Brickos

Bedri HALIMI: A po injorohet Ali Hadri nga ASHAK-u

Bedri HALIMI: DHUNIMET E FEMRAVE SHQIPTARE NGA FORCAT SERBE GJATË LUFTËS NË KOSOVË

Një ndër format e spastrimit etnik krahas: vrasjeve, masakrave, rrënimeve, plaqkitjeve, djegieve, lëndimeve, kidnapimeve, burgosjeve e veprimeve të tjera; ishte edhe dhunimi i mijëra femrave shqiptare. Dhunimet edhe sipas të drejtës ndërkombëtare, radhiten ndër krimet kundër njerëzimit. Me këto veprime, Serbia përmes forcave të veta, nuk synonte vetëm cenimin e integritetit fizik dhe psikik të femrës shqiptare, por edhe cënimin e integritetit moral e shpirtëror të shqiptarëve. Kështu, dhunimet seksuale kanë pasur karakter poshtrues, politik, hakmarrës; me qëllim të thyerjes morale dhe shpirtërore të popullit shqiptar. Edhe sipas Human Rights Watch theksohet se dhunimet e grave dhe vajzave shqiptare, nuk ishin akte të rralla e të izoluara, të kryera nga individë të forcave serbe, por ishin akte të organizuara mirë nga Serbia dhe u përdoren qëllimisht si instrument për të terrorizuar popullsinë civile. Kjo formë e dhunës u përdorë si armë lufte dhe instrument i spastrimit etnik sistematik.  

Kështu, forcat serbe merrnin me dhunë femrat e reja shqiptare dhe i dërgonin në vende të caktuara për t’i dhunuar. Struktura e të dhunuarave ishte e ndryshme, duke përfshirë edhe: të mitura, studente, nuse, gra shtatëzëna, gra të moshuara, etj.. Në shumë raste dhunimet janë bërë edhe para anëtarëve të familjes: burrit, fëmijës, babës, nënës, etj.. Gjithashtu, vlen të potencohet se, në shumë raste pas dhunimit, viktimat e dhunuara vriteshin me qëllim të humbjes së gjurmëve. Ato femra që rezistonin me forcë më të madhe, vriteshin menjëherë, qoftë pas dhunimit, qoftë pa i dhunuar fare, varësisht nga disponimi i pjesëtarëve të forcave serbe. Edhe nga Qendra për Mbrojtjen e Grave e Fëmijëve raportohen raste kur dhunuesit i kanë mbajtur anëtarët e familjes, kushërinjtë, nën kërcënimin e armëve, në mënyrë që të shihnin dhunimin e të afërmeve të tyre. Dhunimet kanë përfshirë pothuaj tërë Kosovën, kanë qenë masive dhe janë atakuar femrat e të gjitha moshave, duke filluar që nga mosha 12 e 13-vjeçare e deri në 45-vjeçare, të cilat janë dërguar në objekte dhe kampe të ndryshme të forcave policore dhe ushtarake serbe. Disa nga të dhunuarat nuk janë gjetur fare, e disa vazhdojnë të jetojnë siç thonë ato, të vdekura për së gjalli. Dhunimet janë bërë edhe nëpër fshatra, banesa, me rastin e deportimit të popullatës për Shqipëri, duke i ndarë femrat më të bukura, e duke i dërguar në destinacion të panjohur, ku pas dhunimeve disa nga këto janë pushkatuar. Në brezin kufitar me Shqipërinë janë zbuluar disa varreza masive me trupa vetëm të femrave të vrara gjatë luftës. Në një varr janë gjetur 80 kufoma të femrave, në një tjetër 40 dhe në një tjetër me 16 kufoma të femrave, ku shumica e tyre janë djegur. Ekspertët kanë deklaruar se shumica e këtyre femrave më parë janë dhunuar dhe më pastaj janë vrarë dhe djegur. Në mesin e tyre thuhet se ka pasur edhe trupa me gjinj të prerë.  

Në një raport të State Departamentit Amerikan, sekretarja e këtij shteti Medeleine Albright ka theksuar se: “forcat serbe po përdorin dhunimin si pjesë të spastrimit etnik dhe se numri i dhunimeve është duke u shtuar në vazhdimësi dhe kur bëhet fjalë për dhunimet, mund të flitet për një fushatë të organizuar” nga vetë shteti serb. Kjo deklaratë është dhënë gjatë kohës së sulmeve ajore të NATO-s mbi forcat serbe.  

Ndërkaq, në një raport të Fondit Ndërkombëtar të OKB-së për popujt e rrezikuar të (FNUAP), të publikuar më: 25 maj 1999, në Zhenevë, pos tjerash theksohet: “ushtarët serbë për çdo ditë ngarkonin me kamionë nga 30 – 50 femra të reja shqiptare, të cilat i dërgonin në drejtime të panjohura, ku i dhunonin për disa ditë me radhë në ndërtesa ushtarake apo vendbanime të tjera të ushtarëve serbë. Nëse ato refuzonin marrëdhëniet seksuale me ushtarët dhe eprorët serbë, i vrisnin ose i digjnin në prezencën e të tjerave për t’i friksuar dhe nënshtruar me lehtë femrat e tjera”.  

Edhe komisionerja e OKB-së për të drejtat e njeriut – Mery Robinson, në raportin e saj lidhur me dhunimet që kanë kryer forcat serbe në Kosovë gjatë luftës thekson: “dhunimet në shumë qendra të Kosovës janë kryer kryesisht nga paramilitarët e Arkanit dhe nga policët shtetëror serbë”.  

Të dhënat nga shumë vende në Kosovë, tregojnë se janë dhunuar seksualisht shumë femra shqiptare. Numri i tyre është i madh, por për shkak të ndjeshmërisë, mentalitetit shqiptar, shumë nga këto raste nuk janë publikuar por janë heshtur. Sipas një raporti të një organizate humanitare, thuhet se është e trishtueshme të dëgjosh rrëfimet e disa të mbijetuarave. Shumica prej tyre nuk flasin kurrë dhe i mbajnë “plumbat” e turpit për tërë jetën (qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve – Prishtinë). Numri i femrave të dhunuara që janë raportuar në raporte të ndryshme është i ndryshëm dhe sipas shumë organizatave ndërkombëtare joqeveritare dhe ekspertëve të ndryshëm arrin deri në 20. 000 femra shqiptare të dhunuara nga pjesëtarët e forcave serbe gjatë kohës së luftës.  

Sipas raportit të Human Right Ëatch thuhet se: “dhunimet e kryera në Kosovë mund të grupohen në tri kategori: dhunimet e kryera në shtëpitë e vetë grave, dhunimet e kryera gjatë largimit, dhe dhunimet e kryera gjatë ndalimeve”. Në kategorinë e parë, forcat serbe hynin në shtëpitë e shqiptarëve dhe përdhunonin gratë para anëtarëve të familjes, në oborr ose në dhomën e afërme. Në kategorinë e dytë, njerëz të dëbuar që ecnin në këmbë apo me traktor ndaloheshin, grabiteshin dhe kërcënoheshin nga ushtria dhe policia serbe. Nëse familjet nuk mund të jepnin para, atëherë forcat serbe iu thoshin se vajzat e tyre do t’ua merrnin dhe do t’ua dhunonin. Në disa raste edhe pse familjet kishin dhënë para, atyre u janë rrëmbyer vajzat. Në kategorinë e tretë, dhunimet janë kryer në qendrat e përkohshme të ndalimeve në vende, si shtëpi të braktisura, etj..  

Është me rëndësi të theksohet edhe analiza e OSCE-së rreth dhunimeve gjatë luftës në Kosovë nga forcat ushtarake dhe policore serbe, e që sipas tyre janë bërë në këto forma: 

Dhunimet pas kidnapimit, të kryera në vende publike.  

Dhunimet në shtëpitë, ku janë gjetur femrat.  

Dhunimet në grupe që i kanë bërë pjesëtarët e njësive paramilitare.  

Dhunimet gjatë kohës së sulmit në fshat.  

Dhunimet në konvoje.  

Dhunimet në shtëpi.  

Mbajtja e femrave në robëri seksuale.  

Dhunimet para vrasjeve.  

Dhunimet e kombinuara me forma tjera të torturës dhe keqtrajtimet. 

Dhunimet pas kidnapimeve. 

Dhunimet dhe dhuna seksuale në lidhje me shantazhim të parave.  

Dhunimet publike në praninë e personave të tjerë.  

Droga.  

Pra nga të githa këto forma, në bazë të kësaj analize, rezulton se femrat shqiptare kanë qenë të rrezikuara në çdo moment nga dhunimi, duke mos qenë të sigurta as në shtëpitë e tyre, sepse në shumë raste dhunimet kanë ndodhur edhe brenda vetë shtëpive edhe në prezencën e anëtarëve të familjes. Pastaj, ndarja e femrave të reja dhe të bukura nga pjesa tjetër e popullatës, të cilat i dërgonin në vende të ndryshme forcat serbe, ku ka pasur raste që pas dhunimeve janë kthyer, pastaj janë mbajtur për një kohë të gjatë, duke i dhunuar sistematikisht në vende të caktuara, siç ka pasur edhe raste që janë vrarë pas dhunimit. Femrat shqiptare për këto qëllime janë mbajtur edhe në llogoret policore që janë detyruar të punonin për ta duke u dhunuar sistematikisht, duke u nënçmuar si dhe duke u keqpërdorur në forma të ndryshme. Në disa raste, femrave shqiptare dhunshëm u jepej drogë gjatë kohës së dhunimit seksual. Të gjitha këto forma që u potencuan, padyshim se kanë ndikuar në mënyrë të skajshme që të traumatizohen jo vetëm viktimat, por edhe anëtarët e tjerë të familjes. Dhe mjerisht, ky lloj krimi është dhe ka mbetur më i pandriçuari dhe më i pandëshkuari deri tani.  

Gjithashtu, sipas analizës së OSCE-së, thuhet se ka pasur edhe raste të sulmit seksual në meshkuj, gjë që e sforcon edhe më shumë qëllimin e shtetit serb që, përmes forcave të saj të cenojë identitetin e shqiptarëve të Kosovës, duke e shkatërruar njëkohësisht edhe dinjitetin:  fizik, psikik dhe seksual.  

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …