Bashkimi Evropian nuk e pranon “letrën e kushtetutës” si vijë të kuqe, thotë sllovaku, Lajçak

“Mesazhi im në Prishtinë ishte se Kushtetuta nuk është Bibla, dhe nëse ke hyrë në këtë proces atëherë duhet të jesh i gatshëm ta ndryshosh Kushtetutën. Kur dhe si, do të jetë më e qartë në fund të procesit. Ne nuk mund të pranojmë letrën e kushtetutës si vijë të kuqe. Nëse Beogradi qëndron në kushtetutën e vet dhe Prishtina në kushtetutën e vet atëherë nuk ka hapësirë për dialog”, ka thënë Lajçak dhe  ka shtuar se Asociacioni është nënshkruar dhe duhet të zbatohet.

Kjo është deklarata kërcënuese e sllovakut, Lajçak dhe të gjithë ata që tani e tutje do të pranojnë bisedime nën këtë diktat, paraprakisht para popullit duhet ta pranojnë hapur se janë të shitur, janë servilë, nuk e përfaqësojnë Kosovën, derisa mendojnë se mund të përdhoset Kushtetuta, në të cilën formalisht thirren të gjithë.

Lajçaku, megjithatë bëri shumë mirë që e nxori para opinionit atë që e mbante të kamufluar BE-ja dhe politikanët tanë servilë, nga i pari deri në të fundit, sepse të gjithë e kanë pranuar dhe kanë biseduar me Lajçakun. Disa në fillim e kanë kundërshtuar pastaj ia kanë dhënë dorën, por nuk janë përqafuar për shkak të pandemisë. Disa të tjerë e kanë pranuar që në fillim, pa asnjë rezervë dhe ende nuk janë deklaruar hapur kundër pretendimeve të Lajçakut.

 

Të gjithë ata politikanë e zyrtarë shqiptarë të Kosovës, që kanë biseduar me Lajçakun, e kanë mbajtur fshehtas këtë deklaratë të tij, andaj, tani kur doli hapur, ai i dogji të gjithë dhe tregoi atë që ata e kishin fshehur, sepse Lajçakut nuk i  ka ardhur turp t’ ua thotë atyre edhe paraprakisht këtë që tani po e thotë edhe një herë, troç, pasi ai nuk  është frikësuar dhe as frikësohet ta kumtojë qëndrimin zyrtar të BE-së.

 

Tani, nuk ka më dilemë se çka po kërkon BE-ja përmes sllovakut Lajçak

 

Tani, nuk ka më dilemë se çka po kërkon BE-ja përmes sllovakut, Lajçak dhe çka do të kërkojë edhe më shumë po kjo BE-ja përmes spanjollit, Borell.

Po ashtu është edhe më e qartë se bisedimet me Serbinë kanë qenë dhe janë të kota, jo vetëm këto të fundit, por edhe të gjitha të tjerat, përveç ultimatumit të NATO-s të Qershorit të vitit 1999. Serbia e njeh vetëm atë gjuhë.

Ata që pranuan dialog me Serbinë pas shpalljes së Pavarësisë  së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008,  pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të  22 korrikut të  vitit 2010,  duhet të japin llogari për krejt çka ka ndodhur me vendin në 10 vitet e fundit. Ata nuk kanë më të drejtë të vazhdojnë më tej këtë lojë pa fund mbi kurriz të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Tani nuk ka më çka të fshihet, meqë Lajçaku ia hoqi “petën lakrorit” dhe rikonfirmoi troç se bisedimet e Kosovës me Serbinë, të cilat i kanë pranuar të dyja palët, kanë nënkuptuar dhe nënkuptojnë kompromis dhe ai kompromis shkel Kushtetutën e Kosovës në radhë të parë, ndërsa Kushtetutën e Serbisë mund ta shkel vetëm nëse ajo e pranon Pavarësinë e Kosovës, pasi ta ketë shkëputur veriun e vendit tonë, pa bërë kompromis me tri komunat e Kosovës Lindore. Serbia bën vetëm një kompromis, me të cilin përpiqet të fitojë sa më shumë që të jetë e mundur, dhe këtë do ta arrinte me politikanët tanë servilë e plastofilë, por këtë nuk do ta pranojë populli, po ai popull që nuk e ka pranuar Serbinë e Milosheviqit në vitet 1998-1999.

Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi t’i ketë realizuar të gjitha qëllimet e veta e ato nuk janë vetëm, Asociacioni që nënkupton një Republikë serbe në veri, por edhe lidhjen horizontale me të gjitha enklavat serbe, në Kosovë, në krye me Kishën Ortodokse Serbe dhe eksterritorialitetin e plotë, të pranuar edhe nga Pakoja e Ahtisarit, të cilën e kanë pranuar me unanimitet të gjithë zyrtarët e politikanët e Kosovës të asaj kohe.

Dhe, ashtu sikur ka ndodhur dhe ndodh rëndom  në pajtimet e tilla që bëhen mes të fortit e të dobëtit, mes atij që ka miq të vërtetë, sikur e ka Serbia, Francën, Gjermaninë e Rusinë dhe Kosova që ka mike Amerikën e largët dhe asnjë shtet të Evropës, dihet edhe finalja e bisedimeve, sepse bisedime të tilla për fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve në Ballkan janë bërë prej vitit 1878 e deri tani, por kurrë dhe asnjëherë në dobi të së vërtetës e së drejtës, por gjithnjë mbi kurriz të shqiptarëve dhe trojeve tona.

Ahmet Qeriqi

  1. 10. 2020

Kontrolloni gjithashtu

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka mirëkuptim për Greqinë sepse atje edhe ka studiuar

Ditmir Bushati: Propozimi për rikthimin e Vulinit në pushtet, Serbia po teston durimin e SHBA-së dhe BE-së

Ish-kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati, ka reaguar ndaj kompozicionit të ri të pritur të Qeverisë së …