Bahri Bivolaku

Bahri Bivolaku: Politikanët frikacakë dhe guximtarë

Frikacaku ka frikë nga hija e tij. Kështu thotë një fjalë e urtë popullore, e cila mendoj se më së miri u adresohet një grupi politikanësh apo opinionistësh të cilët sot po mundohen të faktorizojnë një kauzë politike të nxjerrë nga një shqetësim në opinion duke ndjellë frikën se do të ndodh kështu e ashtu, nëse vijëzimi i kufirit me Malin e Zi kalon në Kuvend, apo edhe Asociacioni i Komunave vihet në proces.

Mendimet e tilla, gjithsesi sugjestive, kanë për bazë konceptin mbi vendimin politik, jo pozitiv të bazuar në elementin e frikës. Frika bazohet në fajësi dhe unë nuk e kam të qartë se cili është faji i Kosovës për të pasur frikë që këto çështje të kenë qëndrime racionale.

Pse gjithë kjo zhurmë, pse gjithë kjo frikë, pse gjithë kjo thirrje për lëngime politike dhe nga kush se? Nga ata që deri dje rrinin me një këmbë, të gatshëm për gjëra të tilla dhe, madje këtë model politikanësh, gjithë kohën i shihje pranë ambasadave, ndërkaq aktivitetin e tillë e kishin shndërruar në profesion.

Të tillëve, siç duket, ky profesion më nuk po u ecën dhe me fajin e tyre kanë mbetur jashtë proceseve e vendimmarrjeve politike. Thonë se gjuha që nuk është e ndëshkuar  në mëngjes do të ndëshkohet në mbrëmje.

Politikës në Kosovë nuk i duhen arratitë karshi botës e miqve të saj  e aq më pak politika e veshur me petkun e folklorit, nuk i duhen as polarizimet as demonizimet.

Opozitarizmi në Kosovë nuk duket të jetë opozitarizëm që i shtyn proceset përpara, por që i ngulfatë proceset, me mjete nga më vulgaret.  Ata që i duan të mirën vendit, triumfojnë mbi frikën e vet, në mënyrë që Kosova të mos mbetet peng i problemit.

Kosova mbetet peng i problemit nëse politikanët nuk e kapërcejmë këtë frikë dhe këtë qasje politike, nëse nuk ndalojnë së instaluari këtë mentalitet opozitar refuzues, nëse nuk reflektohet realisht rreth proceseve dhe pozicionit të Kosovës,  që ka nevojë për mbështetje, por edhe për përshpejtimin e hapave drejt konsolidimit të saj.

 Vullneti partive politike për t’u reformuar

Nëse bazohemi në klishetë që lexojmë në mediet tona, shohim dy lloje politikanësh. Shohim politikën utopiste  e cila realitetin e sotëm të Kosovës e sheh si përbuzje e mohim, ndërsa ana tjetër mendojnë të jetë krejt e bardhë. Mendoj që ka ardhur koha që në Kosovë të dëgjohet zëri i reformave  tek partitë politike.  Zëri i tillë duhet të dëgjohet mbi të arsyeshmen e asaj që në Kosovë është e nuk duhet të jetë, por pa e humbur vlerësimin për rezultatet e mëdha të arritura. Politikës në Kosovë nuk duhet t’i mungojë politikani reformator, i cili aktivitetin e tillë së pari e fillon në partinë e vet e më pas edhe në atë të shoqërisë. Ndërtimin dhe reformën nuk duhet bërë si një zëvëndësim pa domethënie për shoqërinë e personelin drejtues politik, por në ndërtim në stilin dhe përmbajtjen e politikës.

Është koha që politika në Kosovë ta bëjë kapërcimin e hendekut midis të thënës dhe të bëres. Sot, shoqëria në Kosovë ka para vetes detyrën kryesore, atë të përgjegjshmërisë së veprimit politik, ta detyrojë politikën në reformim dhe më pas të vendos kufij mes demokracisë e sallamadisë. Dikush duhet ta ketë guximin për ta bërë prerjen dhe hapjen e faqes tjetër të librit të historisë së re të Kosovës. Në këtë mes politikanët frikacakë nuk kanë vend. PDK-ja me liderin  e saj e në rrethana të reja, mbase ka shprehur gatishmërinë e këtij reformimi dhe shenjat e para po duken. Vendimi që 40 për

qind e strukturës organizative të saj të jenë të përbëra nga gratë, i shërbejnë këtij qëllimi. Hapi për formën e re të komunikimit  me anëtarësi gjithashtu janë shenja pozitive dhe mbreslënëse.

Mbetet ende shumë për t’u bërë, pasi siç duket, liderit të kësaj partie, nuk i mungon guximi për reformë.

Politika në fletën e re të liderit duhet të ushqehet nga problemet e një jete më të mirë e më të denjë të qytetarëve që përfaqëson rritja e cilësisë së jetës  e që mendoj të jetë standardi që hap rrugën e europës por edhe të Partive Europiane në mënyrë që qytetarët e këtij vendi të ndjehen të barabartë me popujt e tjerë të rajonit e europes. Mbase të jenë krenar me shtetin e tyre.

 Ku mbaron fjala e lirë dhe fillon kriminalizimi i saj

Një filozof pyet Homerin “ Ju jeni i verber, pse ikni natën me fener?” “Për të mos u përplasur me mua ata që ecin pa kandil” iu përgjigj Homeri. Është kjo një anekdotë e lexuar e cila mendoj se më së miri përshkruan përdorimin e gjuhës së dhunshme të disa politikanëve në vend. Gjuha arrogante e demonizuese, qoftë ajo e të shprehurit të mendimit publik, të shkruar apo debatues në mediumet elektronike, ka humbur racionalitetin. Dhe, vërtetë shtrohet dilema. A ka ardhur koha që të ecet me kandil të ndezur, për të mos u përplasur me arrogantët e fjalës së lirë, veprimit të lirë dhe qëndrimit politik të lirë?

Thonë që në SHBA, jeta pa rregulla dhe pa respektim të tyre në përpikmëri, sa do t’i ngjasonte kohës së kaubojve e jo një jete në demokraci. Mendoj që ka ardhur koha që edhe në shoqërinë tonë të zgjohen prokurorët nga gjumi i thellë dhe të respketojnë rregullat, e veçanërisht Kodi i Mirësjelljes së Subjekteve Politike. Është mirë që politikanët e guximshëm sot vërtetë të  ecin me fener të ndezur.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …