Bahri Bivolaku

Bahri Bivolaku: Politika e Serbisë po ushqen radikalizmin në rajon

Radikalizmin në Ballkan, qoftë ai etnik, fetar a social e ushqen shteti i Serbisë jo me fjalët e liderëve politikë, por me veprimet e tyre, me shumë prirje për ta shikuar të kaluarën mitike e dominuese që u ngjasojnë ideve fashiste.

Në vitin 1977, ish Presidenti amerikan Ronald Reagan bënte shaka duke e konsideruar se politika supozohet të jetë profesioni i dytë më i vjetër në botë, madje “Kam arritur ta kuptoj se ka mjaft ngjajshmëri me profesionin e parë në botë” – thotë Reagan (Marrë nga libri Ide Politike – Oford 2010 të autorit Ben Dupre). Gjykuar nga prizmi i një shqiptari nga Kosova për mënyrën se si po i çasen ndërkombëtarët politikës në Ballkanin Perëndimor, atëherë vërtetë shakaja e Reaganit nuk mund të konsiderohet vetëm si shaka. Shteti i Serbisë në këtë rajon vazhdon të shihet si më kryesori, e madje edhe ai që duhet ledhatuar vazhdimisht për të ecur në rrugën e integrimeve europiane, pasi sipas tyre ka një konsolidim të demokracisë, i cili prodhon stabilitet në rajon. Lideri i tyre Aleksandër Vuçiç, madje u duartrokit fortë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas një fjalimi të tij me porositë politike të një engjulli, porse në esencë veprimet i ka të djallit.

Serbia në këto vite në rajon, asnjëherë nuk prodhon koncepte politike për ruajtje të stabilitetit rajonal për të cilat lavdërohet nga ndërkombëtarët, e madje edhe favorizohet. Pikërisht Serbia dhe lideri i tyre është destabilizuesi më i madh në regjion. Në kohën e këtij lideri u bënë lëvizjet politike populliste në Bosnje, duke shfrytëzuar komunitetin serb atje siç po tentohet e njejta gjë të bëhet edhe në shtetin e Malit të Zi, e veçanërisht në Kosovë përmes krijesës politike të “Lista Srpska” dhe zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Konsideroj se radikalizmin në këtë regjion, qoftë ai etnik, fetar apo social e ushqen pikërisht shteti i Serbisë jo me fjalët e liderëve të tyre, por me veprimet me shumë prirje për ta shikuar të kaluarën mitike që u ngjasojnë ideve fashiste.

Diplomacia e Kosovës bashkë me atë të Shqipërisë dhe Malit të Zi duhet të jenë më të angazhuar dhe të themelojnë një strategji të qartë për demaskimin e kësaj politike që po krijohet në Beograd karshi faktorit ndërkombëtar, ndryshe stabiliteti do të mungojë në rajon dhe lëvizjet radikale gjithsesi do të fuqizohen si kundërpërgjigje e veprimeve të shtetit të Serbisë.

Mendimtarët thonë: “Koha ka dy duar; me njërën dorë përmbysë, me tjetrën ndërton”. Serbia me asnjë dorë nuk po ndërton në Ballkan, përkundrazi ajo me dy duart po e shfrytëzon kohën për ta rrënuar Ballkanin. Ajo vetëm me gojë është duke punuar e me dorë po rrënon gjithçka. Duke qenë e lazdruar paksa nga ndërkombëtarët si pasojë e shfrytëzimit maksimal të gjeopolitikës, ajo me veprimet e veta politike është duke ngjallur elementet radikale. Konsideroj se fillet e grupimeve a qëndrimeve radikale në Kosovë por dhe rajon, zanafillën e kanë si revansh të politikës në Beograd, por edhe vonesës së të kuptuarit të kësaj gjëje në Europë. Një i ri, shqiptar i Kosovës nuk mund ta kuptoj assesi qëndrimin e politikës së Europës për vonesën në liberalizim të vizave, në kohën kur Serbia po bëhet gati për inkuadrim në BE dhe shohin politikën e atij shteti tejet diskriminues ndaj bashkëatdhetarëve të vet në Luginën e Preshevës. Një i ri shqiptar i Kosovës e mendon gjithsesi se mos vallë ashtu duhet edhe ne në Kosovë të sillemi me pakicat apo grupet e caktuara etnike. Sheh në shtetin e Serbisë rolin e kishës ortodokse serbe dhe ndikimin e saj në jetën e çdo qytetari e mos të flasim për politikën dhe meqenëse ky shteti i tillë po avancohet në integrimet europiane, atëherë shtrohet pyetja e një të riu: “Mos vallë edhe ne nëse do të na udhëhiqte feja…”.

Europës gjithsesi duhet bërë me dije se përmes favorizimeve që po i bënë Serbisë, përkundër veprimeve djallëzore e hipokrite të politikës së saj, po ngjallë elementet apo grupet radikale në Ballkan.

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …