrahim këtë vullnet të tyre sepse ata janë përfaqësues tanë e jo deputetë të Mbretërisë së Holandës. Nëse Kombet e Bashkuara e kanë mundësinë ta formojnë këtë Gjykatë, le ta formojnë brenda 24 orëve mirëpo mos i përdorni si googol për t’i frikësuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës! Si përfaqësues i Holandës është dashur ta bartni demokracinë e shtetit tuaj në Kosovë e jo diktatin dhe kërcënimin! Si mjet për realizimin e qëllimeve politike dhe mjet për përçarje edhe më të madhe midis shqiptarëve. Na siguroni drejtësi për të gjitha viktimat dhe përgjegjësi për të gjithë kriminelët duke filluar me Srebrenicën. Nuk e keni bërë e as që e keni mendjen ta bëni por po e bëni diferencimin në bazë të asaj se kush është për themelimin e Gjykatës Speciale dhe kush është kundër themelimit të kësaj Gjykate. Kush është për është mik i juaji e kush është kundër është armik. Ky është argument i vetëm i juaji dhe i ndërkombëtarëve që e përdorni gjithmonë e në rastin konkret e keqpërdorni duke treguar forcë dhe muskuj!

Behxhet Sh. Shala

10. 7. 2015

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …