Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Politika e jashtme dhe fushata për kryetar të Amerikës

Deri tani,  politika e jashtme dhe roli i Amerikës në botë nuk ka dominuar aq sa duhet debatin politik të fushatës presidenciale midis kandidates së Partisë Demokrate Hillary Clinton dhe kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump.  Por ka gjasë se javët e fundit të kësaj fushate për president të dominohen nga çështje me rëndësi të politikës së jashtme, por edhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur tradicionalisht në punët botërore gjatë pothuaj 100-viteve të fundit.

Zakonisht, gjendja ekonomike në vend dhe programet e kandidatëve për përmirësimin e saj, ato pra që cilësohen si “çështje të kuletës” (pocketbook issues), janë çështjet që vendosin se cili kandidat do fitojë në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare në nëntor, me fjalë të tjera cili është kandidati më i mirë që do të përmirësojë jetën ekonomike të familjeve amerikane.  Por duke marrë parasysh se megjithëse rritja e ekonomisë amerikane nuk është në nivelin që duhej të ishte, prapë se prapë ka shenja që tregojnë se ekonomia nuk është në krizë.  Sidomos kur të merret parasysh fakti se papunësia ndodhet në një nivel të ultë prej 4.9 për qind, në krahasim me katër vjet më parë kur papunësia ishte mbi 8 për qind. Rroga ndoshta nuk janë në nivelin e dëshirueshë, por të pakën njerzit mund të gjejnë punë po të duan.  Niveli i papunësisë midis 5 dhe 6 për qind, konsiderohet si normale këtu në Shtetet e Bashkuara.  Në këtë moment pra, duket se ekonomia nuk është një çështje me rëndësi dërmuese që do të shtyjë votuesin të votojë për njërin ose për tjetrin kandidat, por do të jenë një numër çështjesh përballë të cilave gjendet Amerika, përfshirë politikën e jashtme, politikën mbrojtëse dhe të sigurirmit kombëtarsi dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë. Do të jetë vlerësimi i votuesve amerikanë se cili ndër kandidatët do të jetë më i zoti dhe cili prej tyre ka përvojën dhe parimet dhe vendosmërinë e nevojshme për të mbrojtur interesat e vendit në fushën ndërkombëtare përballë sfidave të tanishme dhe të ardhëshme gjatë mandatit katër vjeçar.

Dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, kur votuesit amerikanë do të zgjedhin presidentin e tyre për katër vjetët e ardhëshme, bota duket se është në një gjëndje kaotike.  Presidenti/tja e ardhshëme e Shteteve të Bashkuara, që në ditën e parë të mandatit do të përballet me një botë aspak stabile.  Vërejtësit e çështjeve ndërkombëtare paralajmërojnë re të zeza në horizontin ekonomik dhe politiko-ushtarak ndërkombëtar gjatë viteve në vijim. Gjëndja në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë lëmsh e rrëmujë, pa ndonjë shpresë zgjidhjeje në një të ardhme të afërt. Flirtimet e fundit të dy autokratëve evropianë presidentit turk, Erdogan me presidentin rus Putin, janë shkak shqetësimesh serioze për NATO-n në përgjithësi dhe për implikimet e këtij flirtimi për krahun jug-lindor të aleancës perëndimore, në veçanti.  Shqetësues dhe me rrjedha të pa-parashikueshme është edhe vendimi i votuesve britanikë për të dalë nga Bashkimi Europian, si edhe rritja e tensioneve politike dhe ushtarake në Azi midis Kinës dhe fqinjve të saj dhe rritja e tensioneve politike në Europën Lindore si rrjedhim i politikave agresive të Rusisë së Vladimir Putinit. Përfshirë Koreja  e Veriut dhe Iranin nuklear, janë vetëm disa prej çështjeve të menjëhershme me të cilat do të përballet udhëheqësi i ardhshëm amerikan, përveç krizave të pa parashikueshme botërore të viteve të ardhshme.  Historikisht, ka ndodhur që presidentë të ndryshëm amerikanë — republikanë dhe demokratë — të kenë shpenzuar më shumë kohë duke u marrë me krizat dhe konfliktet ndërkombëtare se sa me punët e mbrendshme dhe me nevojat e përditshme të qytetarëve amerikanë.

Kandidati republikan Donald Trump sheh një hapje në këtë mes që ai po përpiqet ta shfrytëzojë në vazhdim të fushatës së tij, duke paraqitur politikën e jashtme të administratës së Presidentit Obama, pjesë e të cilës ishte edhe Hillary Clinton si Sekretare Amerikane e Shtetit, si të dështuar.

Por problemi i Trump-it është mos përvoja e tij në fushën e politikës së jashtme dhe asaj ushtarake. Ai është i pa sprovuar në këtë fushë, ndërsa kritikët e tij janë të shqetësuar në lidhje me temperamentin e tij në marrëdhëniet me të huajt.  Donald Trump, në qoftë se siguron fitoren në nëntor – do të jetë presidenti i parë në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, pa kurrfarë përvoje në fushën e politikës së jashtme dhe ushtarake, madje pa asnjë përvojë as në ndonjë administratë qeveritare.  Duke marrë parasysh rëndësinë e politikës së jashtme si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, një shumicë amerikanësh – përfshirë këtu edhe një numër ish-zyrtarësh republikanë të diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare — janë shpallur kundër kandidaturës së Z. Trump, të shqetësuar pikërisht për mungesën e përvojës së tij në këtë fushë.

Ndërsa Hillary Clinton konsiderohet se ka më shumë përvojë në fushën e diplomacisë, falë shërbimit të saj si Sekretare amerikane e Shtetit dhe senatore – skandali me e-mailat e saja ka bërë që jo vetëm kundërshtari i saj politik për president Trump, por edhe vërejtës të tjerë të kritikojnë ashpër përvojën e saj në fushën e diplomacisë, duke thënë se mos kujdesi i saj në përdorimin e komunikimeve të fshehta përbën, sipas tyre, një rrezik ndaj sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.  Pse u shlyen dhe çfarë fshihej në to është një pyetje që po shkakton kokëçarje për Zonjën Klinton si dhe probleme në lidhje me besueshmërinë ndaj  në përgjithësi, në radhët e votuesve amerikanë, përfshirë edhe vetë demokratët.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …