Bedri Halimi: Lojërat me akuza mistike kundër krerëve të UÇK-së

Bedri Halilmi: Rezolutë kundër tendencave për diskreditimin e shtetit të Kosovës nga raporti i Dick Martyt

Rezolutë kundër tendencave për diskreditimin e shtetit të Kosovës nga raporti i Dick Martyt dhe pasojave të tij Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Mbi bazën e këtyre pretendimeve, u bë Gjykata speciale. Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili pati bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh. Pra, ky verifikim u bë pasi u formua Gjykata Speciale. Deri më tani, dihet se u ngrit akuzë për krerët e UÇK-së, si rezultat i së cilës, u burgosen Hashimi, Kadriu, Rexha e Jakupi. Pastaj u tha se duhet të zhvillohen hetime. Ashtu si procesi i hetimeve, deri tani, kjo Gjykatë, nuk ka sjellë asnjë drejtësi për viktimat e presupozuara, por ka bërë viktima figurat kryesore të UÇK-së, duke lënë për të kuptuar se i tillë ka qenë edhe qëllimi i formimit të Gjykatës… për ta bërë viktimë botërore Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila gjithsesi ka mbetur përjetësisht krenaria më e rëndësishme kombëtare e shqiptarëve. Prandaj me të drejtë Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për raportin e Dick Martyt, duke e votuar unanimisht, rezolutën me të cilën synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës. Po, vërtet prokuroria nuk i ka futur këto akuza në aktakuzë, por mbi bazën e këtyre akuzave, Këshilli i Evropës e votoi rezolutën.

Tani a duhet Këshilli i Evropës të deklarohet për këtë mashtrim? A duhet që dikush ta ngris zërin për tju drejtuar Këshillit të Evropës për këtë mashtrim? Dikush thotë se është shumë e vonuar kjo rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë. Edhe nese është kështu, atëherë cila është e keqja e Rezolutës së Shqipërisë? Dikush thotë se ska vlerë juridike. Po çfarë vlere juridike kishin të dhënat e shërbimit serbë e rus, që përfunduan me raport të Dik Martit dhe pastaj me rezolutë dhe jo vetëm kaq…? Çka duhet të bëhet sipas kësaj logjike? Vetëm të ndihmohen avokatët mbrojtës? Kur mbi bazën e ndërhyrjeve politike u formua e tërë Gjykata, atëherë politika jonë a duhet ta fus kokën në rërë lidhur me këtë çeshtje duke bërë veprime të strucit? Kryetari i Parlamentit të Kosovës, pas vizitës që u bëri krerëve të UÇK-së në Hagë deklaroi: “Kjo gjykatë është absolutiste, kjo gjykatë nuk është në kontrollin e askujt, kjo gjykatë madje nuk kanë mekanizëm as shtetet të cilat e financojnë me para këtë gjykatë dhe prej të cilave i marrin rrogat gjyqtarët, prokurorët dhe stafi i gjykatës pra në këtë kuptim natyrisht ata janë të pakënaqur ashtu siç është i pakënaqur edhe krejt populli i Kosovës për arsye se aktakuza e cila rëndon mbi ta lë hapësirë për inkriminimin e UÇK-së si të tillë, të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka qenë institucioni më i rëndësishëm i UÇK-së”….” Ajo gjykatë është aq e varur sa nuk m’u duk fare e Kosovës që është. “Kjo është sfidë e e popullit të Kosovës dhe duhet të jemi bashkë”.

Deklarimi se kjo rezolutë, ka mundur të bëhet më herët qëndron. Por a nuk është më mirë që u bë tani, se sa mos bëhej kurrë? Përderisa fund e krye, doli se Gjykata u formua nga motive politike, e për qëllime politike, a nuk na duhet një politikë e jashtme më aktive për të gjitha gjërat, pra edhe për këtë çeshtje si nga shteti shqiptar ashtu edhe nga shteti i Kosovës? Pra “politikë aktive në interes kombëtar dhe politikë aktive për t’u ndrequr një padrejtësi” siç potencon me të drejtë dr. Paskal Milo. Lidhur me këtë dr. Enver Hasani, rezolutën e Shqipërisë nuk e sheh si nismë të vonuar. Ai thotë se “mandati fillestar i Gjykatës Speciale ka qenë hetimi i pretendimeve të ngritura nga Dick Marty për “trafikimin e organeve njerëzore”, pavarësisht asaj që ka deklaruar në vitin 2014 prokurori Williamson se “nuk ka pasur dëshmi për trafikim organesh”. Rrjedhimisht, sipas tij, mandati aktual i kësaj gjykate nuk është në harmoni me hetimin e këtyre pretendimeve.

Po, Këshilli i Evropës a mund të hartojë raport të ri për pretendimet e Martyt? Lidhur me këtë nga Këshilli i Evropës thonë se Asambleja e këtij institucioni mund të vendosë që të përgatisë dhe të debatojë raporte – përfshirë raporte vijuese – për çfarëdo teme që bie në mandatin e këtij Këshilli. E një gjë e tillë  “Do të varet shumë nga raporti i vendeve që do ta mbështesin. Do të varet shumë nga lobimi që do të bëjë jo vetëm Shqipëria, por edhe partnerët e Shqipërisë. Prandaj, ngritja e kësaj çështjeje në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës “do të ishte akt politik dhe solidaritet i fuqishëm i Shqipërisë në adresë të shqiptarëve dhe udhëheqësve të UÇK-së”. Lidhur me këtë çeshtje, me të drejtë ish ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku thekson se “Nuk është fjala për çështje historike, politike, e identitare. Fjala është për bazën mbi të cilën janë ngritur akuza konkrete. Dhe kjo bazë, e ka një adresë në Beograd e një në Moskë. E ka një procedurë, shantazhin. Si dhe një qëllim, dëmtimin e imazhit të Kosovës”, ku gjithsesi duhet demaskuar përpjekjet serbe kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, integrimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës. Në anën tjetër, ish-raportuesi në Asamblenë e Këshillit e Evropës, Dick Marty në një intervistë të publikuar kohët e fundit ka deklaruar se ka 16 muaj që është duke u mbrojtur nga policia zvicerane në shtëpinë e tij, deri në atë pikë sa edhe kur del jashtë shtëpisë është i detyruar të mbaj jelek anti-plumb, ndërkaq vetura e tij është e blinduar dhe e shoqëruar me mjete policie.

Gjithashtu pohon se është i kërcënuar me vdekje nga “elementë radikalë të shërbimit të inteligjencës serbe” dhe sipas tij vrasësit më pas do t’i fajësonin shqiparët e Kosovës për këtë krim. Edhe njëherë, lidhur me të gjitha për sa u thanë: e dimë se si u pranua, nga kush u pranua e si u votua Gjykata. E dimë kush e votoi, e kush jo, kush i ra pishman votimit etj. Çeshtja pra është çka duhet bërë, krahas zhvillimeve aspak të mira në Gjykatën speciale që rezulton me zhagitje, zhagitje, zhagitje. E një nga nismat në këtë drejtim është edhe rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë. A do të ketë nisma tjera pas kësaj, a do të shoqërohet me veprime tjera, kjo do të mbetet për tu parë, apo jo?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …